ZNAM me reagim të ashpër ndaj BDI-së: Maqedonasit kurrë më nuk do të ndjehen si qytetarë të dorës së dytë!
Partia ZNAM nuk ka kursyer kritikat as për BDI-në e as për partnerin e koalicionit VLEN. Nga partia e Maksim Dimitrievskit, kanë reaguar pas deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili, dje, deklaroi se maqedonasit në rast se dëshirojnë të ekzistojnë do të duhet të bashkëpunojnë me shqiptarët, në të kundërtën do të gëlltiten nga serbët, bullgarët dhe grekët.
“Njëri prej bashkëpunëtorëve më të mëdhenj të KOS-it në ish-Jugosllavi, Ali Ahmeti, nuk duhet të shqetësohet për ekzistencën e popullit maqedonas, garantuesi më i madh për këtë janë maqedonasit kudo që janë”, thuhet në reagim.
Sa i përket VLEN-it, nga kjo parti thonë se ata po tentojnë të kopjojnë BDI-në, ndërsa për zv/kryeministrin Izet Mexhiti, ata thonë se idol e ka Ali Ahmetin.
“VLEN po tenton të kopjojë BDI-në dhe të vazhdojë në të njëjtën rrugë, duke demonstruar fuqi nga pozita e pushtetit dhe duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Zoti Mexhiti ka qenë shumë gjatë në radhët e BDI-së, është koha që të dalë nga ajo matricë. Është e qartë se idol i tij është Ali Ahmeti, rekomandimi ynë është që ai të mbetet vetëm Izeti”, thuhet në reagimin e ZNAM-it.
Nga ZNAM thonë se “VLEN-i duhet ta kuptojë se vendi i tyre është Maqedonia dhe jo Kosova”, ndërsa kanë porosi të përbashkët për partitë politike shqiptare në RMV.
“Në fund një mesazh për VLEN dhe BDI. Kurrë më maqedonasit nuk do të ndjehen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre! Garant për këtë është lëvizja ZNAM”, thuhet në reagim. /SHENJA/