Zgjedhjet e ardhshme caktohen për 9 shkurt
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në dekretin e nënshkruar nga presidentja, të cilin e ka publikuar në Facebook.
Në dekretin e nënshkruar të premten, Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
Vendimin për datën e zgjedhjeve, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike.
“Ashtu siç e parasheh ligji, presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, presidentja ka pasur diskutime edhe me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti”, ka shkruar Kupina në Facebook.
Ai ka theksuar se pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.
“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”, ka shkruar Kupina.
Ai ka njoftuar se presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, ka thënë se do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve.
“Duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Përgjatë takimeve, Presidentja vazhdimisht ka potencuar që duhet te ketë kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura edhe për votimin e mërgatës në përputhje me ligjin e ri”, ka shkruar Kupina.
Ai ka thënë se Osmani u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen në këtë proces “me seriozitetin dhe përkushtimin që meriton, duke ruajtur standardet demokratike dhe rregullat më të larta të etikës, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të mbetet shembull i zgjedhjeve të lira e demokratike”.
Kupina ka deklaruar se presidentja, së shpejti do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat siç ka shkruar ai, shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka preferuar 2 shkurtin si datë të zgjedhjeve.
Në takimin e 31 korrikut, mes presidentes dhe kryetarëve të partive politike, të cilin Osmani e pati thirrur për konsultim për datën e zgjedhjeve, kryeministri Albin Kurti nuk pati marrë pjesë me arsyetimin se të njëjtën kohë ka pasur të aranzhuar një drekë me ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Pas takimit në Presidencë, Osmani pati deklaruar se nuk ka marrë ndonjë arsyetim nga Kurti për mungesën dhe se ka refuzuar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari Glauk Konjufca.
Në tri partitë kryesore të opozitës – Partia Demokratike (LVV), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë shprehur preferencë që zgjedhjet të mbahen më 26 janar, ndërkaq shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, si data alternative i ka parë 9 apo 16 shkurtin.
Krahas kryeministrit Kurti, në takim me presidenten nuk patën marrë pjesë as kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, si dhe ai i Partisë Egjiptiane, Elbert Krasniqi, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. Qëndrimet lidhur me datën e zgjedhjeve, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, dhe ai i Partisë Demokratike Turke (KDP), Fikrim Damka, i kanë përcjellë në formë të shkruar.
2025-ta do të jetë vit i rregullt zgjedhor. Qeveria e udhëhequr nga Kurti do të jetë e para që nga shpallja e pavarësisë që do ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar. Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje. /koha