Zëvendëskryeministrja e Kosovës nis vizitën zyrtare në Turqi
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Emilje Rexhepi po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë.
Gjatë vizitës në shtetin e Turqisë, ajo ka zhvilluar takime me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, z. Mehmet Nuri Ersoy, si dhe me Odën Ekonomike të Ankarasë dhe përfaqësuesit e TIKA-s.
Në takim me Ministrin e Kulturës dhe Turizmit u diskutua për planin kombëtar të zhvillimit të turizmit në Kosovë.
‘’Ministri Ersoy, para se të merrte detyrën, ishte një nga më të suksesshmit në fushën e biznesit, veçanërisht në sektorin e turizmit, gjë që e forcon rëndësinë e bisedave tona për përmirësimin e bashkëpunimit turistik ndërmjet vendeve tona. Gjithashtu, diskutuam për Planin Kombëtar të Zhvillimit të Turizmit në Kosovë, ku Turqia mund të shërbejë si një shembull shumë i mirë për shkak të modeleve të saj të suksesshme të zhvillimit në këtë fushë’’ është bërë e ditur në njoftim.
Ndërsa me anëtarët e Odës Ekonomike të Ankarasë tëmë diskutimi ishin mundësitë e investimeve në fushat e agro-turizmit, bujqësisë, industrisë tekstile dhe shëndetësisë, gjë që hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Rexhepi gjatë vizitës në Turqi ka vizituar disa fabrika të tekstilit.
‘’Pata gjithashtu mundësinë të vizitoj disa fabrika tekstili dhe organizatat Balkantürsiad dhe Balkanvk, ku diskutuam për implementimin e strategjive për zhvillimin ekonomik të rajoneve tona dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për uljen e papunësisë dhe forcimin e ekonomisë.Gjithashtu pata takime shumë produktive me përfaqësuesit e TIKA-s, të cilët shprehën mbështetje për projektet bujqësore në Zupë, Podgorie dhe Gora, veçanërisht në sektorin e blegtorisë, si dhe për projektet kulturore të boshnjakëve, gjë që do të forcojë stabilitetin ekonomik dhe ruajtjen e identitetit kulturor të këtyre zonave.Bisedat tona u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe eksplorimin e mundësive të reja për përmirësimin e turizmit. Me Odën Ekonomike të Ankarasë dhe TIKA-në diskutuam gjithashtu për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe investimeve, veçanërisht në sektorët kyç që do të kontribuojnë në prosperitetin e përbashkët’’ ka thënë Rexhepi.
Në njoftim u tha se kjo vizitë përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të bazuar në vlera të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.