(VIDEO) Shkëndija nuk ndalet: Ndeshje pa fund në Ohër, ndërhyrje policore në Strugë
Xhiroja e 28-të në elitën e futbollit vendor solli emocione, gola spektakolarë dhe tensione të shumta. Besa, një nga skuadrat më të rrezikuara për rënie, e nisi ndeshjen me Shkëndijën me golin e Selmanit, por Shkëndija u përgjigj me Ibraimin dhe Tambanin, ndërsa Merxhani vulosi fitoren në minutat e fundit. Shkëndija mban kreun, ndërsa Besa lufton për mbijetesë. FC Shkupi u mposht nga Sileksi, ku një gol i diskutueshëm për pozitë jashtë loje e solli barazimin, ndërsa një gabim i portierit Denkovski mundësoi fitoren e Sileksit. Shkupi reagoi ashpër ndaj arbitrimit dhe kërkoi ndërhyrje nga institucionet. Ndeshja mes Struga Trim Lum dhe Gostivarit përfundoi 1-1, me një barazim të arritur nga Kehinde dhe një ndëshkim të kuq për Diatën e Gostivarit. Pas ndeshjes, ndodhi një përplasje mes lojtarëve dhe tre futbollistë dhe një anëtar i stafit të Gostivarit u ndaluan nga policia. Në Ohër, dueli mes Voskës dhe Vardarit u ndërpre në minutën e 76-të, me barazimin 1-1. Protestat ndaj një goli të diskutueshëm çuan në tërheqjen e Voskës nga fusha, dhe klubi kërkoi masa ndaj arbitrimit dhe Federatës. Kjo ishte një tjetër fundjavë e mbushur me drama dhe tensione në elitën e futbollit vendor. /SHENJA/
