(VIDEO) Formohet një komision që do të hetojë veprimin e gjykatës për rastin e Blerim Ramadanit
Arratisja nga burgu shtëpiak i ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, vazhdonë të jetë mollë sheri mes të gjitha partive politike në vend. Nga partia opozitare BDI theksojnë se ka dështuar plani i Vuçiqit dhe qeverisë monoetnike për ekstradimin e Ramadanit. Sipas BDI-së, krerët e VLEN-it, që sipas tyre, janë pa legjitimitet etnik në pushtet, lavdërohen që kanë liruar ish ushtarin e UÇK-së, në anën tjetër siç theksojnë nga partia e Ali Ahmetit, e kanë mashtuar opinionin shqiptarë.
BDI
“Mickovski dje tha që Mexhiti e Taravari as nuk e kanë hap gojën në qeveri për Blerim Ramadanin dhe që nuk ka dëgjuar se janë lavdëruar për ‘lirimin’ e tij. Mungesa e legjitimitet dhe kredibilitetit të hyzmeçarëve në qeveri po i rrezikon ish ushtarët e UÇK-së, ndërsa po i lë shqiptarët jetim dhe të poshtëruar vetëm për hir të koltuqeve të hyzmeqarëve. Poshtërsimi i shqiptarëve është alarmant dhe skandaloz. VazaLEN-ët po na turpërojnë edhe përpara Kosovës dhe Shqipërisë”.
Ka reagur edhe LSDM-ja opozitare. Ata fajësojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministrin Pançe Toshkovski, se qëllimisht e liruan Ramadanin.
LSDM
“A ka provë më të madhe se ai është liruar qëllimisht nga MPB-ja dhe Toshkovski, se vetëm një ditë pas arratisjes është rehat në shtëpi dhe nga Kosova ende po vijnë mesazhe të qarta se ai është atje? Kë po përpiqen të mashtrojnë institucionet se ky nuk është një skenar i plotë i realizuar nga Ministria e Brendshme? Kush do të përgjigjet për arratisjen e një personi të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar?”.
Ndërkaq, pushteti fajin e hedhë tek gjykatësit. Nga VMRO-DPMNE thonë se ish ushtari i UÇK-së është arratisur nga gjyqtarët që, siç thonë ata, me vite të tëra i shërbejnë dhe mbrojnë krimin e LSDM-së dhe BDI-së. Partia në pushtet pyet se pse Këshilli Gjyqësor nuk ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarëve për ndryshimin e masave të sigurisë për Ramadanin – organ për të cilin qeveria insiston që të shpërndahet.
VMRO-DPMNE
“Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që persona të tillë lirohen. Në vitin 2019 u lirua edhe kosovari Tomor Morina, i cili në Kosovë u mirëprit me muzikë, nga të njëjtët gjyqtarë dhe ekipi që kontrollohet nga LSDM-ja dhe BDI-ja. LSDM dhe BDI janë kancer dhe burim i krimit në këtë shoqëri dhe përgjegjësi do të ketë për të gjithë ata që pengojnë drejtësinë”.
Për këtë rastë ka folur edhe zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili është edhe njëri ndër krerët e VLEN-it. Ai e akuzonë opozitën se kanë kundërshtuar vendimin që të lirohet ish-ushtari Ramadani, duke shtuar se “kanë gënjyer kur kanë thënë se është rasti i parë që një ish-ushtar i UÇK-së arrestohet në RMV”.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR
“Edhe unë edhe ju e dini që Prokurorinë e Krimit të Organizuar kush e udhëheq dhe cili është problemi. Diçka tjetër bëjnë, diçka tjetër thonë. Kanë qenë në kundërshtim për ta ndihmuar ish-ushtarin e UÇK-së. U munduan me lajme të rrejshme të thonë se është rasti i parë i arrestimit të ish-ushtarëve, ndërsa të njëjtit mbrëmë u lavdëruan për rastin Dugolli se si në kohën e tyre është liruar që edhe kjo nuk është e vërtet, është rrena e dytë për shkak se Dugolli është liruar kur është sjell vendimi i Gjykatës Supreme”.
Ndërkaq, Këshilli Gjyqësor sot në një mbledhje urgjente ka vendosur që të formohet një Komision që do të përcaktojë se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe si dhe pse gjykatësit kanë marrë vendime të tilla. Komisioni është i përbërë nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, Hanif Zendeli dhe Pavlina Cërvenkovski.