Pavarësisht armëpushimit të Pashkëve të shpallur nga Moska presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në platformën X se mëgjesin e së dielës ka pasur bombardime dhe luftime të vazhdueshme nga pala ruse.

Forcat e armatosura të Ukrainës raportuan për 59 goditje me granata nga pala ruse si dhe për pesë tentativa për sulme përgjatë vijës së frontit. Po ashtu njoftohet se Rusia po përdor përsëri dronë.

Zelensky tha se fjalëve të Moskës nuk mund t’u besohet.

“Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi të përgatitur për çdo gjë. Çdo goditjeje ruse do t’i përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme. Në disa zona situata është qetësuar”, tha ai.

Presidenti ukrainas deklaroi njëkohësisht se Ukraina nga e saj është e gatshme të respektojë armëpushimin.

“Nëse Rusia është tani papritur e gatshme të angazhohet vërtet për një heshtje të plotë dhe të pakushtëzuar (të armëve), Ukraina do të veprojë në përputhje me rrethanat,” shkroi Zelensky në X.

Ai propozoi gjithashtu zgjatjen e armëpushimit përtej së dielës së Pashkëve.

“30 ditë do t’i jepnin paqes një shans. Për miliona ukrainas, Pashka është një nga festat më të rëndësishme. Dhe miliona ukrainas do të shkojnë në kishë,” shtoi ai.

Rusia akuzon Ukrainën për shkeljen e armëpushimit

Nga ana tjetër Rusia i akuzoi forcat e armatosura ukrainase se kanë shkelur armëpushimin dhe kanv vazhduar sulmet, ndër të tjera në rajonin Donetskut. Gjatë natës së të dielës kishte dhjetëra sulme me dron nga pala ukrainase, po sulmet u zmbrapsën, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.

“Si rezultat ka të vdekur dhe të lënduar në radhët e popullatës civile dhe dëmtime të ndërtesave civile,” thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Informacioni i dhënë nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur./DW