U dëbua nga mjeshtri, bëhet nga të paktat femra lëkurëpunuese në Türkiye
Akbay, e cila prej rreth tetë vitesh vepron në fushën e lëkurëbërjes dhe në bazë të porosive që merr, dizajnon produkte si çanta, kuleta dhe rripa, dërgon porosi në provinca të ndryshme të vendit dhe jashtë tij
Istanbul
Vildan Akbay, e cila e ka kthyer mjeshtërinë e përpunimit të lëkurës në art, është një nga të paktat zejtare të lëkurës gra në Türkiye, profesion të cilin ajo e filloi kur një mjeshtër i lëkurës tek i cili ajo kishte trokitur për t’i bërë një çantë e kishte dëbuar jashtë.
Lëkurëbërja, e cila është një nga artizanatet më të vjetra në historinë e njerëzimit dhe është konsideruar si zanat dhe art gjatë historisë, njihet si një fushë e preferuar kryesisht nga mjeshtrit meshkuj, pasi kërkon punë të rënda fizike gjatë përpunimit.
Ndërsa mjeshtrit meshkuj janë në ballë të përpunimit të lëkurës, regjjes dhe proceseve të rënda të prodhimit, mjeshtret femra në përgjithësi janë të interesuara për aspektet estetike dhe të dizajnit të lëkurës, të cilat kërkojnë mjeshtëri më delikate.
Ndërkohë që prezenca e grave si në aspektin e dizajnit ashtu edhe në atë teknik të përpunimit të lëkurës është rritur vitet e fundit, ky artizanat mbahet gjallë me metoda tradicionale, si dhe me teknika moderne. Modelet origjinale të frymëzuara nga trashëgimia e pasur e kulturave të ndryshme janë krijuar nga mjeshtër të lëkurës.
Vildan Akbay, e cila përpunon lëkurën hap pas hapi në punëtorinë e saj në Hanin historik Kuveloğlu në Eminönü të Istanbulit, është krenare që është një nga mjeshtret e pakta femra të lëkurës në Türkiye.
Akbay, e cila prej rreth tetë vitesh vepron në fushën e lëkurëbërjes dhe në bazë të porosive që merr, dizajnon produkte si çanta, kuleta dhe rripa, dërgon porosi në provinca të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.
– “Historia ime filloi me mjeshtrin që më përzuri. Mirë që më ka përzënë!”
https://www.aa.com.tr/sq/jeta/u-d%C3%ABbua-nga-mjeshtri-b%C3%ABhet-nga-t%C3%AB-paktat-femra-l%C3%ABkur%C3%ABpunuese-n%C3%AB-turkiye/3440251
Vildan Akbay në një bashkëbisedim me Anadolun tha se mjeshtri tek i cili shkoi për t’i bërë një çantë instrumentit “nej”, në kohën kur po luante me këtë instrument, e dëboi dhe nuk donte ta bënte çantën.
“Kisha aq shumë nevojë për atë çantë, kështu që vendosa ta bëja vetë. Historia ime me lëkurëbërjen filloi me bërjen e çantës për instrumentin. Kur muzikantët e tjerë të nejit panë çantën time, ata filluan të kërkojnë që t’ua bëja të njëjtën dhe kështu u bëra lëkurëpunuese. Pra, historia ime filloi me mjeshtrin që më përzuri. Mirë që më ka përzënë!”, shprehet ajo.
Duke u shprehur se dizajnet e saj i bën sipas kërkesave personale dhe se nuk prodhon për firma, Akbay shpjegoi se nuk heq dorë nga detajet primitive në dizajnet e saj moderne.
Ajo tha se ka bërë shumë dizajne me dashuri dhe emocion, nga çantat e tespiheve deri te ato të instrumenteve, nga çantat e përditshme të femrave deri te këllëfët e kompjuterëve.
Ajo tërhoqi vëmendjen për fuqinë e grave që punojnë dhe prodhojnë në fushën e lëkurës.
“Si gra, ne jemi pakicë kur bëhet fjalë për lëkurën. Lëkura është një gjë e vështirë, por shumë e këndshme. Ne në fakt, dallojmë këtu sepse gratë kanë një këndvështrim tjetër për sa i përket estetikës. Sigurisht që ka mjeshtër lëkure shumë të mirë, por avancojnë me një mendësi tjetër. Femra e sheh ndryshe, mashkulli ndryshe. Prandaj, në fazën e dizajnimit, femra ndjek një rrugë pak më ndryshe”, tha ajo.
Akbay vuri në dukje se ka më pak mjeshtër që punojnë në fushën e lëkurës këto ditë dhe se kanë vështirësi në gjetjen e praktikantëve.
– “Njeriu ekziston ashtu siç prodhon”
Më tej, ajo tregon se ka rënë në dashuri me punëtorinë e saj në Hanin Kuveloğlu, vend në të cilin ajo e filloi karrierën dhe e frymëzon.
“Të gjithë duhet të bëjnë diçka, të prodhojnë. Njeriu ekziston ashtu siç prodhon. Ne prodhojmë, konsumojmë, dhe është ekuilibri. Problemi fillon kur konsumoni pa prodhuar. Edhe nëse shes limon, mund ta shes me shumë kënaqësi dhe bukuri”, thotë Akbay.
Akbay deklaroi se kur ka filluar të punojë lëkurën ka qenë e vetme, nuk ka pasur njeri pas saj, dhe se ka nisur të prodhojë vetëm për të qenë aktive. Ajo shton se çdo punë duhet bërë me dashuri.
Duke tërhequr vëmendjen për vështirësinë e përpunimit të lëkurës, Akbay thotë:
“Burrat e shikojnë më matematikisht, më logjikisht dhe sigurisht që puna del perfekte. Meqenëse ne femrat jemi më emocionale dhe e shikojmë nga një këndvështrim tjetër, rezulton të jetë një situatë krejtësisht tjetër. Ndoshta nuk mund ta bëjmë po aq perfekte sa ata, me fjalë të tjera, është e vështirë të punosh lëkurën, aty kërkohet forca e mashkullit, por mbase në pjesën ku prodhimit i jepet ndjesia, puna e gruas është ndryshe. Këtë e vëzhgoj tek vetja dhe artiste të tjera femra. Domethënë, e kuptoj nëse (produkti) është bërë nga një grua”.