Trajneri Sylvinho publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) thuhet se trajneri Sylvinho ka publikuar sot listën me 24 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit shtator.
Sipas FSHF-së, përsa i përket portës janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni. Në mbrojtje rikthehet futbollisti Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.
Trajneri i kuqezinjve ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiun dhe sulmuesin Agim Zeka. Të dy futbollistët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21.
Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi.
Më 7 shtator Shqipëria do të luajë në Çeki ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe më 10 shtator do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.