Connect with us

Press24.info

Të kompleksuar e inferiorë, gjer n’palcë!

Opinion

Të kompleksuar e inferiorë, gjer n’palcë!

Të kompleksuar e inferiorë, gjer n’palcë!

Në diskursin e shqiptarëve që vuajnë kompleksin e inferioritetit identitar, periudha e artë dhe e ndritur e kombit tonë ka qenë ajo e mesjetës. Saktësisht, ajo qe i paraprinte depërtimit të Islamit në trojet tona dhe përqafimit të tij më vonë nga pjesa dërmuese e shqiptarëve.

 

S’mund të perceptojmë ndryshe, vetëm se anakronike dhe skajshmërish absurde, që shqiptarët si banorë autoktonë të viseve ballkanike, të mbesin ndër popujt e paktë evropianë, nëse jo të vetmit që kërkojnë krenarinë e tyre në mesjetë, e cilësuar nga mendjendriturit si epoka e errët e historisë së kontinentit të vjetër.

 

Ky kompleks i inferioritetit, shihet ndryshe nga studiuesit e fushës, edhe si një vetëvlerësim jashtëzakonisht i ulët, i cili nuk bazohet në të vërtetën ose në një shkak të arsyeshëm, si i tillë ai kurrë nuk është i mirë – andaj as nuk është kurrë normal. Kështu, edhe Arash J.- psikiatër me famë botërore, duke e analizuar këtë kompleks, thoshte se gjithmonë do ta shihja atë si patologjik.

Për ta bërë një shqiptar të ndihet inferior me identitetin mbi gjashtë shekullor, pjesë e të cilit është edhe Islami, duhet disenjuar një fushatë e fuqishme e cila do të duhej shtrirë gjatë në kohë. Vetëm pastaj një pjesë e bijve të këtij kombi do ta ndiejnë veten keq e të kompleksuar, pse para më shumë se gjashtë shekujsh e paskan pranuar këtë fe, dhe pse vazhdojnë ende ta mbajnë në gjirin e vet atë. A thua, për një periudhë mbi gjashtëqind vjeçare nuk patën shqiptarët zemër, guxim e mendje aq sa për ta kuptuar se dikur paskan gabuar dhe me urgjencë, gabimin e tyre duhej korrigjuar. Më shumë se kaq, s’di njeriu se si mund të fyejë popullin e vet!

Në një analogji me shkrimet e punimet e botuara në epokën e regjimit socialisto-komunist në Shqipëri, vërejmë se ideologët e kësaj fryme pretendonin që “realiteti socialist shqiptar vërteton se vetëm pa fenë dhe me çrrënjosjen e ideologjisë së saj sigurohet e realizohet liria e vërtetë dhe emancipimi i ndërgjegjes njerëzore…. (E. Çelo, 1988). Ndërsa sot me të drejtë mund të pyesim, se a thua mos vetëm fjalën “fe” në fjalinë paraprake të ideologëve komunistë, e kanë zëvendësuar me fjalën “Islam” ideologët e lëvizjeve që në thërrasin paturpësisht për braktisjen e Islamit.

 

Epo, ta ndiesh vetën konfuz me identitetin tënd, e të mos rehatohesh me të për decenie e ndoshta shekuj me radhë, nuk është shqetësim i vogël e as plagë e lehtë, por që pikënisja e shërimit të saj është rileximi i historisë sonë në formë objektive dhe studimi thellësisht i gjenit tonë identitar, por sa më larg stereotipave të gatuara e të trashëguara.

Secili vrojtues, nuk e ka fare të vështirë sot të vërejë se përbaltja e Islamit, fyerja e pasuesve të tij, talljet cinike, tashmë janë bërë “kredo” që me to mund të sigurosh një ulëse të përhershme” në tryezat e debatit në studiot tona televizive. Befasisht, edhe fyerja e identitetit të shumicës së popullit servohet me etiketën e diversitetit dhe pasurimit të debatit si frymë e shëndoshë demokratike. Megjithatë, shpalosja e fakteve, analizimi i tyre e vënia e tyre në peshojën e të vërtetave historike përbën vlerë, por fyerja dhe ofendimi nga asnjëra palë, kurrë dhe jo.

Të rënduar nga urrejtja patologjike ndaj fesë së shumicës së bashkëkombësve të vet, një grup njerëzish nga lëkura e trupi i kombit tonë, dëshirojnë ta lansojnë atë që Fukoja – Michel Foucault e quante “regjim i së vërtetës, që nënkuptonte seleksionimin e një morie të të dhënave, gjysmëfaktesh edhe rrëfimeve që janë të janë të parastampuara si “të vërteta”, me tendencë për të mitizuar idenë që në thelb ka për bazë inferioritetin dhe fobinë ndaj Islamit.

Andaj në pyetjen e natyrshme se kë e bezdis më shumë feja e shumicës së popullit shqiptar?, duhet të themi se i bezdis të gjithë ata që s’patën kurrë durimin për të studiuar më thellë faktet historike dhe arsyet e vërteta të pranimit të Islamit dhe të qëndrimit të palëkundur të këtij populli në të..

 

 

Prof. Driton Arifi

Editoriali
Dituria Islame 407

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top