Si mund të sillemi me njeriun kokëfortë?
Një grua erdhi për t’u konsultuar me mua për shkak se vajza e saj ishte kokëfortë. Sille vajzën tek unë që të di më shumë rreth saj – i thashë. Ajo u habit nga kjo kërkesë, megjithëkëtë ajo e solli vajzën tek unë. Pasi e mora vesh se ajo ishte shtatë vjeç, e pyeta: Bija ime! Çfarë do të thotë kokëfortësi. Ajo heshti dhe unë e pyeta për së dyti. Ajo më pa dhe tregoi me gisht për nga e jëma, ç’ka dëshironte të thoshte se nëse dëshiron të dish kuptimin e fjalës kokëfortësi ajo mishërohet në sjelljet e nënës së saj. E jëma u habit se si është e mundur që vajza e saj e akuzoi atë si kokëfortë.
Unë i thashë të jëmës: Dije se asnjë fëmijë nuk është kokëfortë, por jemi ne prindërit që ngulisim tek fëmijët tanë ndjenjën e kokëfortësisë. Fëmija është pasqyrë e prindërve të tij, sjelljen e prindërve e skicon në mendjen e tij dhe e imiton tërësisht. Kokëfortësi do të thotë me ngul këmbë në një mendim pa lëshuar pe. Ajo është një cilësi që përftohet qysh kur fëmija mbush dy vjeç deri në momentin kur krijon personalitetin e tij. Nëse ne i japim fëmijës kokëfortë atë që kërkon, atëherë ne e kemi ndihmuar atë dhe tek ai formohet ky karakter. Mirëpo nëse arrijmë ta kapim situatën në dorë duke e këshilluar fëmijën dhe duke i mësuar kulturën e dialogut, e elasticitetit dhe përqafimit të së Vërtetës, atëherë ne do të rrisim një fëmijë jo kokëfortë. Kokëfortësia për të cilën po flasim është ajo që ka lidhje me fëmijët dhe jo me të rriturit sepse ajo është krejt ndryshe.
Njëherë një grua më pyeti se si duhet të sillet ndaj burrit të saj që është kokëfortë. Unë i thashë: Kokëfortësia është dy llojesh: lloji i parë është kokëfortësia momentale që zakonisht është e përkohshme dhe shfaqet si një kundrapërgjigje e një sjellje të caktuar nga ana e gruas, sepse në parim, bashkëshorti nuk është kokëfortë. Kurse lloji i dytë është kokëfortësi natyrale që është rrënjosur tek ai qysh në vegjëli. Kurimi i këtij lloji është shumë i vështirë, merr shumë kohë dhe kërkon prej nesh që të durojmë shumë, ndryshe nga lloji i parë, kurimi i të cilës është shumë i thjeshtë; mjafton që ne të kërkojmë ndjesë ose të ndryshojmë situatën e krijuar.
Kurimi i inatit natyral është të lodh shumë dhe ka nevojë për një frymëmarrje të madhe, si për shembull ai kurohet nëpërmjet dialogut, duke i treguar njeriut kokëfortë pozicionimim e tij të gabuar, duke u treguar i butë me të, duke përdorur politikën e konsultës brenda individëve të familjes në vendimarrjet e ndryshme ose të sillemi ndaj tij me zgjuarsi dhe qetësi. Prandaj ne nuk duhet ta kundërshtojmë atë qysh në fillim veçse pasi kaluar një kohë e gjatë apo të ketë kaluar furtuna e kokëfortësisë.
Pastaj i thashë gruas që më pyeti: Jo të gjitha kokëfortësitë janë të këqija, sepse me kokëfortësi ne kuptojmë që njeriu ngul këmbë në mendimin e tij. Në disa raste, këmbëngulja në një mendim të caktuar është i saktë dhe si rrjedhojë në këtë rast kemi të bëjmë me kokëfortësi pozitive. Si shembull ne mund të marrim rastin e këmbënguljes së Ebu Bekrit (r.a) në lidhje me luftën që ndërmorri kundra renegatëve. Ai e kundërshtoi mendimin e të gjithë sahabëve duke ngulur këmbë në të tijën dhe qëndrimi që mbajti ishte shumë i saktë. Po ashtu kur njeriu është kokëfortë ndaj nefsit që e urdhëron për keq është kokëfortësi pozitive. Kur nefsi e urdhëron njeriun që të bëjë një të keqe, ai nuk i përgjigjet, apo kur nefsi e nxit njeriun që të rrijë rehat e mos ta falë namazin, njeriu nuk duhet t’i përgjigjet dhe duhet të tregohet kokëfortë për mos t’iu bindur nefsit. Këtë lloj kokëfortësie ne e nxisim dhe e promovojmë.
Madje ne mund t’i nxisim fëmijët tanë që të jenë kokëfortë në aspektin pozitiv, si për shembull kur shikojmë këmbënguljen e tij të gjatë kur dëshiron të rregullojë lodrën që i është prishur. Në këtë rast, ne duhet ta motivojmë këmbënguljen e tij për shkak të synimit të mirë që ka. Por kur njeriu këmbëngul tek mendimi i tij, i cili bie në kundërshtim me logjikën e shëndoshë, themi me bindje të plotë se kjo lloj kokëfortësie është e shëmtuar dhe konsiderohet sëmundje.
Mbaj mend se njëherë një burrë më tha: Prej shumë kohësh ai vuante kokëfortësinë e gruas së tij dhe si rrjedhojë e kësaj ishte lodhur. I thashë: Do të tregoj për tre rregulla të rëndësishme: Rregulli i parë: Të jesh i sigurtë në vetvete dhe në aftësitë e tua se kokëfortësia e saj nuk do të ndikojë tek ti. Rregulli i dytë: të bësh dallimin midis vetes tënde dhe mendimeve të tua aq sa mos të marrësh një qëndrim të gabuar ndaj saj dhe dashuria që ke për të të kthehet në urrejtje. Rregulli i tretë: Gjatë kurimit të këtij problemi, lutju Allahut vazhdimisht.
Para një dite një djalosh më pyeti: Si ta di që e fejuara është kokëforte apo jo?! Unë i thashë: Drejtoji asaj gjashtë pyetje: Pyetja e parë: A e shpërfill mendimin tjetër? Pyetja e dytë: A i refuzon informacionet e sakta? Pyetja e tretë: A i pëlqen vetja? Pyetja e katërt: Atë që i kërkohet a e zbaton ngadalë? Pyetja e pestë: A i qorton të tjerët kur nuk e dëgjojnë fjalën e saj? Pyetja e gjashtë: A vepron të kundërtën e asaj që të është kërkuar për të bërë?
Gjithësesi, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ne nuk mund ta ndryshojmë 100% kokëfortësinë natyrale. Nëse ne arrijmë të ndryshojmë qoftë edhe një përqindje të vogël, kjo për ne konsiderohet sukses. Sakaq detyrë e jona është që ta shtojmë këtë dozë (përqindje) të ndryshimit me kalimin e kohës. Dhe së fundmi, ne vazhdimisht i akuzojmë të tjerët se janë kokëfortë, por a nuk na shkuar ndonjëherë ndërmend se tjetri mund të ketë të drejtë?!
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi