Connect with us

Press24.info

Sabaudin Jashari: Pragmatizëm, Kryeministri Rama – “Shteti Bektashian Vatikanian” apo let me guess…

Opinion

Sabaudin Jashari: Pragmatizëm, Kryeministri Rama – “Shteti Bektashian Vatikanian” apo let me guess…

Sabaudin Jashari: Pragmatizëm, Kryeministri Rama – “Shteti Bektashian Vatikanian” apo let me guess…

“Shteti Islamik Bektashian” në OKB pamëdyshje do ishte trajtuar si “shaka” e rradhës, e kryeministrit Rama, idea e “Shtetit Vatikanian Bektashian” nëse rrethanat vendore dhe kohore, ku dhe kur u tha kjo ide nuk do të na ftonin për të menduar ndryshe. Do ishte marrë si shaka sepse jo rrallëherë, kohët e fundit, kryeministri Rama ndez me gaz dhe hare edhe eventet e veçanta e të rëndësishme ndërkombëtare, madje vë në lojë edhe liderë me peshë të rëndë rajonale dhe botërore, gjë që në momente të caktuara të bën të thuash: “Mirë ua bën. Të tallemi edhe ne njëherë me këta se boll janë tallur këta me ne”. Mirëpo deklarimi i idesë së “Shtetit Vatikanian Bektashian” në selinë e Kombeve të Bashkuara” dhe paraprirja e kësaj deklarate me prezantimin e saj në New Yourk Times të fton për të mos e trajtuar thjesht si shaka. Në përgjithësi përpjekja për të bërë një analizë të saktë të kësaj situate përballet me sfidën e vështirë të njohjes së hollësishme të detajeve të pikënisjes së vërtetë të kësaj deklarate apo të njohjes së prapaskenave të saj. Mirëpo përderisa gjëja është bërë deklarative dhe e shpjeguar edhe e arsyetuar, kjo na jep të drejtën të analizojmë dhe të konkludojmë në bazë të informacionit që na prezantohet.

Pragmatizëm Rama – Baba Mondi

Objekti i madh i kësaj deklarate të madhe të prezantuar haptazi në një institucion aq të madh të fton apo detyron të mendosh se ka të bëjë me një gjë shumë të madhe apo synon të realizojë një qëllim shumë të madh apo interesa shumë të mëdha…. Vallë ç’të jenë këto interesa kaq të mëdha?! A ia vlejnë këto interesa “kaq të mëdha” kur merr në konsideratë pasojat shumë më të mëdha që shkakton kjo nismë dhe të cilat do të përmenden më poshtë…?! Apo me të vërtetë interesi është kaq i madh saqë ia vlen të prevalojë mbi çdo dëm tjetër që renditet poshtë tij? Pra kemi të bëjmë me një proçes të vështirë të balancimit të dëmeve dhe interesave derisa kryeministri Rama, pse jo dhe tjetërkush, të ketë arritur në konkluzionin se nuk kemi zgjidhje tjetër…?!

Rreziku i madh që u kanoset komunitetit Bektashian

I pari i cënuar nga këto lloj sjelljesh dhe politikash është vetë komuniteti Bektashi. Cënohet në disa forma; forma e parë, mendoj se ka të bëjë me fenomenin e “kërpurdha në trungun e lisit”. Në momentin që kërpurdha i ka rrënjët në trungun e lisit, ajo duket e bukur, me pika, shumëngjyrëshe, e hijshme, tërheqëse. Shkurtimisht mund të themi që zhvillohet vazhdimisht sepse rrënjët i ka në një trup të gjallë. Në momentin që kjo kërpurdhë shkëputet nga trungu i lisit, menjëherë fillon dhe vyshket, dhe humbet shkëlqimin e saj, sepse i janë këputur rrënjët, është shkëputur nga origjina. Kështu është dhe çështja e komunitetit bektashi në momentin që do të deklarojë që është fe më vete. Për më tepër nëse do të shkojë drejt themelimit të ‘Shtetit Bektashian’ që i jep akoma edhe më tepër mëvetësi dhe shkëputje nga trungu i madh, historik, nga i cili ka marrë jetë deri tani komuniteti bektashian, që është Komuniteti Musliman. Problemi kryesor në lidhje me Bektashinjtë është se në momentin që deklarohen fe mëvete, dhe shtet mëvete bektashian, gjë që do ta shtyjë akoma dhe më tepër të theksojë pavarësinë, ka për ta çuar akoma edhe më tepër drejt shkëputjes nga burimet hyjnore, Kurani dhe Sunneti, dhe do të vazhdojë akoma edhe më tepër të shtojë elementë mëvetësues që nxjerrin akoma edhe më tepër në pah entitetin bektashian si fe më vete, dhe kështu do të shkëputet dhe do të largohet përfundimisht nga burimet, dhe sakaq kjo do të çojë në tharje të trupit të vogël të kërpurdhës Bektashiane. Shtojmë dhe faktin se marrëdhënia e bektashianëve në përgjithësi si komunitet, dhe veçanërisht e dervishëve dhe shehlerëve të tyre është shumë e dobët me Kuranin dhe Sunnetin si burim fetar të tyre, shto këtu dhe devijancat e rënda konceptuale dhe fetare nga e cila karakterizohet praktika fetare bektashiane, kjo thekson akoma edhe më tepër rrezikun që i kanoset Bektashizmit për t’u tretur dhe asimiluar. Shtojmë gjithashtu edhe faktin se, ajo që e mban një fe në këmbë është aftësia e saj për t’u zgjeruar. Mirëpo ajo që i jep Islamit aftësinë për t’u zgjeruar është fakti se është fe burimore, hyjnore, dhe që distancën e ka shumë të shkurtër me Kuranin dhe Sunnetin. Sakaq kjo e vërtetë nga e cila buron kjo fe, i jep forcë dhe dinamikë të vetëvetishme për t’u zgjeruar. Pra zgjerimin dhe ftesën, Islami e ka pjesë të fesë dhe të besimit, gjë që nuk i karakterizon bektashitë, sepse praktika bektashiane në vetvete fton për izolim, tërheqje, asketizëm. Dhe nëse do t’ia shtojmë këtë të fundit, shkëputjen domosdoshmërisht nga Kurani dhe Sunneti, për arsye se do të deklarohej si fe më vete, dhe elementin shtet më vete, kjo do të përshpejtonte akoma edhe më tepër vdekjen përfundimtare dhe asimilimin pëfundimtar të komunitetit bektashian.
Gjithashtu, shumë të rinj bektashianë, me përkatësi Islame Bektashiane, sa vjen e shtohet numri i atyre që i bashkohen praktikës Islame burimore, pra të rinj që agjërojnë, që falin të Xhumanë, praktikojnë namazin, pra që bëhen pjesë e praktikave të drejtpërdrejta Islame, gjë e cila çon akoma edhe më tepër në tharjen e burimeve bektashiane.

Rrezik përçarje

Këtu del në pah një rrezik shumë i madh, që është rreziku i përçarjes, si pasojë e kalimit të bektashianëve në ekspansion për të kultivuar urrejtjen ndaj muslimanëve sunitë në Shqipëri, thjesht për të ruajtur entitetin e tyre apo për të ruajtur ata pasues që i mbeten. Pra, nga paaftësia për të ruajtur entitetin e tyre në mënyrë të drejtë dhe të saktë, zgjidhet, mos e dhëntë Zoti, një rrugë tjetër për të ruajtur paprekshmërinë e entitetit të tyre dhe pasuesve të tyre, që është, duke bërë të urryer praktikën Islame Sunnite në Shqipëri. Ky detaj sot për sot ngelet, mbase, supoziv, por gjithsesi ka tregues jo të pakët për një gjë të tillë. Dhe kjo në vetvete vjen si rezultat i natyrshëm i të parës, pra i shkëputjes së Bektashive si fe më vete. Njëkohësisht duke i munguar, komunitetit bektashian edhe aftësia për t’u zgjeruar, ose aftësia për të qëndruar në jetë, natyrshëm kjo ka gjasë ta bëjë komunitetin bektashian të kalojë në një ekspansion të karakterit urrejtje-mbjellëse.
Instrumentalizimi politik ekstrem…
Çështja tjetër që rrezikon komunitetin Bektashian nëse e shpall veten e vet si fe, për më tepër si shtet, është se kalçifikimi politik do të marrë përmasa të jashtëzakonshme, dhe vetë, mos e dhëntë Zoti, komuniteti Bektashian me institucionet e veta përfaqësuese do të bëhet thjeshtë një vegël, dhe asgjë më tepër sesa një vegël e mirëfilltë politike. Dhe njëkohësisht, parë nga këndvështrimi financiar, një vegël financiare fiskale, edhe pse nuk dua të zgjatem shumë në këtë pikë sepse dua t’ua lë ekspertëve të fushës.

Fenomeni “Hasan Sabbah” dhe hashashinët…

Në këtë kuadër dua të shkoj pak më larg. Kam edhe një frikë, edhe pse është shumë supozive dhe e largët. Ka të bëjë me rrezikun e shndërimit të bektashive në Shqipëri në një sekt “hashashinian” ose rikthimi edhe njëherë i sektit të Hasan Sabbahit, që pasohej nga hashashinët, të cilët më vonë u quajtën asasinë, dhe u përdorën për të goditur çdo përpjekje rimëkëmbëse të Islamit në botë, veçanërisht të atyre ftesave ku Islami kërkonte rol mbarë shoqëror. Jo në pak raste u përdor sekti i Hasan Sabbahit me asasinët e tyre për të eleminuar drejtuesit islamë të organizimeve të ndryshme, dhe veçanërisht ata që kërkonin që komunitetin e muslimanëve apo Ummetin Islam ta ngrinin në nivele të tjera roli dhe misioni. Edhe pse duket larg, parashikimi të çon deri atje sepse derivatet janë të efektit domino.

Mundësi e instrumentalizimit të jashtëm

Organizimi i Komuniteti Bektashian si shtet më vete, mendoj se krijon një hapësirë tjetër realisht të rrezikshme, e cila është mundësia ose hapësira që sekti Bektashian të përdoret për ndërhyrje të jashtme. Le të ndalemi pak tek natyra përbërëse e popullit shqiptar: muslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashi, dhe nëndarjet e tjera, veri-jug, Shqipëri e mesme, terma që janë theksuar fort. Kjo në Shqipërinë politike ka mundësuar jo rrallë herë edhe ndërhyrje të karakterit politik të jashtëm që i kanë shkaktuar jo pak kokëçarje Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Mendoj se krijimi i shtetit bektashian në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë do të krijojë një hapësirë të re për ndërhyrje të reja dhe për krijim kokëçarjesh të reja. Dobësimi i komunitetit mysliman çon në dobësimin e popullit dhe të shtetit mbarë shqiptar duke qenë se komuniteti musliman, pra muslimanët shqiptarë janë shtylla kurrizore, madje edhe palca kurrizore dinamike e shqiptarëve dhe e shqiptarisë. Dobësimi i kësaj shtylle kurrizore natyrshëm çon në dobësimin e të gjithë popullit shqiptar dhe e shqiptarisë në vetvete, edhe si koncept. Pra shqiptaria si koncept, me dobësimin e muslimanëve, duke qenë shtylla kurrizore e popullit shqiptar në vetvete dobësohet dhe çon drejt zvenitjes.

Historia ka treguar, dhe aktualiteti tregon njëkohësisht se luajaliteti i muslimanëve ndaj popullit shqiptar dhe shqiptarisë, dhe shtetit shqiptar, buron nga feja e tyre, nga besimi i tyre. Dhe besimi i tyre dhe feja e tyre është burimore, Kuranore dhe profetike. Sakaq kjo i jep këtij loajaliteti përjetësi, i jep forcë, fuqi, dhe vazhdimësi. Por njëkohësisht e bën të padiskutueshëm, pra diçka që nuk vihet në kompromis, që nuk mund të vihet në balancë me diçka tjetër. Mjafton fakti që xhihadi në Islam, që është kulmi i Islamit, është obliguar nga Allahu i Madhërueshëm për të dhënë jetën, pasurinë dhe gjithçka ka në pronësi njeriu, në shërbim të mbrojtjes së vatanit, atdheut, lirisë, të shenjtërive të ndryshme. Dhe këtë duhet ta bëjë muslimani, i urdhëruar nga Kurani dhe Sunneti, edhe për komunitetin e tij musliman por edhe për bashkëkombasit e tij kushdo të jenë ata përderisa jetojnë në të njejtën tokë, në të njëjtin dhe, nën të njëjtin entitet shtetëror.

Mirëpo siç thashë mësipër, dobësimi i kësaj shtylle kurrizore çon natyrshëm në dobësimin e shqiptarisë si koncept por edhe të shtetit shqiptar si entitet politik dhe jo vetëm nga brenda por edhe nga jashtë. Pra populli shqiptar dhe shqiptaria e humb rrezatimin e saj në nivel ndërkombëtar. Duke mos harruar dhe faktin se ata që themeluan shtetin shqiptar dhe ngritën pushkët dhe dhanë jetën në mbrojtje të këtij vendi, pra kryesorët që ishin në mbrojtje të këtij entiteti të themeluar ishin muslimanët. Prandaj edhe njëherë theksoj se dobësimi i kësaj shtylle kurrizore, çon në dobësimin e gjithë trupit të shqiptarisë, gjë që bën akoma dhe më të guximshëm ndaj nesh si popull, fqinjët tanë “shumë dashamirës ndaj nesh” që mezi presin t’u jepet mundësia të dobësohemi edhe më tepër e të përçahemi më tepër.

Pasojat e idesë “Shteti Vatikanian Bektashian” ndaj Kryeministrit Rama si lider politik

Mendoj se një nga personat politik të dëmtuar nga kjo ide, dhe mos thashtë Zoti të kthehet në një lëvizje reale, është vetë kryeministri Rama, i cili vitet e fundit jo në pak raste ka integruar, mendoj, suksesshëm, të paktën në nivel ligjërimor, çështjen kombëtare dhe çështjen shqiptare në nivel ndërkombëtar. Këtë mbase nuk e ka bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por mendoj se e ka arritur deri diku nëpërmjet ligjërimeve të ndryshme, në komunikim me shtete dhe me figura politike të rëndësishme. Këtu theksoj veçanërisht në disa raste komunikimin që ka bërë me drejtues politikë fqinjë por edhe në nivel europian dhe ndërkombëtar, gjë e cila ka bërë që zëri shqiptar të ndihet jo pak në rang ndërkombëtar dhe rajonal, pra sipas modelit: “jeni ju por jemi dhe ne, ju keni zërin tuaj, por edhe ne kemi zërin tonë”. Dhe personalisht kjo ka bërë që të ndihem mirë, edhe pse ky lloj ligjërimi në momente të caktuara ka qenë i karakterizuar nga nuanca sarkazme të dukshme. Por mendoj se kjo lëvizje, ose kjo ide e fundit, “Shteti Vatikanian Bektashian” mos e dhëntë Zoti të kthehet në lëvizje, e vë në diskutim shumë kryeministrin Rama si lider politik kombëtar shqiptar, sepse dashje padashje e vë në një kuadrat tjetër zotin Rama. E vë në kuadratin e personit politik ose liderit politik joserioz dhe njëkohësisht që vë në diskutim interesa madhore kombëtare pse jo edhe komunitare Islame në rastin konkret të muslimanëve, pa marrë në konsideratë asnjë pasojë, dhe duke mohuar totalisht respektin ndaj tyre.

Mirëpo ky guxim i madh për të vënë në diskutim interesa kaq të mëdha edhe fetare shqiptare por edhe kombëtare, hedh hije shumë të mëdha dyshimi mbi kryeminstrin Rama si lider politik edhe të ardhshëm, gjë që njëkohësisht dëmton rëndë besimin që mund të ketë gëzuar apo mund të gëzojë zoti kryeministër tek një pjesë e muslimanëve praktikantë pse jo edhe jo praktikantë. Për të qenë realist tek një pjesë jo e vogël e muslimanëve praktikant mënyra se si ka funksionuar Rama deri në këto ditë të fundit në lidhje me çështjen Islame në Shqipëri, duke përfshirë nëpër insitucione vajza të mbuluara, gra me integritet Islam, duke i bërë pjesë në kryeministri dhe ministri të ndryshme, duke mos nxjerrë asnjë lloj pengese në aktivizimin e muslimaneve në institucione arsimore të të gjitha niveleve, po ashtu dhe në administratë, gjë që normalisht e garanton e drejta dhe kushtetuta, kjo ka ndikuar jo pak, për mirë, në këndvështrimin e shumë myslimanëve ndaj kryeministrit.

Njëkohësisht edhe diskursi që ka ndërtuar kryeministri Rama me aleatin strategjik dhe vëlla siç është Turqia, njëkohësisht edhe me botën arabe, kjo ka ndikuar pozitivisht tek një shtresë jo e vogël e muslimanëve praktikantë por edhe e muslimanëve në përgjithësi. Besoj se kjo ka ndikuar pozitivisht për figurën e Ramës edhe në nivel kombëtar, pra tek muslimanët praktikantë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe më gjerë. Unë mendoj se ky lloj afeksioni dhe ky lloj ndikimi dëmtohet rëndë me këtë lloj deklarate të Ramës, apo me këtë ide të shtruar nga ana e tij. Dhe mendoj se natyrshëm mund të ketë ndikimet e veta edhe në të ardhmen në aspektin e zgjedhjeve apo në fushatën elektorale të Ramës. Për më tepër që kjo bëhet akoma më ndikuese nëse faktori Islam shqiptar, veçanërisht praktikant, mobilizohen për t’i dhënë ndëshkimin e merituar Ramës si kundërpërgjigje ndaj kësaj ideje që me të vërtetë duket absurde.

A mund të jetë idea e “Shtetit Vatikanian Bektashian” rezultat i peshimit të rreziqeve dhe interesave…?!

Mbase, mendoj se pyetja e shtruar pak më lart, që është titulli i kësaj pjese të këtij shkrimi, duhet marrë në konsideratë. Duke pasur parasysh se çështja e shtetit bektashian e natyrës vatikaniane është një çështje shumë e madhe me pasoja shumë të rënda, normalisht një ide e shtruar në Kombet e Bashkuara, aludon se duhet të ketë patjetër një prapavijë ose një prapaskenë shumë të rëndësishme, që ka të bëjë ose me evitim dëmesh shumë të mëdha ose me përfitime interesesh të mëdha. Një nga idetë që po qarkullon është se, Irani prej kohësh, apo prej vitesh ka bërë përpjekje për të transferuar kryegjyshatën botërore në Iran. Dhe kur qëndron dhe mediton tek kjo ide, pasojat me të vërtetë do të ishin katastrofike. Mendoj se kjo çështje bën sens. Pse? – sepse përpjekja e Iranit për të krijuar bazën e vetë doktrinare dhe ideologjike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, pra në Ballkan, pse jo edhe në Bosnie Hercegovinë, është një përpjekje e vjetër që prej viteve 90’. Dhe të gjitha këto përpjekje falë Zotit kanë dështuar, dhe dështimi është mbyllur në Shqipëri me largimin e ambasadës iraniane nga Shqipëria. Dhe me të vërtetë kjo ka qenë një e mirë e madhe edhe për shtetin edhe për popullin shqiptar, për Islamin dhe muslimanët në veçanti. Dihet që misioni dhe roli kryesor i ambasadave iraniane nëpër botë është përhapja e doktrinës së devijuar “ithne’asherije” iraniane shiite, gjë që natyrshëm në vetvete përdoret edhe politikisht nga Irani, pra instrumentalizimi i doktrinës se tyre të devijuar për të ndërhyrë politikisht. Ky është një mision ose funksion i shquar i ambasadave iraniane kudo nëpër botë.

Dhe përderisa dështuan në këtë përpjekje duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka Ballkani musliman për botën Islame, natyrshëm e bën edhe Iranin, duke pasur parasysh misionin e saj ekspanisonist doktrinaro ideologjik, që t’i rrjedhin jargët dhe të lëpijë buzët për këtë rajon. Nuk përjashtohet mundësia që përpjekja e Iranit për të transferuar kryegjyshatën botërore në Iran, të jetë e vërtetë. Pra mund të jetë e vërtetë t’u ketë kërkuar Irani liderëve të komunitetit bektashi në Shqipëri, të paktën atyre që kanë rol real në komunitetin bektashian në Shqipëri këtë gjë. Dhe nuk përjashtohet mundësia që këtë përpjekje ta ketë bërë në forma të ndryshme pragmatike joshëse. Gjë që përforcon çka më sipër, pra rolin iranian, është fakti se kryeminstri Rama sapo ka bërë deklaratën në Kombet e Bashkuara, menjëherë është takuar me presidentin Erdogan. Unë mendoj se kurrë nuk do t’i interesonte shtetit turk, në lidhje me interesat e tij në Ballkan, krijimi i një shteti të ri i karakterit vatikanian bektashian. Por fakti që shteti turk po hesht ndaj kësaj ideje përforcon aludimin se mund të jetë përpjekja e Iranit në këtë mes për ta transferuar Kryegjyshatën Botërore në Iran. Dhe transferimi i Kryegjyshatës Botërore në Iran, i bie që të jetë një katastrofë shumë e madhe edhe për interesat turke në Ballkan, por edhe një dëm shumë i madh për Islamin në Shqipëri, por edhe një element destabilizues shumë i madh për Shqipërinë dhe për shqiptarinë.

Duke theksuar dhe vetë faktin se vetë Rama tek intervista që ka dhënë për New York Times, e përmend çështjen iraniane. Ai mendon se kjo ide kurrsesi nuk mund të realizohet në Iran. Pra nga vetë fakti që Rama e sjell, qoftë edhe në një rresht këtë mundësi, tregon se kjo lloj ideje mund të jetë e vërtetë. Prandaj mes dy të këqijave, formimi i shtetit bektashian me karakter vatikanian dhe mundësisë së transferimit të Kryegjyshatës Botërore në Iran, natyrshëm edhe Rama por edhe presidenti Erdogan i bie të zgjedhin këtë të parën, pra krijimin e një shteti bektashian me karakter vatikanian në Shqipëri, për të kënaqur edhe komunitetin bektashian, të paktën për të kënaqur edhe ata që mund të përfitonin shumë nga ideja e transferimit të Kryegjshatës Botërore në Iran. Pra për të shmangur ato dëme të mëdha që do t’i vinin Ballkanit dhe veçanërisht shqiptarëve dhe shqiptarisë dhe njëkohësisht edhe interesave turke në Ballkan mbase kanë menduar të zgjedhin këtë alternalivë….

A ka mundësi të jetë e vërtetë kjo…?! Ka mundësi. Por, përsëri, tani për tani ngelet supozim. Por unë mendoj se në të gjitha rastet kjo pikë duhet bërë pjesë e analizës sepse çështja është shumë e madhe, pasojat janë shumë të mëdha dhe të rënda sakaq i bie të jetë një mendjelehtësi shumë e madhe e kryeministrit Rama një deklaratë e tillë duke ditur dhe vlerësuar dëmet dhe pasojat e mëdha të kësaj ideje. Njëkohësisht Edi Rama përcjell një mesazh qetësimi për ndërkombëtarët, për europianët, Amerikën, që ky shtet islamik bektashi nuk do të jetë shtet islamik klasik siç është përmendur termi vazhdimisht, por do të jetë liberal, ku gratë do të vishen si t’u ketë qejfi, alkooli do të jetë i lejuar, etj me rradhë, gjë që e vë sërish, shumë në diskutim seriozitetin e kryeministrit Rama duke i dhënë vetes të drejtën se cili është Islami i duhur dhe i përshtatshëm, gjë që na ringjall edhe një herë neverinë që na shkaktoi propozimi blushian për një Islam të ri në Shqipëri. Duhet theksuar dhe fakti që edhe Baba Mondi përpiqet të qetësojë opinionin ndërkombëtar në lidhje me “shtetin e tij” duke përmendur se Zoti nuk ka ndaluar asgjë, prandaj na ka dhënë arsyen. Pra Baba Mondi i qetëson edhe më shumë ndërkombëtarët duke u përpjekur ta ngrejë qasjen pragmatike të kryeministrit Rama mbi baza teorike doktrinare. Dhe kjo tregon njëkohësisht nivelin fetar dhe doktrinar nga i cili karakterizohet vetë lideri i Kryegjyshatës Botërore, gjë e cila në vetvete duhet të shtyjë me të madhe komunitetin bektashian t’u kërkojë klerikëve të vetë të ngrihen në një nivel tjetër vetëdijësimi në lidhje me të vërtetën e tyre.
A duhet parë analizuar kjo “bombë” kombëtare nga të gjithë prizmat, ato të dukshëm dhe të padukshëm…?! Mendoj se po..

A janë shumë të rënda, dhe ka gjasa të jenë shkatërrimtare pasojat…?! Besoj se po..
Vallë si i bëhet…?!
Let me guess……

 

 

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top