Reaksioni tej kufirit nga një gjest i presidentit Begaj
Një akt i presidentit Begaj, i cili bëri homazhe në memorialin e gjenocidit grek ndaj çamëve në Kllogjer, Xarë, ka sjellë reagime të shumta në mediat e Athinës, të cilat nuk e kanë gëlltitur dot gjestin e kreut të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, media shqiptare e ka kaluar pa asnjë potencim gjestin dinjitoz të Begajt, si një mesazh për politikën e Tiranës që duhet të bëjnë, më e pakta për çështjen çame, të njëjtën gjë. Pra, të vendosin një tufë lule mbi varret e atyre që u masakruan e u përzunë nga vatrat dhe pronat e tyre.
Por për grekët, siç shkruan Protothema, ishin çamët ata që bashkëpunuan me italianët e nazistët kundër Greqisë, si justifikim ky për atë që ndodhi.
Dhe nëse nisemi me të njëjtin standart, sipas këtij arsyetimi grek, i cili është dhe i linjës së historiografisë zyrtare greke, për masakrën e Peshkëpisë më 1995, ku një komando greke sulmoi postën kufitare shqiptare duke vrarë dy oficerë, në një akt të pastër terrorist në emër të Vorio Epirit, shteti shqiptar duhej të kishte përzënë drejt Greqisë të gjithë banorët e Minoritetit në jug.
Pretendimet greke mbi çamët janë tejet të diskutueshme, por dhe nëse kanë ndopak të vërteta në ato që thuhen, bëhet fjalë për një ndëshkim kolektiv, i papranueshëm nga asnjë parim, juridik apo fetar.
Ndaj dhe për masakrën e Peshkëpisë, me autorësi të qartë greke, asnjë greku të thjeshtë në Shqipëri nuk iu cënua jeta apo prona. E nesërmja e asaj nate masakre me motive të mbrapshta, ku u derdh gjak i pafajshëm shqiptari, për Minoritetin në jug, edhe për fshatrat përballë Peshkëpisë, ishte krejt normale, pa frikën apo ankthin se do hakmerrej kush ndaj tyre. Kjo është diferenca e madhe morale.
Dhe jo vetëm kaq. Asnjë çam nuk e sheh vëngër banorin minoritar për atë që u ndodhi atyre vite më parë, duke bërë ndarjen e përgjegjësisë mes popullit të thjeshtë dhe politikës. Edhe kjo është një diferencë e thellë morale. Madje deri në pikën sa bashku me promovimin e përkujdesjes historike shqiptare ndaj fatit të trishtë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet promovuar dhe zemra e madhe çame që arrin të ndajë kullueshëm përgjegjësinë mbi gjenocidin ndaj tyre, duke mos e përzierë në të popullin e thjeshtë grek, andej apo këndej kufirit.