Connect with us

Press24.info

Ramazani i parë pa regjimin e Asadit: Siria feston muajin e fitores dhe lirisë

Opinion

Ramazani i parë pa regjimin e Asadit: Siria feston muajin e fitores dhe lirisë

Ramazani i parë pa regjimin e Asadit: Siria feston muajin e fitores dhe lirisë

Këtë vit, muaji i shenjtë i Ramazanit vjen në Siri me një frymë të re, të mbushur me liri dhe fitore, pas rënies së regjimit të Asadit dhe zhdukjes së aleatëve të tij nga skena, duke shënuar kështu fundin e një epoke shtypjeje dhe tiranie.

Për trembëdhjetë vite me radhë, Ramazani në Siri ishte dëshmitar i një vuajtjeje të pandërprerë, ku zëri i ezanit përzihej me shpërthimet e bombardimeve, dhe tryezat e iftarit ishin mbushur me frikë dhe ankth nën një qiell të përgjakur.

Por sot, dielli i Ramazanit lind mbi Sirinë me një shije të re, ku gëzimi i çlirimit ndërthuret me shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën sirianët mund të kthehen në shtëpitë e tyre, të rindërtojnë qytetet, xhamitë dhe tregjet e tyre, dhe të jetojnë atmosferën e këtij muaji të bekuar në një atdhe të mbushur me siguri dhe paqe.

Ramazani në Sirinë e Re: Rite të reja dhe gëzim i pafund

Këtë vit (1446/2025), sirianët po përjetojnë Ramazanin e tyre të parë pas viteve të luftës dhe zhvendosjes, duke dëshmuar kthimin e riteve fetare dhe shoqërore në thelbin e tyre të vërtetë, larg syve të survejimit të vazhdueshëm të sigurisë.

Xhamitë, të cilat më parë jetonin në një heshtje të frikshme nën sundimin e regjimit, sot gumëzhijnë nga besimtarët që falen pa frikën e arrestimeve apo kërcënimeve.

Zërat e ezanit dëgjohen në çdo cep të Sirisë, pa u ulur më me pretekstin e “shqetësimit”, dhe minaret shkëlqejnë nën dritën e Ramazanit, për herë të parë pa u fikur nga frika apo errësira.

Në rrugë rikthehen pamjet e gëzimit të Ramazanit, të cilat kishin munguar për një kohë të gjatë. Fenerët dhe zbukurimet ndriçojnë rrugët, ndërsa sofrat e iftarit rikthehen me një gjallëri që sirianët nuk e kishin përjetuar prej vitesh.

Tregjet janë plot jetë, të ndriçuara nga dritat shumëngjyrëshe, pavarësisht kushteve të vështira të jetesës. Tregtarët ofrojnë mallra ramazani që dikur mungonin për shkak të rrethimit, bojkotit ndërkombëtar dhe konfiskimeve të padrejta të imponuara nga forcat e sigurisë së regjimit të rrëzuar.

Sirianët tani shijojnë lirinë e blerjeve, pa taksat e detyruara që dikur vendoseshin nëpër postblloqet ushtarake dhe nga milicitë e regjimit. Ata mund të shëtisin lirshëm në tregjet e zonave të çliruara pa frikën e bombardimeve apo arrestimeve.

Edhe pse kriza ekonomike ende ndikon në vend, gëzimi i sirianëve për Ramazanin e këtij viti kapërcen çdo sfidë.

Familjet, të cilat dikur ishin të shpërndara mes mërgimit dhe burgjeve, më në fund po gjejnë rrugën e kthimit në shtëpitë e tyre, për t’u mbledhur rreth sofrave të iftarit, pa frikën se një sulm ajror apo një arrestim i papritur mund të rrëmbejë ndonjë prej tyre.

Xhamitë në një pamje të re: Kthimi i shpirtit në shtëpitë e Zotit

Xhamitë, të cilat gjithmonë ishin nën mbikëqyrjen e rreptë të shërbimeve të inteligjencës, kanë rifituar në Siri rolin e tyre të vërtetë, duke pritur besimtarët dhe duke realizuar ritualet fetare me liri dhe qetësi.

Këto xhami, që gjithmonë kanë qenë nën mbikëqyrje të rreptë nga shërbimet e inteligjencës, kanë qenë dëshmitare të sakrificave dhe qëndrueshmërisë së sirianëve. Sot, xhamitë gjejnë veten në një pamje të re, ku po zhvillohen fushata të gjera pastrimi dhe restaurimi për t’u përgatitur për pranimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në Damask, Halep, Homs, Hama, Idlib dhe Latakia, banorët po marrin pjesë në rindërtimin e këtyre vendeve të shenjta që u dëmtuan gjatë viteve të luftës, duke lënë shenjat e tyre në rinovimin e xhamive, duke i pastruar dhe shtruar ato, dhe duke i zbukuruar për të pritur besimtarët në namazin e Teravisë dhe mësimet e predikimeve të Ramazanit.

Ndër vendet më të shquara, dallohet xhamia e Omejad-it në Damask, e cila ka rikthyer shkëlqimin e saj përmes punëve të mëdha restauruese, duke përfshirë rinovimin e qilimëve luksozë që u sollën posaçërisht nga qyteti i Gaziantepit në Turqi.

Po ashtu, xhamitë e Halepit po dëshmojnë fushatën “Shtëpitë e Zotit janë shtëpitë tona”, ku banorët u mblodhën për të pastruar dhe zbukuruar shtëpitë e Zotit, për t’i bërë ato gati për pritjen e Ramazanit të parë pas rënies së regjimit.

Këto atmosfera të Ramazanit, të cilat sirianët i kishin humbur për shumë kohë, pasqyrojnë rikthimin e lirisë fetare dhe janë një mesazh që pasqyron shpirtin e shoqërisë siriane në përkushtimin e saj ndaj vlerave dhe respektin për këtë fe të shenjtë.

Pas viteve të shtypjes, namazi i Teravisë, i cili dikur kryhej me frikë, tani është një simbol i bashkimit dhe harmonisë, duke sjellë gëzim që përfshin të gjithë pa përjashtim, të rinj e të moshuar, larg mbikëqyrjes së shërbimeve të sigurisë.

Ramazani në kampet e zhvendosjes dhe refugjatëve: Një vuajtje e vazhdueshme përkundër lirisë

Përkundër gëzimit që mbizotëron në qytetet siriane, vuajtjet e dhjetëra mijëra refugjatëve në kampet e veriut të Sirisë dhe refugjatëve në shtetet fqinje vazhdojnë.

Me ardhjen e Ramazanit, familjet e zhvendosura përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar nevojat e tyre të përditshme, sidomos me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe mungesën e tyre.

Në kampet e Idlibit dhe veriut të Halepit, situata përkeqësohet me rënien e nivelit të ndihmave humanitare që arrijnë në nivele shumë të ulëta. Me përkeqësimin e kushteve të jetesës, darka e iftarit është bërë një sfidë e përditshme, dhe shumë prej tyre varen nga donacionet që mezi mjaftojnë për të shuar urinë.

Ndërkohë, në vendet ku atajanë refugjatë, si në Turqi, Liban dhe Jordan, sirianët përballen me sfida të tjera, pasi shpenzimet për jetesë janë rritur dhe mundësitë për punë janë zvogëluar, duke e bërë këtë Ramazan edhe më të vështirë për shumë prej tyre.

Përkundër lirisë që ka fituar Siria, ende shumë refugjatë janë të paaftë të kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara, apo në zonat që ende kanë nevojë për rinovim.

Ramazani pas Assadit: Një fillim i ri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë

Përkundër të gjitha sfidave dhe vështirësive, agimi i lirisë dhe fitores siriane sjell një shije të veçantë për Ramazanin e këtij viti, të ndryshëm nga çdo Ramazan tjetër që ka kaluar.

Ky është Ramazani i parë në Sirinë e re, pas rënies së regjimit që ka privuar sirianët nga të drejtat më themelore dhe shpresat e tyre për jetën. Gjatë këtij muaji të bekuar, rinovohen shpresat për rindërtimin e atdheut të plagosur dhe rikthimin e jetës që sirianët e kanë humbur për dekada të tëra.

Sirianët shpresojnë për një atdhe të ri, një atdhe që nuk do të udhëhiqet nga shtypja dhe frika, por ku njeriu është i lirë dhe jeton me dinjitet dhe nder, një atdhe ku flamuri i së vërtetës do të valvitet dhe paqja dhe qetësia do të mbizotërojnë.

Ndërsa përballen me një realitet të vështirë, ata mbajnë në zemrat e tyre shpresën për një të ardhme më të mirë, një të ardhme që fillon me këtë muaj të bekuar, duke qenë një fillim për një fazë të re të ndërtimit dhe begatisë.

Burimi: Aljazeera.net

Përktheu: Elton Harxhi

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top