Profesorët universitarë Markovski e Cvetkovska në Klan Debat: Diskoteka në Koçan ka funksionuar pa asnjë kriter, materialet përhapnin lehtësisht flakët e zjarrit!
Tragjedia e zjarrit në Koçan ku humbën jetën 59 persona, u diskutua sonte në emisionin Klan Debat në televizioninKlan Macedonia.
Profesori universitar i Ndërtimtarisë, Goran Markovski tha se në rastin e Koçanit duhet të ketë përgjegjësi maksimale, me arsyen e vetme që këto raste të mos përsëriten më.
“Jam i habitur se si është lejuar që një objekt që nuk plotëson asnjë standard, të kthehet në vend ku mbahen mbrëmje argetuese dhe të ndodh tragjedia e Koçanit. Në rastin e Koçanit duhet të ketë përgjegjësi maksimale, nuk guxojmë më që lëshime të tilla të sjellin pasoja fatale të tjera si humbja e jetës së njerëzve… Personi që ka bërë përshtatjet e atij lokacioni për diskotekë është poashtu i arrestuar, pra, duket që ka pasur lëshime”, tha Markovski.
Profesoresha universitare Meri Cvetkovska tha se përhapja aq e shpejt e flakëve vendos në dyshime kualitetin e materialeve që janë përdorur në diskotekë. Ajo apeloi që në këto objekte për përdoren materiale që nuk kaplohen lehtas nga zjarri.
“Për të parandaluar dëmet apo fatkeqësitë nga zjarri, çdo objekt preferohet të strukturohet me materiale rezistente ndaj zjarrit, sidomos diskotekat apo sallat e koncerteve ku ka shumë publik. Zjarri në diskotekë ka filluar nga mjetet piroteknike skenike, përhapja aq e shpejtë u bë pasi materiali lart skenës besoj që ka qenë sfungjer izolues për zërin”, tha Cvetkovska.
Ata shtuan se është komuna ajo që miraton elaboratet profesionale për çdo biznes që operon në atë territor, pasi komuna jep lejen për funksionim. /tvklan.mk
