Përvoja e një italiani të konvertuar në Islam me barin e parë pa alkool
Torinezi Davide Piastra: Nuk mund të dëmtoj as veten e as të tjerët!
Nga Mattia Aimola, Corriere della Sera
“Duam dy aperitivë Spritz ju lutem!”. “Këtu nuk shërbejmë alkool, megjithatë kemi kokteje alternative”. Në këtë moment ka nga ata që qëndrojnë dhe provojnë pijet alternative që u ofrohen. Por edhe nga ata që vendosin të ngrihen dhe të shkojnë të ulen diku tjetër.
Kjo është historia e “Atipico”, lokali i ri i cili që u përurua dy muaj më parë nga Davide Piastra (së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij) përballë ndërtesës së bashkisë Settimo Torinese. Atje nuk do të gjeni pijet klasike, por kokteje të sajuara enkas duke përdorur verëra dhe likere (si për shembull Amaro Lucano) pa alkool.
Nëpër botë quhen “temperance bar” (baret e maturisë ose abstinencës nga alkooli) dhe po shndërrohen në një tendencë. Janë 100 për qind pa alkool (tjetër gjë janë lokalet që ofrojnë pije me përmbajtje të ulët alkooli) e projektuar për gratë që u japin ende gji fëmijëve të tyre të vegjël, apo thjesht për ata që duan të provojnë diçka ndryshe.
Ndërkohë në Itali një bar i tillë përbën ende një përjashtim, siç e thotë vetë pronari: “Të paktën, unë vetë nuk njoh të tjerë në këtë zonë”. E tija është sa një histori biznesi, por aq edhe besimi tek Zoti. Davide vendosi që të konvertohej në Islam në vitin 2019 dhe rrugëtimi i tij i ri nisi prej atij momenti.
“Unë nuk mund të dëmtoj veten dhe të tjerët, dhe të shërbesh alkool do të thotë të dëmtosh personin tjetër dhe ata që e rrethojnë”.
Davide Piastra dhe bashkëpunëtorët e tij operojnë në këtë fushë prej 20 vitesh. Për një kohë të gjatë ata u shërbenin klientëve kokteje me një përmbajtje shumë të lartë alkooli. “Unë i njoh shumë mirë produktet alkoolike – saktëson ai – kam ndjekur kurse të veçanta, kam punuar me to. Sot që e propozoj këtë produkt të ri, e di se çfarë keni pirë më parë dhe çfarë po ju ofroj tani.
Unë nuk kam qenë asnjëherë ndonjë pijanec i madh, pasi nuk e duroja alkoolin. Por isha i lumtur të pija një birrë teksa konsumoja pica. Koktejet tona, të bëra me produkte pa alkool, kanë një shije të jashtëzakonshme sapo i fut në gojë. Zakonisht alkooli i maskon shijet, ndërsa këtu mund t’i shijoni të gjitha.
Ne eksperimentojmë vazhdimisht, dhe shpesh kur e bind një klient të provojë një nga pijet tona, jam shumë i entuziazmuar. Për të prodhuar produkte të ngjashme ka një kërkim të vazhdueshëm mbi përbërësit dhe jo pak studime. Një lokal i zakonshëm, mban produkte standarde që janë në treg prej shumë kohësh. Ndërsa produktet tona janë të freskëta për këtë arsye shumë më të sigurta për shëndetin e klientëve”, thotë Piastra.
Karriera e Davides në këtë sektor nisi shumë kohë më parë, sërish në qendër të Settimo Torinese. “Kam 20 vjet pa ndryshuar sektor. Megjithatë, kohët e fundit nuk ndihesha i kënaqur nga tregu. Ndjeja se nuk vlerësohej as përvoja dhe dijet e mia. Prandaj doja të krijoja diçka të re, dhe pasi bëra pranova besimin Islam si fenë time në vitin 2019, erdha tek kjo zgjedhje, që më bën të ndihem shumë mirë”, rrëfen ai.
Përveç verërave klasike, ne nuk shërbejmë as mish derri, por askush deri më sot nuk më ka pyetur: “E përse nuk e përdor?”. Davide thekson se falë kësaj rruge ka krijuar një projekt shumë inovativ. “Përndryshe do të kisha hapur një lokal tjetër me problemet e zakonshme. Kryesisht të lidhura me ata që abuzojnë me alkoolin. Mospasja e një lokali të tillë nuk është një pengesë, përkundrazi përbën një burim, është një cilësi unike dhe që më angazhon shumë”, thotë ai.
“Atipico” ka arritur që të fitojë edhe klientelën e tij të parë të rregullt. “Objektivi ynë janë zonjat 35 vjeç e lart, gratë shtatzëna dhe miqtë që janë pjesë e rrethit të tyre. Një klientelë femërore ku përfshihen edhe të moshuar, vijnë këtu për të pirë një aperitiv, diçka që nuk e kisha parë kurrë në të kaluarën.
Në çdo rast, ne nuk i paralajmërojmë klientët mbi shërbimin tonë të pazakontë. Ne jemi këtu për t’i propozuar diçka ndryshe. Nuk duam që t’i imponohemi askujt. Ndonjëherë ka edhe nga ata që largohen. Megjithatë për ne nuk është problem”, përfundon Davide.