Përkujtohet 26-vjetori i masakrës në Lagjen e Boshnjakëve, nderohet sakrifica e të rënëve për liri
Sot është përkujtuar 26-vjetori i masakrës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore, në të cilën janë vrarë 23 civilë shqiptarë nga forcat serbe.
Më 15 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahiti, ku kishin nisur turturimin e tyre. Prej tyre, u vranë 23 civilë shqiptarë, shkruan Telegrafi.
Shtëpia e Mustafë Sahiti, aty ku ka ndodhur masakra, tashmë është shndrruar në një muze.
Në këtë përvjetor morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, drejtorë komunash, përfaqësues nga komuna e Mitrovicës Jugore, përfaqësues nga organizata të dala nga lufta, familjarë dhe qytetarë.
“Martirët e kombit në Mitrovicë”
Në një fjalë rasti, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka thënë se kujtojnë me nderim dhe respekt të rënët për liri.
“Në këtë ditë kujtojmë me dhimbje dhe respekt 116 shqiptarë të Mitrovicës që ende janë të pagjetur dhe të gjithë martirët e vrarë gjatë luftës”, ka thënë Atiq.
“Nuk mund t’i harrojmë asnjëherë sakrificat e martirëve dhe të pagjeturve”
Atiq ka thënë se kjo është një ditë për të theksuar se ne nuk mund t’i harrojmë asnjëherë sakrificat e martirëve dhe të pagjeturve.
“26 vite pas atij momenti tragjik, kujtimi i të pagjeturve dhe martirëve është më i gjallë se kurrë. Kjo është një ditë për t’i nderuar ata që ranë viktima të një dhune të papërshkruar, për t’i kujtuar ata që nuk patën mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre dhe për të theksuar se ne nuk mund t’i harrojmë kirrë sakrificat e tyre”, ka thënë tutje ai.
Atiq është shprehur se të gjithë martirët, të pagjeturit dhe ata që ende sot kërkojnë drejtësi janë pjesë e pandashme e historisë së popullit shqiptar, raporton Telegrafi.
“E përkujtojmë sot ngjarjen e 15 prillit të vitit 1999 kur në Lagjen e Boshnjakëve, mu në këtë shtëpi që sot është një muze përkujtimor, rreth 80 shqiptarë u mblodhën dhe 23 prej tyre u vranë nga forcat serbe. Ata që nuk arritën të kthehen, ata që u bënë martirë dhe ata që ende kërkojnë drejtësi janë pjesë e pandashme e historisë sonë”, ka shtuar kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore.
Atiq ka theksuar si fakt të rëndësishëm që populli shqiptar asnjëherë nuk duhet t’i harrojë sakrificat e bëra përgjatë rrugës për liri.
“Sofra e zbrazur qe 26 vite”
“Liria që sot e gëzojmë, aq sa është e çmuar mbetet edhe e paplotë sepse plagët që nuk marrin drejtësi, nuk shërohen”
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në një fjalë rasti ka potencuar se lufta e familjarëve të viktimave të zhdukur me forcë akoma nuk ka përfunduar.
“Edhe 26 vjet pas shtrimit të masave gjenocidale të kryera nga ushtria dhe policia serbe, pas një krimi ende të pandëshkuar nga Serbia, lufta e familjarëve të viktimave të të zhdukurve me forcë akoma nuk ka përfunduar”, ka deklaruar ai.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur
Gara ka vijuar se liria e popullit shqiptar mbetet e paplotë sepse sipas tij, “plagët që nuk marrin drejtësi, nuk shërohen”, transmeton Telegrafi.
“Liria që sot e gëzojmë, aq sa është e çmuar mbetet edhe e paplotë sepse plagët që nuk marrin drejtësi, nuk shërohen”, ka përfunduar Gara.
Ndërsa, Xhyla Haziri nga organizata “Zëri i prindërve” – Dega në Mitrovicë, ka kujtuar disa detaje nga 15 prilli i vitit 1999.
Xhyla Haziri nga organizata “Zëri i prindërve” – Dega në Mitrovicë
“Në këtë vend, forcat armike bashkuan banorët e kësaj lagjeje dhe ushtruan ndaj tyre dhunë, turtura dhe ekzekutime në mënyra më çnjerëzore para syve të familjarëve”, ka përkujtuar Haziri.
“Muzeu në Lagjen e Boshnjakëve së shpejti do të renovohet”
Derisa, Fevzi Beqiri, përfaqësuesi i Lagjes së Boshnjakëve, ka ringritur si çështje renovimin e Muzeut në këtë lagje.
Beqiri ka bërë të ditur se ky muze është shpallur në mbikëçyrje të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se shpejti pritet edhe renovimi i tij.
Fevzi Beqiri, përfaqësuesi i Lagjes së Boshnjakëve
“Institucionet e Republikës së Kosovës, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku kanë shpallur në mbikëçyrje të shtetit të Kosovës muzeun në Lagjen e Boshnjakëve. Është ndarë fondi, janë ardhur arkitektët dhe e kanë matur cep më cep, është zgjedhur donatori. Nga qershori deri në shtator, renovimi i këtij muzeu do të jetë i kompletuar”, ka treguar Beqiri.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga familjarët e viktimave të të zhdukurve t’i sjellin në muze të gjitha gjësendet që mbajnë kujtim nga ta.
“Kërkoj nga familjarët që kanë të zhdukur, gjësendet që kanë mbetur nga ta t’i sjellin në muze dhe t’ia japim formën muzeut ashtu siç i ka hije një shteti dhe një kombi”, ka përfunduar përfaqësuesi i Lagjes së Boshnjakëve.
