Connect with us

Press24.info

PDK: Jemi gati ta marrim përgjegjësinë për formimin e qeverisë

Kosovë

PDK: Jemi gati ta marrim përgjegjësinë për formimin e qeverisë

PDK: Jemi gati ta marrim përgjegjësinë për formimin e qeverisë

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se sot duke votuar pro raportit të Komisionit Verifikues të kuorumit dhe mandateve, kontribuuan në tejkalimin e një ngërçi, sipas tyre, të panevojshëm parlamentar.

PDK-ja tha se komisioni pranoi kërkesën e tyre për të përfshirë, njohur dhe evidentuar në procesverbal faktin e dorëheqjeve individuale të kryeministrit dhe ministrave në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qasim Çeska.

“Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës dëshmoi edhe një herë rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionimit demokratik të institucioneve Me këtë veprim, u zhbllokua procesi për betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe rivendosjes së normalitetit institucional”.

“Partia Demokratike e Kosovës i uron të gjithë deputetët që kanë marrë mandatin e tyre zyrtarisht dhe i fton ata që t’i qëndrojnë besnik detyrimeve të tyre kushtetuese dhe interesit qytetar. PDK njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit, mirëpo kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen tonë për atë kandidaturë”, thuhet në deklaratën e PDK-së, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në deklaratë thuhet se ora për themelimin e institucioneve të reja të vendit ka nisur dhe se përgjegjësia e parë, por sipas tyre, jo e përhershme bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa.

PDK-ja tha se do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar.

“E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot”, thuhet në reagim.

 

https://klankosova.tv/pdk-jemi-gati-ta-marrim-pergjegjesine-per-formimin-e-qeverise-1/

 

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top