Një profil i udhëheqësit të ri të Hamasit
Hamasi emëroi liderin e tij në Gaza, Yahya Sinwar për të pasuar Ismail Haniyeh, kreun e Byrosë Politike të grupit palestinez, i cili u vra javën e kaluar në një sulm të supozuar zraelit në Teheran.
Grupi palestinez e bëri njoftimin të martën, mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme ndërsa Irani zotohet të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen e Haniyeh në tokën e tij.
I konsideruar si një nga arkitektët e sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, Sinwar do të udhëheqë lëvizjen nga një vend i pazbuluar në Gaza gjatë periudhave të pasigurta në të gjithë rajonin.
Udhëheqësi palestinez me bazë në Gaza është armiku numër një i Izraelit. Pra, duke e zgjedhur atë si kreun e zyrës së tij politike, Hamasi sfidon qeverinë izraelite.
Por nuk është e qartë se si, ndërkohë që është fshehur, Sinwar do të menaxhojë komunikimet me operativët e Hamasit, operacionet e përditshme politike të lëvizjes dhe do të mbikëqyrë negociatat për armëpushim në Gaza.
Zyrtarët izraelitë nuk e fshehën dëshirën e tyre për ta vrarë atë.
Më shumë se dy dekada në një burg izraelit
I lindur në Khan Younis në vitin 1962, Sinwar u vendos si një nga zyrtarët e lartë më të pakompromis të Hamasit. Në fillim të viteve ’80, Izraeli e arrestoi disa herë për shkak të angazhimit dhe aktivizmit të tij kundër pushtimit në Universitetin Islamik në Gaza.
Pas diplomimit, ai ndihmoi në krijimin e një rrjeti luftëtarësh për rezistencë të armatosur kundër Izraelit. Grupi më vonë u bë Brigadat Qassam, krahu ushtarak i Hamasit.
Sapo Sheikh Ahmed Yassin themeloi Hamasin në 1987, Sinwar iu bashkua grupit si një nga udhëheqësit e tij. Një vit më pas, ai u arrestua nga forcat izraelite dhe u dënua me katër dënime të përjetshme – ekuivalenti me 426 vjet burg – për përfshirjen e tij të dyshuar në kapjen dhe vrasjen e dy ushtarëve izraelitë dhe katër spiunëve të dyshuar palestinezë.
Ai kaloi 23 vjet në një burg izraelit ku mësoi hebraisht dhe u njoh mirë me çështjet izraelite dhe politikën e brendshme. Ai u lirua në vitin 2011 si pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve që liroi ushtarin izraelit Gilad Shalit, i cili ishte kapur nga Hamasi.
Pas lirimit të tij, Sinwar shpejt u ngjit përsëri në radhët e Hamasit. Në vitin 2012, ai u bë pjesë e Zyrës Politike të grupit dhe u ngarkua me koordinimin me Brigadat Qassam.
Ai luajti një rol udhëheqës politik dhe ushtarak gjatë ofensivës shtatë-javore të Izraelit kundër Gazës në 2014. SHBA e ka cilësuar Sinwar si një “terrorist të rrezikshëm ndërkombëtar”.
Në vitin 2017, Sinwar u bë kreu i Hamasit në Gaza, duke pasuar Haniyeh, i cili u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të grupit.
Ndryshe nga Haniyeh, i cili udhëtoi në rajon dhe mbajti fjalime gjatë luftës së Gazës, Sinwar ka qenë ilegal që nga 7 tetori.
Sidoqoftë, në vitin 2021, në një intervistë me Vice News, Sinwar tha se palestinezët nuk po kërkojnë luftë për shkak të kostos së saj të lartë, por se ata “nuk do të tundin flamurin e bardhë”.
“Për një kohë të gjatë ne u përpoqëm [të rezistonim] me rezistencë popullore paqësore. Ne prisnim që bota, njerëzit e lirë dhe organizatat ndërkombëtare të qëndronin pranë popullit tonë dhe të ndalonin pushtimin që kryen krime dhe masakra ndaj popullit tonë. Fatkeqësisht, bota qëndroi ftohtë dhe bëri sehir”, tha ai.
Sinwar ka të ngjarë t’i referohej Marshit të Madh të Kthimit që u zhvillua në 2018 dhe 2019, gjatë të cilit palestinezët protestuan në kufirin e Gazës çdo javë për muaj të tërë, vetëm për t’u përballur me një goditje të dhunshme izraelite në të cilën u vranë më shumë se 220 njerëz dhe shumë më shumë u plagosën.
I pyetur në lidhje me taktikat e Hamasit, duke përfshirë lëshimin pa kriter të raketave që mund të dëmtojnë civilët, Sinwar tha se palestinezët po luftojnë me mjetet që kanë në dispozicion. Ai akuzoi Izraelin për vrasje masive të qëllimshme të civilëve palestinezë, pavarësisht nga armatimi i tij i avancuar dhe i saktë.
“A pret bota që ne të jemi viktima të ndershme ndërsa ata na vrasin, të na therin në heshtje?” pyeti Sinwar. /tesheshi.com/