Ministrave izraelitë u ndahen telefona satelitorë në rast hakmarrjeje nga Irani dhe Hezbollahu
Ankara
Mediat izraelite raportojnë se ministrave në Qeverinë e Izraelit u janë shpërndarë telefona satelitorë duke pasur parasysh mundësinë e ndërprerjes së rrjeteve të komunikimit në rast të një kundërpërgjigjeje të mundshme nga Irani apo Hezbollahu, transmeton Anadolu.
Në lajmet e mediave lokale thuhet se janë paraqitur shqetësime nga problemet e mundshme në rrjetet e komunikimit në Izrael për shkak të kundërpërgjigjes së mundshme nga Irani apo Hezbollahu.
Bëhet e ditur se anëtarëve të kabinetit u janë shpërndarë telefona satelitorë në mënyrë që të mos kenë probleme në komunikim.
Në lajmin ku thuhet se telefona satelitorë janë siguruar edhe për stafin e lartë të disa ministrive, ndahet informacioni se ky hap është marrë si masë paraprake dhe se nuk ka informacione të inteligjencës se linjat e komunikimit do të dëmtohen.
Një nga komandantët e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukur u vra në sulmin e kryer më 30 korrik nga ushtria izraelite në Bejrut të Libanit.
Gjithashtu edhe kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran të Iranit.
Irani dhe Hamasi deklaruan se Izraeli qëndron pas sulmit ndërsa qeveria e Tel Avivit vazhdon të heshtë në lidhje me këtë vrasje.