Lëvrimi i cekët në tokën e pëlleshme të shkencave islame
Vizioni qytetërues i Islamit që mëton të ofrohet në një botë të trazuar, duket një përgjegjësi tejet komplekse, mbase edhe një barrë e rëndë që apriori bie mbi supet e shkollarëve të dijeve e shkencave islame. Islami, duke qenë se është fe që ka shtrirje kulturore, civilizuese dhe historike, dhe rrjedhimisht opusi i tij shkencor është tejet i thellë e multidiciplinar, mbetet mëkat i pafalshëm gërvishtja formale mbi “koren” sipërfaqësore të disiplinave të tij. Studimi nxitimthi e mos gërmimi në thellësi për të hulumtuar në margaritarët e thesareve të tij, është privim i dhembshëm shkencor, por edhe varfëri intelektuale që pamundëson prezantimin e mozaikut të tij të përkryer.
Ne, brezi i sotshëm, bijtë e teknologjisë moderne, që rrugët e arritjes deri tek informacioni i kemi shkurtuar e përshpejtuar skajshmërish, vuajmë nga “sindromi” i përtacisë së çuditshme për të thelluar leximet e gjurmimet tona në cilëndo fushë, s’do mend se në këtë rend edhe në ato fetare islame. Të ngazëllyer me shpejtësinë e arritjes deri të një përgjigje fetare, kemi filluar, me ose pa vetëdije, të braktisim atë trashëgimi të begatë të shkencave që na e lanë si amanet ajo plejadë e urtë e dijetarëve të hershëm, qofshin nga bota islame, apo edhe ata dijetarë të shquar të këtij nën qielli tonë. Ne s’po arrijmë as ta shfletojmë atë që ata e kanë shkruar, andaj as nga perlat e tyre, asgjë ne nuk po përfitojmë. Pos borxhit që ua kemi që t’ua ruajmë atë trashëgimi që e lanë për ne e te ne, jemi përgjegjës që thellësinë e tyre studimore si virtyt e si vlerë, ta mbajmë të gjallë ndër ne, e ta bartim besnikërisht edhe te brezat në vijim.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., i vinte pikat mbi shkronja kur rrëfente se shenjë e bekimit hyjnor ndaj njeriut është thellimi i tij në dijet islame. Ai në një hadith të njohur pat thënë: “Kujt Allahu ia do të mirën, ia mundëson atij të kuptuarit e thellë të fesë së tij’: (Buhariu, 71, Muslimi 98, etj.). E po s’është çudi, kjo fe nuk mund të prezantohet nga dikush tjetër, por vetëm nga ata që Allahu ua do të mirën, në këtë dhe në botën tjetër.
Ndryshe nga ç’mendohet, ky studim i- thellë i përmendur në këtë kontekst, nuk duhet të ketë produkt final të vetin prezantimin e Islamit si një sistem kompleks, që do të duket e vështirë vënia e tij në praktikë. Në të vërtetë, ai do të duhej ta bënte të kundërtën. Ta thjeshtësonte e lehtësonte jetësimin e tij dhe ta masivizonte në shoqëri të kuptuarit e drejtë të tij.
Studimet konvencionale-akademike islame nëpër institucionet e sotshme arsimore mbesin një standard e filtër solid, që në rrethana të mirëqena do të duhej të përgatisnin si më së miri, e pastaj edhe të filtronin kujdesshëm kuadrin predikues të tij. Si të tilla, ato edhe nuk do të duhej të lejonin asnjëherë që në emër të kësaj feje të flasë dikush që s’ka ndarë kohë për studime të thella në fushat e saj. Megjithatë, në mes të asaj që duhet bërë dhe asaj që nga këto institucione po bëhet e realizohet, lë vend tejet shumë për t’u dëshiruar.
Shumica dërmuese e pasuesve të Islamit, nuk gjejnë kohë që të thellohen e të studiojnë denjësisht fushat apo shkencat islame. Ata thjesht mjaftohen me pakon e informatave e diturive që iu ofrohen nga predikuesit fetarë, dhe bëjnë përpjekje që të njëjtat t’i vejnë në praktikë. E nëse atyre nuk ua kemi bartur në formë besnike platformën Islame, e cila do të vinte si rezultat i studimeve tona të thella, ata praktikues nga naiviteti sigurisht se do ta gjymtonin e shpërfytyronin tejmase atë.
Duhet ta kemi guximin e ta themi me keqardhje, atë që e kanë thënë shumë ideologë e mendimtarë myslimanë, se predikimet jo të denja që burojnë nga lexime të cekëta rreth fesë së Allahut, kanë ofruar para botës versionin e shpërfytyruar të një feje madhështore. Ato, jo rrallëherë kanë krijuar alibi për ata njerëz që për një kohë të gjatë mbanin njërën këmbë në truallin e Islamit e tjetrën në truallin e ateizmit, që të tillët të stacionoheshin fatkeqësisht në truallin e brishtë të këtij të fundit.
Andaj, shtimi i etjes dhe zellit për dije e studime të thella e të mirëfillta islame, nuk është një luks e çështje zgjedhore, por mbetet detyrë mbi detyrat, që s’duhet ndarë mendjen asnjëherë prej saj.
Editorial
Dituria islame 405
Prof. Driton Arifi