Lajm i keq për shtetasit e Kosovës që duan të punojnë në Gjermani
Gazetari i DW, Bahri Cani, ka njoftuar për një ndryshim të rëndësishëm lidhur me mundësitë e punësimit për shtetasit e Kosovës në Gjermani.
Sipas tij, Agjencia për Punë ka njoftuar se është plotësuar kontigjenti i vendeve për “Vorabzustimmung” (parapëlqim), çka do të thotë se asnjë kosovar nuk mund të aplikojë për këtë procedurë për vitin 2024.
Cani thekson se për të marrë një termin në ambasadën gjermane në Prishtinë, është e nevojshme të ketë një kontratë pune dhe një “Vorabzustimmung”, të cilin e kërkon kompania që ofron punë.
Ai sqaroi se vetëm brenda dy muajve ka pasur aq shumë kërkesa sa është plotësuar numri për Kosovën, që është rreth 1000 termine në muaj, ndërsa për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë dhënë 50,000 termine për vitin 2024.
Përveç Kosovës, është raportuar se numri për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën gjithashtu është plotësuar për muajin korrik, me mundësinë e riaplikimit në gusht.
Cani përmendi gjithashtu se ka pasur abuzime në procesin e aplikimit, duke sugjeruar se ka nevojë për rregullime në këtë sistem.