KOHA NË (PA) KOHË | PROF. DR. METIN IZETI (Pjesa 1)
KOHA NË (PA) KOHË – PJESA 1
Shkruan: Metin Izeti
Njeriu është qenie e ndarë dhe e përçarë në vetvete. Këtë dramë të ndarjes askund nuk e përjeton më shumë se në zemrën e vet. Sa herë njeriu bën keq, është kundër vetes. Në zemër njeriu krijon burgun e vet më të rëndë si nata pa dritë, por edhe shansen për dalje nga errësira e zezë për në lirinë e paskajshme. Nëse aty nuk fillon shndërrimi, unifikimi dhe ngritja e tij, atëherë ndërrimi i botës së jashme mund të jetë maskim, kamuflim dhe kompenzim mashtrues i kësaj mungese të brendshme sikur rrënjët e bimës mbi ujë që janë të pa dobishme. Njeriu sjellë atë që ka në shtëpi – në zemrën e vet. Nëse asgjë nuk ka atëherë asgjë nuk do të sjell nga shtëpia.
Diogenes Laertius shkruan se Diogjeni nga Sinopia ndezi një qiri gjatë ditës dhe tha: “Po kërkoj një njeri”. Peter Sloterdijk komenton për atë skenë nga jeta e cinikut të famshëm: “Episodi i famshëm me fenerin ilustron qëndrimin e tij ndaj athinasve. Një ditë, filozofi ndezi dritën në mes të ditës, kështu që kur gjatë rrugës nëpër qytet e pyetën se çfarë donte, përgjigja e tij ishte: ‘Po kërkoj një njeri’. Ai episod është një kryevepër e filozofisë së tij të pantomimës. (…) Ai ndjek idenë e njerëzimit, të cilën realisht nuk e gjen te bashkëkohësit e tij. Nëse një njeri i vërtetë është ai që mbetet zot i dëshirave të tij dhe jeton në mënyrë inteligjente, në harmoni me natyrën, atëherë është fare e qartë se njeriu social në qytet sillet marrëzisht dhe çnjerëzor. Ai ka shumë nevojë për një qiri filozofik që të orientohet në botë edhe gjatë ditës”.
Epo, ndoshta në kohën e Diogjenit një njeri mund të gjendej në rrethinën e tij të afërt, por thelbi i anekdotës është gjithsesi metaforik: kërkimi i përjetshëm për një njeri mes njerëzve zakonisht përfundon në dështim, kërkuesi nuk mund ta gjejë atë që kërkon, nuk i ndihmon as një qiri në mes të ditës. Perspektivat e vogla për suksesin e një ndjekjeje të tillë janë njohur prej kohësh, janë bërë të zakonshme, por pak dihet vendi ku fshihet njeriu.
Iluministi modern i sotëm i shikon me përbuzje “përrallat” si ajo e Diogjenit dhe per njeriun e pare, si tregime për fëmijë të vegjël, si shpjegime të vjetruara nga epokat e errëta të njerëzimit që janë zëvendësuar nga një pamje shkencore e botës. Mitet nuk vlerësohen shumë sot, sidomos ato reale, nga librat e shenjtë, nuk mund t’i flasesh askujt, dhe vetë fjala mit ka ndryshuar kuptimin e saj, kështu që përdoret më së shumti në kuptimin e diçkaje që është e rreme, e shpikur, e pavërtetë. Në lojë janë vetëm mite të rreme, histori që kanë potencial për abuzim politik, që mund të mbajnë komunitete të tëra në një gjendje hipnozë dhe të shërbejnë si justifikim për dhunën dhe ruajtjen e një status quo-je të patolerueshme ad infinitum. Asociacionet me mitin e konsumerizmit janë të pashmangshme, edhe pse kjo histori e rreme nuk është e vetmja në llojin e saj, bota është e mbushur me to, vetëm disa janë më të dukshme se të tjerat.
Megjithatë, mund të shihet pak më ndryshe gjithë ai bagazh mitologjik që sot është refuzuar kaq lehtë ose, në rastin e të ashtuquajturve besimtarë, pranohet pa kuptuar, në interpretimet më vulgare të mundshme të teologjisë së vjetëruar. Karen Armstrong në “Një histori te shkurtër e mitit” shkruan se “qeniet njerëzore janë dalluar që në kohët më të hershme nga aftësia e tyre për të pasur ide që tejkalojnë përvojën e tyre të përditshme” dhe vazhdon: “Ne jemi krijesa që kërkojmë kuptimin. Qentë, me sa dihet, nuk vuajnë për shkak të pozitës së qenve, nuk shqetësohen për fatkeqësinë që u ndodhi qenve në vende të tjera të botës dhe as nuk përpiqen ta shohin jetën e tyre nga një kënd tjetër. Megjithatë, qeniet njerëzore bien lehtësisht në dëshpërim; që nga fillimi ne kemi shpikur histori që na lejojnë ta vendosim jetën tonë në një kontekst më të gjerë, që zbulojnë se ekziston një model i fshehur dhe që na bëjnë të ndiejmë se jeta ka kuptim dhe vlerë, pavarësisht nga të gjitha dëshmitë shqetësuese dhe kaotike të kundërta”.
Nga këtu vijnë mitet, si dhe nga aftësia e mendjes njerëzore për të “kuptuar ide dhe përvoja që ne nuk mund t’i shpjegojmë racionalisht”. Armstrong thotë: “Miti flet për të panjohurën; ai flet për atë që në fillim nuk kemi fjalë. Prandaj, miti vështron në zemrën e heshtjes së madhe”. Denis de Rougemont mendon në vija të ngjashme, pak më shkurt: “Një mit është një histori që, në një formë të dramatizuar, përshkruan dhe ilustron disa struktura të thella të realitetit”. Por eshte gjithashtu e qartë për të se po u fliste të shurdhërve: “Por, në një botë ku gazetave u besohet, kush beson ende seriozisht në zbulesen? Ky është vetëm një fakt: është më e lehtë për një njeri modern të besojë në gënjeshtrat e përditshme sesa në të vërtetat e përjetshme të përcjella nga librat e shenjtë”.
Kur njerezit janë te strukur aq rehat në vendin e tyre të fshehur të imagjinuar, më pas kënaqen me sakrifica të tepërta, duke u mjaftuar me pasivitetin e tyre që i bën ata të pafajshëm absolut. Ata nuk janë përgjegjës për asgjë, mbi të gjitha për problemet e tyre, fajin e ka gjithmonë dikush tjetër, prandaj kërkimi i fajtorit në detyrë është një sport i preferuar në ditët e sotme.
Për këtë, krijohen konstruksione mendore të përmasave të pabesueshme, kultura të tëra, ideologji, lëvizje, parti, shoqata qytetarësh që refuzojnë të jenë qytetarë, ide, koncepte, filozofi, interpretime fetare, vepra arti, teori konspirative… te pakuptueshme. Forcat njerezore shfrytëzohen për të krijuar mjegullën, nëse pesë për qind e asaj energjie të humbur do të shpenzoheshin për diçka reale dhe krijuese, ne do të kishim krijuar shumë kohë më parë një shoqëri që do t’i ngjante parajsës në tokë.
Njeriu lind në një vend të caktuar dhe gjatë edukimit të tij ai adopton norma, ide, kulturë, modele të të menduarit dhe shikimit të botës, dhe më pas mjafton vetëm të rrëshqasë, të shikojë të gjitha këto nga një distancë e vogël dhe më pas i bëhet një zbulim befasues: se ato nuk janë ide, ideologji, instrumente optike për të parë realitetin, filtra nëpër të cilët kalohen përshtypjet, teoritë dhe opinionet që përpiqen të thonë diçka për botën – per pemët virtuale më të zakonshme që kemi mbjellë në kokën tonë për të pasur një vend ku të fshihemi nga realiteti dhe të vërtetat, për të shmangur përgjegjësinë për jetën tonë, për fatin tonë unik të papërsëritshëm, por edhe për komunitetin tonë dhe në fund të fundit për botën ku kemi arritur.
Në atë pyll të çuditshëm ku vetëm imazhet, shfaqjet, halucinacionet, vetë-iluzionet, gënjeshtra, fantazmat rriten kudo, çdo mashtrim mund të bëhet një pemë e përshtatshme për t’u fshehur.
Nga data 4 Nëntor (sot) deri më 10 Nëntor, do të shpërndahet pjesë nga teksti. Më 11 Nëntor do të shpërndahet i gjithë teksti “KOHA NË (PA) KOHË” të Prof. Dr. Metin Izetit.