Java e një personaliteti maroken në Turqi
Kush është Prof. Dr. Taha Abdurrahman, mendimtar musliman me studime dhe në Sërbonë
Nga Nada Dosti, Ankara
Një ndër evenimentet më të rëndësishme në Turqi të këtij viti, në fushën e dijes islame, ishte padyshim vizita e filozofit maroken Prof. Dr. Taha Abdurrahman, dijetar me famë dhe kontribut jo vetëm në zonën magribine apo botën arabe, por në të gjithë botën islame.
Vizita e mendimtarit të mirënjohur mbushi salla në të gjitha aktivitetet të cilat u organizuan në nder të tij.
Po kush është Taha Abdurrahman?
Taha Abdurrahman u lund në Marok në vitin 1944. Studimet universitari i përfundoi në Rabat për filozofi. Pas studimeve universitare licencën e nivelit të dytë (e barazvlefshme me studimet master të sotme) dhe më pas doktoraturën e përfundoi në Sorbone të Francës me temën “Gjuha dhe filozofia: një studim i strukturave gjuhësore të ontologjisë”, dhe në vitin 1985 fitoi doktoraturën në filozofi (PhD) me temën “Studimi i argumentimit logjik dhe arsyetimi i natyrshëm, me metodat e tyre” (në frëngjisht: Essai sur les logiques des raisonnements argumentatifs et naturels, ose në anglisht “Essay on the logic of argumentative and natural reasonings”). Përveçse flet arabisht, frëngjisht dhe anglisht, ai gjithashtu lexon gjermanisht, latinisht dhe greqishten e vjetër, të cilat i ka mësuar në mënyrë që të lexojë filozofët në gjuhën e tyre origjinale.
Abdurrahmani shërbeu si profesor i filozofisë së gjuhës dhe logjikës në Universitetin Mohammed V nga viti 1970 deri sa doli në pension në 2005-ën. Ai është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Argumentimit, si përfaqësues i Marokut; përfaqësues i Gesellschaft für Interkulturelle Philosophie / Shoqata i Filozofisë Ndërkulturore; dhe drejtor i Rrethit të Urtësisë për Mendimtarë dhe Hulumtues.
Ai është nderuar dy herë me Çmimin Nderi i Marokut dhe në vitin 2006 me Çmimin ISESCO në Mendimin dhe Filozofinë Islame. Ndërkohë, këtë javë në Ankara priti dhe çmimin “2024 IDE (Instituti i Mendimit Islam) Mendimtari i Madh”, të cilin instituti ynë e dhuroi për herë të parë këtë vit, dhe i cili u dorëzua nga Zv.Presidenti turk, z. Xhevdet Jëllmaz dhe Presidenti i institutit tonë, Prof. Dr. Mehmet Görmez.
Deri më tani numëron 36 libra të botuar, më i fundit doli nga shtypi këtë javë dhe promovimi u mbajt në biblotekën e Kompleksit Presidencial në Ankara, organizuar nga instituti ynë.
Disa aktivitete në një javë
Konferenca në Stamboll – Java e aktiviteteve nisi ditën e martë më datë 23 korrik, me takimin në Stamboll tek qendra simotër e Institutit për Mendimin Islam, ISAM (Islam Araştırmaları Merkezi/Qendra për Kërkime Islame), me ç’rast u mbajt ligjërata me temën “Si mund të themelojmë një mendim origjinal islam?”
Qendra me kapacitet maksimal 200 vetë priti një numër prej një mijë pjesmarrësish me një monitor edhe jashtë qendrës për të mundusuar ndjekjen e ligjëratës dhe nga pjesmarrësit që nuk arritën të futen brenda.
Ceremonia e Diplomimit, Konferenca dhe Ndarja e çmimit IDE 2024 – Të nesërmen, ditën e mërkurë me datë 24 korrik, Prof. Dr. Taha Abdurrahman mori pjesë si i ftuar nderi dhe folësi kryesor në Ceremoninë e Ndarjes së Certifikatave për studentët tanë ndërkombëtarë si dhe pjesmarrësit vendas të cilët morën pjesë në programin akademik 2023-2024 “Shkolla e Mendimit Islam”. Aktiviteti u mbajt në sallën e konferencave të universitetit Gazi, me një kapacitet prej 500 veta, ku u mirëpritë një pjesmarrje prej përafërsisht njëmijë vetë, të akomoduar në sallën kryesore, ballkoni teatral, si dhe parku në oborrin e jashtëm ku u vendos një monitor për shfaqje.
Konferenca me temë “Si të mendojmë në mënyrë islame: meditimi dhe soditja”, nisi me fjalën përshëndetëse të Presidentit të institutit tonë Prof. Dr. Mehmet Görmez i cili theksoi rëndësinë e mendimtarit dhe filozofit islam, Prof. Dr. Taha Abdurrahman. Më pas, vijoi me fjalën përshëndetëse të Zv/Presidentit turk, z. Xhevdet Jëllmaz, i cili përcolli përshëndetjet e përzemërta nga vetë Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, dhe i uroj sukses aktivitetit në fjalë.
Gjatë konferencës, filozofi maroken shpjegoi për rëndësinë e mendimit islam ne jetën tonë të përditshme dhe se si ne si umet (bashkësi islame) duhet të thellohemi në meditim për të kuptuar veten tonë, botën që na rrethon, duke u bazuar së pari në natyrshmërinë që na ka falur Zoti, për të analizuar të shkuarën dhe të tashmen tonë, për të marrë mësime teksa formësojmë të ardhmen tonë si umet dhe botë islame. Aktiviteteti përfundoi me dhënien e çmimit dhe dorëzimin e certifikatave për studentët.
Vizita në Institutin për Kërkime Islame në Ankara – Ditën e enjte, me datë 25 korrik, patëm nderin të presim në qendrën tonë, me ç’rast stazhierë, hulumtues dhe punëtorë të tjerë, patën mundësinë të prezantojnë vetet e tyre dhe punën që bëjnë dhe kështu të njihen më afër me mendimtarin e madh, i cili u shpreh i lumtur duke qenë në mesin e përfaqësuesëve nga vende të ndryshme të botës islame. Në takimin në fjalë ai ndau disa këshilla me pjesmarrësit, ndër to dhe fakti se si ne të rinjtë sot, si studentë, përmes hulumtimit dhe soditjes duhet të mendojmë thellë për mënyra të ndryshme se si t’i shërbejmë ummetit (bashkësisë islame nëpër botë).
Vizita në Presidencë – Vetë Presidenti Erdogan e priti filozofin maroken së bashku me bashkëshorten e tij. Presidenti e ftoi që promovimin e librit të ri të Prof. Dr. Taha Abdurrahman të mbahet në biblotekën e presidencës. Gjithashtu e ftoi si musafir të vetin për të mbajtur tek salla e konferencës presidenciale, konferencën mbi tematikën e çështjes palestineze, e cila ishte e parashikuar të mbahej në institutin tonë, ftesë të cilën filozofi e pranoi me dashamirësi.
Promovimi i librit “Filozofia e Siras (Jetës së Profetit): bazat e moralit” – Promovimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe me pjesmarrje me ftesa ku patëm nderin të marrim pjesë dhe ne si institut. Gjatë fjalimit të tij rreth librit të ri, filozofi maroken shpjegoi se edhe pse ka shumë libra mbi jetën e Profetit Muhamed, dhe të gjitha janë trajtuar nga aspekti historisë islame, akides, fikhut etj. e veçanta e këtij libri është se do të fokusohet nga aspketi moral (ahlakut) dhe i mendimit islam (meditim dhe soditje).
Një aspekt që më la për shtypje në këtë takim më miqësor dhe në një tavolinë të rrumbullakët, ishte pozitiviteti dhe buzëqeshja që ky dijetar i madh shfaqte gjatë qëndrimit dhe ligjërimit të tij. Ashtu siç ndodh në raste të tilla me njerëz të mëdhenjë, natyrshëm shfaqin një modesti të mahnitshme, dhe në këtë rast autori i librit, edhe pse në moshën tetëdhjetvjeçare me të hyrë në sallë erdhi rreth e rrotull tavolinës duke i shkuar pranë dhe zgjatur dorën të ftuarve burra, dhe vendosur dorën në zemër teksa përshëndeste tek tek pjesmarrëset gra, me diku një numër prej përafërsisht 30- 40 vetash. Në një tjetër moment teksa moderatori e shapalli të hapur momentin për pyetje-përgjigje, filozofi bëri më shenjë dhe e rikujtoi moderatorin që të falenderonte përkthyesin e tij në gjuhën turke.
Konferenca “E keqja absolute në kufi” rreth çështjes palestineze – Konferenca në fjalë u realizuan në ambientet e residencës presidenciale në kryeqytetin e Turqisë, me ftesë të posaçme nga vetë presidenti Erdogan.
Salla mirëpriti një numër prej përafërsisht njëqind veteranësh lufte palestinezë, të cilët ndodhen në Ankara për kurim, si dhe një pjesmarrje prej 500 vetësh, duke përfshirë përfaqësues ministrishë, trup diplomatik, trup akademik, përfaqësues shoqatash, dhe të ftuar të tjerë nga grupmosha të ndryshme. Pjesmarrës qenë dhe Këshilltari i Presidentit z. Sefer Turan, ish Ministria për Familjen dhe Punët Sociale, aktualisht drejtoresha e Organizatës për Kooperimin Islamik, Zehra Zymryt, Dilruba Kallën e bija e Ibrahim Kallënit, Kryetari i TIKA-s, z.Serkan Kayalar etj.
“Sot, mizoria dhe mundimi që po ushtrohet ndaj popullit të Gazës po ushtrohet edhe ndaj të gjithë njerëzimit. Populli palestinez ka përmbushur besëlidhjen që ka bërë me Zotin dhe ka përmbushur obligimin ndaj njerëzimit duke zgjedhur martirizim kundër së keqes absolute.
E keqja absolute nuk sulmon vetëm popullin e Gazës dhe as vetëm vlerat. Ajo i ka shpallur luftë fitras (natyrës njerëzore), e cila është burimi i të gjitha vlerave. Për shkak se natyra njerëzore është burimi i vlerave, nëse burimi shkatërrohet, edhe ajo që mban brenda është e dënuar të shkatërrohet.
Ky kundërshtim i madh kundër së keqes absolute, i paraqitur nga banorët e Gazës është një situatë universale dhe ideale për t’u marrë si rol model, pasi ndan të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, si rezultat i meditimit dhe soditjes”, u shpreh gjatë fjalimit të tij Prof. Dr. Taha Abdurrahman, duke përmbyllur kështu një turne aktivitetesh të cilat për nga natyra përmbushën një boshllëk që i mungonte Ankarasë në veçanti dhe Turqisë në përgjithësi. Duke shuar kështu etjen për aktivitete të tilla, gjë të cilën e dëshmoi edhe pjesmarrja masive nga grupmoshat të ndryshme të cilët kanë qëndruar për tre orë të tëra për secilin aktivitetet dhe pa e lënë sallën deri në në fjalën e fundit.