Ismaili alejhi selam – Mësime shpirtërore dhe psikologjike
Sot do të ndalemi te Ismaili (alejhi selam), biri i Ibrahimit (alejhi selam). Ndryshe nga Nuhu (alejhi selam), i cili hasi në mosbindjen dhe refuzimin e të birit, Ismaili ishte një bir që e ndau me babanë e tij shenjtërinë e misionit hyjnor.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Përmende në Libër Ismailin! Vërtet ai ishte i sinqertë në premtim dhe ishte i dërguar e profet.” (Merjem, 54)
Nga ky ajet mund të nxjerrim dy mësime kryesore:
- Ismaili nuk u bë profet vetëm sepse ishte biri i Ibrahimit, por për shkak të sinqeritetit dhe drejtësisë së tij. Sinqeriteti në fjalë, vepra dhe premtime është një vlerë thelbësore e fesë islame.
- Ai ishte i afërt me babanë e tij, duke ndarë me të misionin e përçimit të fesë dhe thirrjes në Allahun. Allahu thotë:
“Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: ’Pastrojeni Shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, për ata që bëjnë itikaf, për ata që falen duke u përkulur dhe duke u përulur.” (El-Bekare, 125)
Një tjetër ngjarje e rëndësishme është ëndrra e Ibrahimit, në të cilën ai pa se po e sakrifikonte të birin. Allahu e përshkruan këtë skenë:
“Kur ai arriti moshën që të ecte me të, Ibrahimi i tha: ‘O biri im! Kam parë në ëndërr se po të ther ty, prandaj shiko ç’mendon!’ Ai tha: ‘O ati im! Bëj atë që të është urdhëruar! Do të më gjesh, në dashtë Allahu, prej të durueshmëve.’” (Es-Saffat, 102)
Këtu shohim tee vlera madhështore te Ismaili (alejhi selam):
▪️Bindjen e plotë ndaj urdhrit të Allahut, pa asnjë hezitim.
▪️Durimin e tij të palëkundur, të shoqëruar me një besim të thellë në Allahun.
Kjo është shkalla më e lartë e besimit dhe dorëzimit ndaj urdhrit të Allahut, një shembull i përjetshëm për të gjithë besimtarët.
▪️këtu shohim edhe nje komunikim te shkëlqyshem familjar, per te cilin kemi shume nevoj madje edhe per tema shume te ndjeshme. Thjesht edukimi fetar nuk behet me urdhera por behet me komunik, dashuri dhe respekt per tu kulmura pastaj me binjde ndaj Zotit.
Hoxhë Halil Avdulli
