Ish-ushtari i UÇK-së në paraburgim, Izet Mexhiti tha për mediat: Po punojmë larg mediave që të lirohet Blerim Ramadani
Zv.kryeministri në Qeverinë e RMV-së Izet Mexhiti, ka folur për rastin e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u arrestua në Maqedoni me kërkesë të Serbisë.
Mexhiti tha se ka tendencë nga BDI që ky të paraqitet si rasti i parë i arrestimit të ish-ushtarëve të UÇK-së në Maqedoni. Megjithatë ai tha se po punojnë që ai të lirohet sa më shpejt “Ka tendencë nga BDI për ta gënjyer opinionin se ky është rasti i parë. Ata që i njohin rrethanat e dinë se ka qenë rasti Dugolli, Morina dhe disa raste tjera kur ka pasur pushtet absolut BDI”.
“Neve na vjen keq që ka ndodhur kjo, po punojmë çdo ditë pa pompozitet larg mediave, që ai ta merr epilogun e drejtësisë dhe të jetë i lirë si të gjithë të tjerët”, tha Mexhiti.
Pas arrestimit nga organet e RMV-së, Gjykata Penale e Shkupit vendosi 30 ditë paraburgim për ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani. Ai u dërgua në burgun ekstradues në Shutkë të Shkupit. Fletarresti ndërkombëtar lëshuar nga Serbia në Interpol, u pranua nga Gjykata Penale.