Connect with us

Press24.info

“Idhujtarët e djeshëm janë edhe idhujtarët e sotëm…”

Opinion

“Idhujtarët e djeshëm janë edhe idhujtarët e sotëm…”

“Idhujtarët e djeshëm janë edhe idhujtarët e sotëm…”

Justinian Topulli

Idhujtarët e sotëm, adhurues të sajesave njerëzore, tashmë kanë gjetur një hyj të ri, ku kanë varur shpresat dhe iluzionet e tyre për një parajsë tokësore artificiale, që do të krijohet -sipas tyre- nga Inteligjenca Artificiale Kompjuterike. Kjo perëndi e re -sipas tyre- do të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit, të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja, varfërinë, lodhjen, pabarazinë etj. që deri më sot nuk i zgjidhi dot asnjë ideologji moderne. Kjo teknologji, sipas tyre, vetëm do t’i shërbejë njeriut, duke marrë në dorë administrimin e jetës së tij, por pa i bërë dëm atij aspak dhe pa u kompromentuar në vetvete nga askush!
Këta iluzionistë që shkruajnë edhe sot e kësaj dite të tilla utopi, janë tashmë -pas kaq e kaq vjet dështimesh të utopive- të vetëdijshëm se këto janë vetëm ëndrra, të cilat mund të mos realizohen, por atyre u pëlqen të ëndërrojnë, sepse e kanë kuptuar që ëndrrat e mbajnë gjallë jetën dhe përpjekjen njerëzore për një jetë të lumtur pa kufi. Por ata nuk bëjnë dallim mes fantazisë dhe iluzioneve që burojnë nga dëshirat dhe tekat njerëzore, dhe idealeve që vijnë nga sublimja hyjnore e përtejme, për ta, janë të gjitha njëlloj dhe burojnë vetëm nga njeriu. Ndaj dhe për ta, nuk është problem që në çdo epokë të adhurojnë një hyjni të re të shpikur prej tyre, në dallim nga ata që besojnë e adhurojnë gjithmonë dhe kurdoherë të njëjtin Zot Krijues.
Idhujtarët e djeshëm janë edhe idhujtarët e sotëm, u ndryshon vetëm emri dhe lloji i perëndive që adhurojnë, por në thelb, mbeten po ata politeistë dhe idhujtarë të humbur e të lajthitur si dikur. Ndaj për këtë arsye, shirku (politeizmi) dhe teuhidi (monoteizmi) janë çështje bazike në jetën e njerëzimit, në çdo kohë dhe epokë, dhe nuk e humbasin kurrë të qenit anakronike. Vetëm thjesht kërkon pak meditim dhe përsiatje reflektuese, për të kuptuar se asgjë nuk ka ndryshuar nga natyra njerëzore në thelb, duke mbetur po ajo që ka qenë. Është pikërisht kjo natyrë, qoftë biologjike qoftë shpirtërore që i rikthehet dhe i vërtitet vazhdimisht boshtit të natyrës së saj fillestare, sado të mendojë se ka shkuar shumë larg saj.
Njeriu në këtë botë është peng i përjetshëm i natyrës së tij biologjike dhe shpirtërore, të cilat sado t’i modifikojë dhe manipulojë, me çfarëdo mënyre dhe teknologjie, nuk do të arrijë dot të ngadhënjejë përfundimisht mbi to. Kjo natyrë kokëforte, herë pas here do të ngrejë krye për t’i treguar njeriut që është aty, si shenjë e përjetshme e Krijimit të Zotit, që nuk mund të ndryshohet, sado që të shpërfytyrohet.

 

Ndaj dhe e vërteta e përjetshme e natyrës njerëzore nuk ndryshon kurrë, për këtë dhe parimet e moralit dhe sjelljes njerëzore janë të vulosura të mos ndryshojnë kurrë. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (er-Rum: 30)
Duke qenë se biologjia dhe shpirti i njeriut nuk mund të zëvendësohen me një biologji dhe shpirt të ri të manipuluar plotësisht nga njeriu, atëherë si të jetosh në epokën e gurit, apo të “inteligjencës” kompjuterike, do të mbetesh po ai njeri që të ka krijuar Zoti, ndaj dhe duhet t’i qëndrosh me zgjedhjen tënde të lirë këtyre parimeve, nëse do të jetosh në harmoni me natyrën tënde të krijuar. Kjo është e vërteta e pandryshueshme që Islami u tregon njerëzve. Nëse refuzon dhe këmbëngul ta zëvendësosh atë, atëherë je injoranti i radhës në turmën e madhe të të paditurve të kësaj bote, që nuk njohin Zotin e tyre dhe krijimin e Tij.

Hoxhë Justinian Topulli

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top