Me 3 vite burg është dënuar një 32-vjeçar shqiptar nga autoritet franceze, pasi u kap duke punuar në një fermë kanabisi. Plantacioni me kanabis u zbulua në një fshat me vetëm 250 banorë, në zonën midis Mende dhe Saint-Chély-d’Apcher, në Lozère.

Brenda një shtëpie shumëkatëshe, autoritetet sekuestruan 132 bimë marijuane si dhe pajisje të specializuara për kultivimin e tyre. Sipas mediave franceze, çdo kat i ndërtesës ishte përshtatur për faza të ndryshme të kultivimit, duke e kthyer banesën në një laborator të sofistikuar të paligjshëm.

Gjykata urdhëroi gjithashtu deportimin e tij pas përfundimit të dënimit, duke i ndaluar kthimin në Francë në mënyrë të përhershme.

Autoritetet franceze e cilësuan këtë rast si një goditje të rëndësishme kundër kultivimit të paligjshëm të drogës në zona rurale të vendit, ku shpesh aktivitetet kriminale përpiqen të kalojnë pa u vënë re.