Debutoi me gol në finalen e Superkupës së Europës, presidenti Perez: Mbape e ka nisur me këmbën e mbarë
Francezi po bënte debutimin e tij me fanellën e bardhë dhe ai ka lënë gjurmë që në 90 minutat e para, duke shënuar golin e dytë të mbrëmjes. Ai i ka emocionuar jo pak tifozët madrilenë që kishin udhëtuar në Varshavë. Mes atyre që janë kënaqur me paraqitjen dhe golin e Mbape ka qenë dhe presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez. Ai vlerësoi golin e sulmuesit francez në Superkupën e Evropës dhe siguroi se ky gol në debutim do ta ndihmojë edhe më shumë.
“Kjo fitore, ky sukses në Superkupë na jep energji për një sezon të gjatë, shumë të vështirë por dhe emocionues. Fakti që Mbape ka debutuar me fanellën e Realit të Madridit duke shënuar një gol e bën atë shumë të lumtur dhe do t’i japë shumë inkurajim për sezonin”, tha Perez për “Real Madrid TV”.
Më pas ai ka vazhduar: “E takova pas ndeshjes, ishte shumë i lumtur, kur mori medaljen e tij”. Presidenti i Real Madridit u shpreh i kënaqur me fillimin e sezonit në të njëjtën mënyrë si ai i fundit që përfundoi një muaj e gjysmë më parë dhe siguroi se lojtarët e tij duhet ta përsërisin punën nëse duan të arrijnë sukses.
“Jam i emocionuar që vazhdojmë të fitojmë tituj të shumtë. Por ne duhet të punojmë fort dhe shumë siç bëmë vitin e kaluar për të korrur shpërblimet, sepse është e vërtetë që kemi një ekip të madh, askush nuk e dyshon këtë”, deklaroi numri një i klubit të bardhë.