Blerim Bexheti: Mexhiti po përdor një retorikë të papërgjegjshme, me daljen nga BDI-ja ai shiti interesat e kombit!
Pas kërcënimeve që arritën në adresë të deputetëve të BDI-së, kishte shumë reagime. Shumica e reagimeve ishin në mbështetje të deputetëve të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Mirëpo për këtë rast kishte reaguar edhe Izet Mexhiti, ish zyrtar i lartë i kësaj partie, duke akuzuar se deputetët e BDI-së kanë dërguar vetë këto e-maila.
Kundër kësaj deklarate të Mexhitit ka reaguar deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti i cili përmes një statusi i është përgjigjur Mexhitit.
Bexheti ka vlerësuar se kjo deklaratë nuk është vetëm politikisht e gabuar, por edhe e dëmshme për harmoninë dhe tolerancën tonë të përbashkët.
Kujton se për 20 vite Mexhiti ka pasur pozita të larta shtetërore dhe partiake. Vlerëson se me të larguar nga BDI-ja Mexhiti ka pranuar të shesë interesat e kombit shqiptar.
Sipas Bexhetit, Mexhiti po përdor një retorikë të papërgjegjshme.
Reagimi i plotë:
Marrë parasysh situatën e fundit të dërgimit të mesazheve kërcënuese ndaj shqiptarëve në adresë të deputetëve të BDI-së, që përmbajnë një gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime të rënda, duam të shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj deklaratës së fundit të z. Izet Mexhiti. Akuzat e tij se deputetët e BDI-së kanë dërguar vetë këto emaila janë të papranueshme dhe thellësisht çnjerëzore.
Z. Mexhiti, i cili ka mbajtur pozita të larta shtetërore dhe partiake si nënkryetar i BDI-së për 20 vite, para se të largohet dhe të shesë interesat e kombit shqiptar, po përdor një retorikë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Ai po akuzon kolegët me të cilët ka vepruar dhe punuar për dy dekada, duke ngritur dyshime të pabaza dhe të pavërteta. Çfarë lloj njeriu është ai që pas kaq vitesh shërbimi të përbashkët, bën deklarata të tilla të pamatura dhe të dëmshme?
Kjo deklaratë nuk është vetëm politikisht e gabuar, por edhe e dëmshme për harmoninë dhe tolerancën tonë të përbashkët. Në këtë kohë kur shqiptarët përballen me kërcënime, presione të tilla dhe margjinalizim të plotë i ftojmë qytetarët shqiptarë të ruajnë gjakftohësinë dhe të qëndrojmë të bashkuar dhe të mbrojmë të drejtat tona me vendosmëri.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe institucionet që të dënojnë këto akte të urrejtjes, duke u zbardhur e vërteta sa më parë dhe duke marrë dënim përkatës gjithsecili që kërcënon një komb të tërë.
Me respekt,