Besianë Musmurati (PDK): Edhe sivjet, Qeveria Kurti po i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor
Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati, ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkak se siç tha, po i lë sërish nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.
Në një konferencë për media, ajo tha se njoftimi i djeshëm nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se librat do të blihen njëlloj si vitin e kaluar, është shenjë se 1 Shtatori përsëri do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.
“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosovës dhe ministren Nagavci të papërgatitur. Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mos sigurimin e librave shkollore në kohë. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasave 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin pa libra”, theksoi Musmurati.
Më tej ai shtoi se Qeveria Kurti po i shpenzon mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani, dhe se ministres Nagavci nuk po i bëhet vonë, sepse “eksperimentet që rezultuan të gabuara, po i përsëritë qëllimshëm prapë”.
Sipas Musmuratit, vitin e kaluar Qeveria Kurti e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave dhe se ka pasur nxënës që për dy gjysëmvjetorë shkollorë u kanë munguar disa nga librat.