Beogradi ‘vlon’ nga protesta, 107 mijë qytetarë bashkë kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiç: Populli nuk të mbështet më! Presidenti: E kuptuam mesazhin (FOTO+VIDEO)
TIRANE- Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e sotme në qendër të Beogradit për të protestuar kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Prej orës 16:00 deri në orën 20:30 (15 mars) mbi 107 mijë protestues u mblodhën në shesh pas thirrjes së studentëve, të cilët, për më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad ku 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.
Protesta e sotme konsiderohet si më e madhja përgjatë këtyre 4 muajve protesta që kanë sfiduar pushtetin autokratik të presidentit Aleksandar Vuçiç, ndërsa shifra e pjesëmarrjes u konfirmua nga ministria e Brendshme e Serbisë.

“Shikojeni sa shumë jemi këtu. Lë të zgjojë zëri ynë Serbinë”, tha një student para turmës, në sheshin Sllavija të Beogradit kur nisën të mbahen fjalimet
Zhurma e bilbilave dhe vuvuzelave ka mbushur kryeqytetin serb, i cili ishte në gatishmëri të lartë që nga momenti i shpalljes së tubimit. Disa protestues mbanin pankarta me mbishkrimin “Ai ka mbaruar!”, ndërsa të tjerë brohorisnin “Pump it up” (Motivohemi më shumë), një slogan i miratuar nga protesta studentore. Ministria e Brendshme e Serbisë thotë se mbi 100 mijë persona janë mbledhur në protestë.
“Shpresoj që kjo protestë të tronditë autoritetin e Vuçiçit dhe ai të kuptojë se populli nuk e mbështet më,” tha një protestues, Milenko Kovaçeviç.
Kur turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej dhe studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar, një grup huliganësh rrahën studentët.
Grupi i quajtur “Studentët 2.0”, që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.
Në një mesazh drejtuar popullit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas protestës se pushteti e ka kuptuar mesazhin. “Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”, tha ai.
Megjithatë, Vuçiç vlerësoi se shumica e qytetarëve nuk duan “revolucion me ngjyra”.
Përshkallëzimi i tensioneve
Edhe në mesditë policia raportoi arrestimin e një personi që përplasi makinën mbi turmën e protestuesve në një periferi të Beogradit, duke plagosur tre persona.
Përpara demonstratës, tensionet ishin të larta, pasi mbështetësit e presidentit ngritën një kamp në një park përballë pallatit presidencial. Vuçiç paralajmëroi se forcat e sigurisë do të përdornin forcë kundër protestuesve.
Transporti publik në Beograd u anulua sot, në atë që u pa si një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen në tubim, ndërsa rrugët drejt kryeqytetit u bllokuan nga kolona të gjata makinash. Kompania e transportit e justifikoi vendimin me “arsye sigurie”.
Vuçiç, i cili ka dominuar politikën serbe që nga viti 2014 si kryeministër dhe më pas si president në 2017, deklaroi se nuk do të largohej nga pushteti për shkak të protestave. “Do të duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni,” u shpreh ai.
Zemërimi pas tragjedisë në Novi Sad
Autoritetet serbe janë përballur me protesta të përditshme që nga nëntori, kur shembja e një çatie në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 15 personave. Shumë qytetarë e fajësojnë korrupsionin për këtë tragjedi, pasi Vuçiç kishte përuruar renovimet e stacionit në 2022.
Lëvizja protestuese është kryesisht pa lidership dhe ka qenë e qetë, por Vuçiç ka pretenduar se protestuesit “po përpiqen të arrijnë qëllime përmes dhunës” dhe ka parashikuar që “shumë do të përfundojnë pas hekurave”.
Ndërkohë, ultranacionalistë të njohur, përfshirë anëtarë të një milicie të lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiç në 2003, janë parë në mesin e aktivistëve pro-qeveritarë të kampuar pranë pallatit presidencial.
Presion ndërkombëtar mbi Serbinë
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe transparencë nga institucionet. Deri më tani, mbi dhjetë persona janë akuzuar për shembjen e çatisë, ndërkohë Kryeministri Millosh Vuçeviç, dha dorëheqjen në janar, së bashku me kryetarin aktual të bashkisë.
Vuçiç, i cili shihet si njeriu që sakrifikoi kryeministrin për të ruajtur pozicionin e tij, ka refuzuar formimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda gjashtë muajve. Ai ka akuzuar Perëndimin për organizimin e protestave me synimin për ta larguar nga pushteti dhe për të “shkatërruar Serbinë”, duke përdorur një narrativë të ngjashme me atë ruse.
Një grup eurodeputetësh i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se “reagimi i Serbisë ndaj protestave do të jetë një provë vendimtare e angazhimit të saj ndaj standardeve të BE-së”.
