Connect with us

Press24.info

Bazat filozofike të projektit civilizues islam

Opinion

Bazat filozofike të projektit civilizues islam

Bazat filozofike të projektit civilizues islam

Niveli i ulët aktual në të cilin kemi zbritur ne muslimanët në lidhje me hierarkinë e civilizimit aktual i ka bërë ata, që kanë arritur shkallët më të larta të këtij civilizimi, ta shohin si të tepërt ambicjen e muslimanëve për të arritur nivelin e tyre madje e shohin si të tillë edhe dëshirën për të kontribuar në procesin e civilizimit të përgjithshëm human. Ata thonë, herë me fjalë e herë me sjellje: si mund tu shkojë mendja ju muslimanëve, të kontribuoni në pasurimin e këtij civilizimi apo të paraqisni projekt reformues të civilizimit njerëzor? Ju madje nuk keni as të drejtën e ambicies për t’iu bashkangjitur karvanit të civilizimit sepse jeni të zhytur në injorancë individuale dhe popullore, jeni nënvlerësues të të drejtave të njeriut dhe thuajse çdo gjë që hani, vishni dhe hypni (mjete transporti) ju vjen nga prapa detit.

Ky qëndrim, në realitet, zë fill nga tre pikënisje: nga lufta psikologjike që synon demoralizimin e muslimanëve, nga injoranca ndaj aftësive dhe energjive materiale dhe shpirtërore që ka umeti musliman për të ngritur si civilizim dhe nga realiteti i dhimbshëm aktual i këtij umeti.

Megjithatë ky qëndrim është i pasaktë e i pavërtetë dhe shembet me anë të dy argumenteve vendimtare, njëri historik e tjetri parimor e moral.

Argumenti historik vërteton se muslimanët janë një umet me një përvojë historike shumë të pasur, që konsiston në ngritjen e civilizimit më madhështor, më të pastër e më të dobishëm që ka parë ndonjëherë historia. Kur ky umet filloi ngritjen e këtij civilizimi, me ftesën profetike nga pika zero apo afër zeros, distanca mes nesh dhe civilizimeve gjigande të asaj kohe nuk ishte më e ngushtë se sa distance aktuale e cila ndan mes nesh dhe ndërtuesve të civilizimit aktual, madje ka qenë më e largët dhe më e gjerë. Kjo distancë ngushtohet edhe më shumë kur merr në konsideratë përparimin e sotëm teknologjik, i cili nuk ka ekzistuar në atë kohë. Megjithëse qëndronte ajo distancë e gjatë mes nesh dhe atyre civilizimeve, umeti musliman arriti ta kalojë atë dhe t’i kalojë ato civilizime përmes saktësimit, orientimit dhe shpikjeve të shumta në një kohë shumë të shkurtër, që vazhdon të mbetet një enigmë për të gjithë studiuesit dhe historianët e civilizimit human.

Argumenti i dytë, që plotëson të parin, është fakti se faktori, i cili ngriti civilizimin islam në ciklin e tij të parë, vazhdon të jetë akoma në këmbë madje në kulmin e forcës së tij. Ky faktor konsiston në vlerat, parimet dhe normat e besimit, morale dhe juridike të ngritura mbi një themel të vetëm atë të besimt unik e të pastër (teuhid). Të gjitha këto së bashku kur zënë vend në shpirt, prodhojnë një forcë të brendshme, që vë në lëvizje dinamikën civilizuese, e shprehur kjo në nisjen, orientimin dhe saktësimin e civilizimit. Argument për këtë është fakti se umeti musliman ka mundur të ruajë ekzistencën e tij, pavarësisht stuhive dhe rrebesheve të historisë, të cilat e kanë rrahur atë.

Dëshmia e historisë, dëshmia e forcës parimore të mësimeve islame si dhe dëshmia e krizave të shumta, nga të cilat vuan civilizimi aktual, të gjitha këto vlejnë si argument i pamohueshëm, që mbështet të drejtën tonë për të paraqitur një opsion të ri civilizimi si dhe aftësinë tonë për të rezistuar në fushën e konkurencës mes civilizimeve. Ndryshe nga cikli i parë i civilizimit islam, që nisi me profetësinë dhe u ngrit brenda pak viteve, që i ngjau spontanitetit, cikli që duam të nisim nuk mund të ngrihet ndryshe, vetëm se me një kthim të ri tek feja, i shoqëruar me një përpjekje të fuqishme, të mishëruar me ide dhe punë, që hedh në pistën e konkurencës një projekt civilizues të kompletuar të themeluar mbi një perceptim të fortë, që ushqehet nga esenca e parimeve islame, nga përvoja civilizuese e kaluar që e ka krijuar vetë, nga përfitimi i arritjeve të mrekullueshme të civilizimit actual, si dhe nga mësimet e nxjerra prej krizave dhe sëmundjeve nga të cilat vuan ky civilizim.

Në këtë proces spontaniteti nuk funksionon, sepse profetësia shtytëse ka përfunduar me vulën e profetëve dhe pista e konkurencës civilizuese është shumë e ngjeshur dhe në të nuk mund të rezistojë e të shfaqet përveçse projekti me baza dhe parime të forta dhe me argumente bindëse për njerëzit.

Po cilat janë bazat filozofike mbi të cilat mund të shtrohet ky projekt në fillimin e këtij njëmijëvjeçari të ri, që jetë një projekt, i cili i jep njerëzimit një të mirë të re ashtu siç ia ka dhënë të mirën në të kaluarën dhe t’ia drejtojë rrugën civilizimit aktual, i cili po përjeton rrezikun e shkatërrimit si në aspektin e humanizmit njerëzor, po ashtu edhe në atë të arritjeve materiale dhe shkencore.

Mendojmë se nga bazat më të rëndësishme janë tre: Misioni hyjnor i mëkëmbjës së njeriut në tokë, përhapja e të mirës tek të gjithë njerëzit dhe bashkëveprimi i dobishëm e i saktë me gjithësinë.

1- Misioni hyjnor i mëkëmbjes së njeriut në tokë

Në projektin civilizues të cilin e shtrojmë në fillimin e këtij mijëvjeçari të ri toka lidhet me qiellin, ndryshe nga civilizimi aktual, i cili ka shpërthyer nga dheu dhe vazhdon të zhytet në thellësitë e tij dhe duke qenë i shkëputur nga udhëzimi dhe drejtimi hyjnor. Si pasojë e kësaj, sot ky civilizim vuan nga fenomene, që dhunojnë njeriun si në sferën e tij individuale ashtu edhe në atë shoqërore.

Ky komunikim dhe lidhje me qiellin është ajo që quhet mëkëmbje në tokë. Pra ky është një projekt civilizues, hyjnor e mëkëmbës. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një mission, me të cilin është ngarkuar njeriu nga ana e Allahut të Madhëruar dhe në të njëjtën kohë përbën objektivin për të cilin është krijuar njeriu në tokë. Ky mision është deklaruar në Kur’anin Fisnik në kontekstin e njoftimin hyjnor për ekzistencën e njeriut të parë Ademit (a.s) dhe si mision jo vetëm i Ademit (a.s) por edhe I fëmijëve të tij. “Dhe kur Zoti yt u tha melaikeve: Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës”[1]

Pra ky projekt civilizues komandohet nga lidhja mes njeriut dhe Allahut të Madhërishëm, obligim prej Allahut dhe zbatim prej njeriut. I gjithi ky projekt me të gjitha shtyllat e tij, bazat dhe degët e tij është i orientuar drejt Allahut Lavdiplotë, synon kënaqësinë e Tij përmes zbatimit të obligimeve prej Tij. Sakaq thelbi i këtij projekti dhe synimi i tij i përjetshëm është lartësimi dhe ngjitja e njeriut drejt Allahut të Madhërishëm për t’u takuar me Të siç vërteton shprehja kur’anore “O ti njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e atë do ta gjesh”[2]

Ky lartësim drejt Allahut, i cili përbën në vetvete objektivin e projektit civilizues islam, realizohet në një trajektore gjithëpërfshirëse, që përbëhet nga linja të shumta por që takohen tek një objektiv i vetëm.

A– Lartësimi i entitetit personal njerëzor është linja e parë e këtij lartësimi i cili konsiston në përsosmërinë e plotë të këtij entiteti human me të gjithë elementët e tij shpirtërorë, mendorë dhe fizikë përmes kthimit të pastër tek Allahu i Madhëruar, luftës me nefsin urdhërues për të keqe dhe meditimit të vazhdueshëm në kërkim të së vërtetës së kudo ndodhur në botën e dukshme e të padukshme si dhe përmes mirë menaxhimit të dhuntive fizike, në atë formë që i shërben objektivit madhor. Ky lloj lartësimi mundëson në të njëjtën kohë ruajtjen e ekuilibrit të këtij entiteti human të shprehur në Kur’anin Fisnik “Forma më e përsosur”[3] tek individi dhe tek i gjithë lloji njerëzor.

B– Lartësimi i entitetit shoqëror. Në këtë lloj lartësimi synohet e gjithë shoqëria njerëzore për t`u ngjitur drejt Allahut të Madhëruar përmes vlerave të vëllazërisë, mëshirës, solidarizimit, bashkëpunimit, këshillimit dhe nxitjes për mirë, vlera këto që lindin në këtë shoqëri dhe që i përmbledh fjala e Allahut të Madhëruar “O ju njerëz ne ju kemi krijuar nga një mashkull e nga një femër e ju kemi bërë popuj dhe fise që të njiheni. Më i nderuari prej jush tek Allahu është më i devotshmi”[4] Njohja e përmendur në këtë verset kuranor ka për qëllim shndërrimin e të gjithë popujve dhe fiseve, pavarësisht etnive dhe racave njerëzore, në një unitet bashkëpunues të drejtuar furishëm, për t’u afruar tek Allahu përmes realizimit të urdhërave të Tij. Kjo përbën devotshmërinë, e cila ka përmbyllur versetin kuranor, për të cilën duhet të bëhet njohja.

C- Lulëzimi i tokës. Kjo realizohet në sajë të përfytyrimit dhe perceptimit të saktë të realitetit, të gjithësisë dhe ligjeve të saj, përsosjes së metodës së bashkëveprimit me këtë gjithësi dhe shfrytëzimit të përbërësve të saj sipas kësaj metode, shfrytëzim i cili ndalet në pikën ku realizohet lumturia njerëzore me anë të shfrytëzimit maksimal të natyrës por në të njëjtën kohë duke e ruajtur këtë natyrë nga të gjitha llojet e shkatërrimit. Ky lloj bashkëveprimi me tokën dhe gjithësinë mbështet dhe ndihmon udhëtimin e njeriut drejt Allahut të Madhëruar, gjatë të cilit realizon obligimin e lulëzimit të tokës dhe ndalimin nga shkatërrimi në të përshtatshmërisht me objektivin suprem për të cilin është krijuar njeriu.

Këto tre linja të projektit civilizues islam e pajisin këtë projekt me një objektiv të përcaktuar, i cili shtrihet me njeriun në horizonte të largëta e të gjëra, që në aspektin kohor i kalojnë kufijtë e jetës së shkurtër të kësaj bote për tek një jetë tjetër pa fund, e në aspektin e vlerës e ngrenë njeriun në ato gradë të lumturisë humane, caqet e të cilës nuk mund të perceptohen nga mendjet njerëzore, siç e ngre njeriun ky lloj objektivi, në ato grada të kënaqësisë hyjnore që kapacitetet e tij nuk mund ta përfshijnë përderisa njeriu është në këtë botë.

Ky objektiv i largët, si në aspektin e kohës po ashtu edhe të vlerës, i cili përbën në vetvete substancën e rrjetit besimor me të cilin është thurur ky projekt, ka si veti reflektimin e tij në çdo detaj të këtij projekti, që ka të bëjë me njeriun, gjë që e bën një projekt të dalluar nga çdo lloj projekti tjetër civilizues. Kjo vërtetohet absolutisht përmes argumentit të llogjikës, historisë dhe analogjisë.

Llogjikisht ai projekt që i shtrin horizontet e njeriut drejt objektivave të largëta, e furnizon njeriun me ëndrra dhe shpresa që mbushin këto horizonte dhe rjedhimisht e shtyjnë njeriun për një përpjekje të vazhdueshme të karakterizuar nga besimi dhe puna e mirë që realizojnë këto ëndrra. Sakaq kemi të bëjmë me një jetë të lumtur dhe të mbushur me shpresë dhe aktivitet.

Historia vërteton se frytet e civilizimit islam për njeriun kanë qenë të pafundme, si në sferën e lartësimit të qenies personale njerëzore, në aspektin e lartësimit të të gjitha fushave të jetës shoqërore dhe në sferën e lartësimit të rrugëve të shfrytëzimit të potencialeve dhe kapaciteteve të tokës dhe gjithësisë gjë që është e pohuar dhe nga vetë jodashamirësit e këtij civilizimi.

Analogjia vërteton se civilizimi aktual duke qenë se ka mbirë nga dheu, i shkëputur nga Allahu si objektiv për të, horizontet dhe ëndrrat e tij kufizohen me vendmbirjen e tij materialo-tokësore. Kështu që të angazhuarit me këtë civilizim shumë shpejt kuptojnë se projekti i tyre ka arritur tavanin e tij dhe ka përfunduar qëllimet dhe synimet e tij. Pra ëndrrat përfundojnë me përfundimin e objektivit të tij, siç mbaron edhe energjia apo karburanti që vë në lëvizje motorrin e jetës. Rrjedhimisht kemi të bëjmë me stres dhe depresion, që dukshëm vihet re në jetën e shumë perëndimorëve. Filozofikisht kjo vërehet në shkollat e doktrinës nihiliste të ngopura me depresion, humbje shprese dhe demoralizim si në rastin e filozofisë ekzistenciale ndërsa praktikisht shfaqet përmes fenomeneve të vetvrasjes individuale dhe masive, alkoolizimit, drogimit dhe ushtrimit të dhunës së egër. Ngritja e vazhdueshme e përqindjes së këtyre fenomeneve në shoqëritë më shumë të civilizuara perëndimore është një nga treguesit më të fuqishëm për çfarë pohuam.

Ai projekt që ka si objektiv suprem realizimin i mirëqenies materiale, aspiratat dhe interesat e tij përfundojnë shpejt dhe reflekton natyrshëm, vakum në shpirt dhe demarolizim në jetë. Ndërsa projekti që ka si objektiv suprem Allahun e Madhëruar, synimet e tij nuk përfundojnë asnjëherë, shpirti i të angazhuarve me të është vazhdimisht i lulëzuar me shpresë, malli i ripërtëritshëm i shtyn drejt objektivit të largët hypur mbi karvanin e pandërprerë të punës për arritjen e këtij objektivi. Ky është projekti civilizues islam që shtrojmë në këtë fillim të këtij mijëvjeçari të tretë.

2 – Dëshmia ndaj njerëzve (Shehadeh). Përhapja e të mirës te të gjithë njerëzit

Ky është një parim filozofik i marrë nga thënia e Allahut të Madhëruar “Ne ju kemi bërë një popull të mesëm që ju të jeni dëshmitarë ndaj njerëzve dhe për të qenë dërguari dëshmitar ndaj jush” [5]

Projekti civilizues islam nuk synon vetëm një grup të caktuar njerëzish duke u nisur nga feja, raca apo gjuha, por të gjithë njerëzimin. Ky projekt synon realizimin e të mirës dhe lumturisë për njeriun e pakufizuar nga koha dhe vendi. Kështu që një nga themelet mbi të cilat ngrihet është parimi i dëshmisë ndaj njerëzve që konsiston në garantimin e të mirës materiale dhe shpirtërore për të gjithë njerëzimin dhe përhapjen e saj tek të gjithë nën hijen e vëllazërisë humane gjithpërfshirëse e cila nuk njeh dallim, përjashtim, mendjemadhësi dhe kryeneçësi.

Elementi thelbësor i kësaj dëshmie është lartësimi i çështjes së njeriut dhe vendosja e saj në krye të piramidës së krijesave të botës si nderim për qenien e tij humane. Të shumtë janë treguesit që nxjerrin në pah këtë pozitë kaq të lartë. Krijimi dhe ekzistenca e tij në tokë si nderim hyjnor për njeriun, forma e tij më e përsosur me përbërësit shpirtërorë dhe fizikë, nderimi i tij me emanetin e përgjegjësisë, shtrirja e jetës së tij në përjetësi, nënshtrimi i të gjithë kapaciteteve të gjithësisë për interes dhe dobi të tij, të drejtat e shumta dhe të gjitha gjërat që gëzon ky njeri për hir të humanitetit të tij, të gjithë këta elemente që janë të shtjelluara në detajet e sheriatit islam vërtetojnë meritueshmërinë e njeriut për këtë pozitë të lartë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne, në të vërtetë, i kemi nderuar bijtë e Ademit, u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira e i lartësuam mbi shumë krijesave që Ne i krijuam”[6]

Mbi themelet e këtij nderimi është ngritur dëshmia ndaj njerëzve. Kjo dëshmi shtrihet në tre dimensione.

Dimensioni i parë është ai i dijes. Ajo është thelbi i dëshmisë ndaj njerëzve dhe shtrihet në të gjitha sferat e së vërtetës, në sferën e ligjeve dhe objektivave të fesë, në sferën e jetës së njeriut me thellësitë e tij individuale, ligjet e jetës së tij shoqërore, kulturat dhe fetë e vjetra dhe aktuale dhe në sferën e gjithësisë dhe fenomeneve e ligjeve të saj bashkë me mënyrat e shfrytëzimit të saj. Kjo dije me degët e saj të ndryshme është lënda e së mirës, me të cilën civilizimi islam dëshmon ndaj njerëzve dhe dëshiron t’jua dhurojë për të përmirësuar jetën dhe për të lumturuar njeriun.

Dimensioni i dytë është dëshmia e transmetimit dhe ftesës. Projekti civilizues islam ndër të tjerat ngrihet edhe mbi transmetimin e dijes tek i gjithë njerëzimi, si i dijes fetare po ashtu edhe i asaj humane dhe natyrore. Dija është pronë e të gjithë njerëzimit dhe si e tillë duhet t’i sqarohet, t’i mësohet, t’i transmetohet e duhet të vihet në shërbim të dobisë dhe lumturisë së saj. Forca e pozitës së kësaj dëshmie në projektin civilizues islam arrin atë nivel që e ka përshkruar hadithi i Profetit Muhamed (a.s): “Ai që fsheh një dije të dobishme do të lidhet ditën e Kijametit me një kapistër prej zjarrit”[7]. Ky është një kurs misionar i këtij projekti, që nxit dhe ndez përgjegjësinë e shpëtimit të njeriut përmes transmetimit të së vërtetës shpirtërore dhe materiale tek ky njeri dhe shtytjes së tij për të punuar me të në rrugën e lartësimit të jetës së tij drejt lumturisë. Këtu konsiston komenti i Ebu Hurejres lidhur me ajetin kur’anor: “Le të jetë prej jush një grup që ftojnë për tek e mira dhe urdhërojnë për të drejtën”[8], “jeni njerëzit më të mirë për njerëzit… . Muslimanët japin pasuritë dhe shpirtrat e tyre në luftë dhe përpjekje për të mirën e njerëzve. Ata janë populli më i mirë për të gjitha krijesat”

Dimensioni i tretë është dëshmia e drejtësisë. Projekti civilizues islam i trajton të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë dhe i peshon me peshoren e drejtësisë mbështetur mbi themelin e parimit të mesatares, në aspektin e rrymave religjoze dhe atyre filozofike, parim i cili ekuilibron mes përbërësve human, personal dhe social duke mos anuar nga ekstremizmat, tek të cilat kanë anuar një pjesë e madhe e feve, filozofive, shkollave dhe civilizimeve. Në të njëjtën kohë shtjellon me objektivitet realitetin e kulturave të popujve, feve të tyre, historive dhe arritjeve të ndryshme të civilizimeve të tyre pa asnjë lloj keqinterpretimi dhe devijimi, duke përfituar në të njëjtën kohë, nga e dobishmja dhe duke pohuar dhe pranuar të mirën e të tjerëve dhe arritjet e tyre. Pranimi dhe miratimi i të drejtës së ndryshimit kulturor dhe civil i popujve larg despotizmit dhe përçmimit si dhe qëndrimi në krahë të të dhunuarve dhe të shtypurve duke i mbrojtur nga padrejtësia dhe faktorët e saj janë elementë të tjerë përbërës të kësaj dëshmie. Këto koncepte të drejtësisë i përfshin ajeti kur’anor: “Në të vërtetë Allahu ju urdhëron që emanetet t’ua ktheni atyre që iu takojnë dhe kur të gjykoni mes njerëzve të gjykoni me drejtësi”[9]. Për të ardhur keq është fakti se shumica e komentuesve të Kur’anit e kanë neglizhuar dimensionin ndërkombëtar të gjykimit me drejtësi në këtë ajet duke e kufizuar me konfliktet brenda umetit musliman ndërkohë që konteksti në të cilin është zbritur ajeti konfirmon dimensionin ndërkombëtar dhe e bën atë një prej elementëve përbërës të dëshmisë ndaj njerëzve.

Këtë dëshmi që e ka realizuar civilizimi islam përgjatë përvojës së tij historike ndaj popujve të tokës, në nderim të qenies humane, e më së miri fakti se Ata’ ibn Ebi Rebahu ishte emëruar nga dinastia e Beni Umejes (Omejade) për të qenë i vetmi myfti muslimanëve gjatë kohës së haxhit, për të gjitha çështjet që kishin të bënin me këtë adhurim të madh, sezon në të cilin dyndeshin njerëzit në Mekë, të ardhur nga çdo vend islam. Ata’ ibn Ebi Rebahu ishte i zi, i verbër në njërin sy, hundështypur, i paralizuar e i çalë, flokë dredhur dhe në fund të jetës së tij verbohet plotësisht. Të gjithë cilësitë aksidentale nuk zunë vend në peshoren islame të vlerësimit por u nderua qenia humane e këtij tabi’iju të nderuar.

3 – Bashkëveprimi i saktë e i dobishëm me gjithësinë.

Kja bazë përbëhet nga dy elementë kryesorë: përfitimi nga të mirat e vendosura në natyrë dhe trajtimi i mirë e ruajtja e kësaj natyre nga shkatërrimi. Baza hyjnore e marëdhënieve mes njeriut dhe gjithësisë është themeli mbi të cilin ngrihet ky parim. Gjithësia është pasqyra më e madhe e veçorive të Allahut të Madhëruar, vullnetit, fuqisë, dijes dhe mëshirës së Tij. Sakaq lidhja e njeriut me gjithësinë kapërcen marrëdhënien materiale drejt një horizonti shpirtëror duke synuar Allahun përmes bashkëveprimit me fenomenet e kësaj gjithësie. Pra marrëdhënia e njeriut me gjithësinë është një nga rrugëkalimet më të rëndësishme të lidhjeve me Allahun. Në kuadër të kësaj lloj marrëdhënie lidhjet e njeriut me mjedisin e gjithësisë karakterizohen nga dashuria, mëshira, dhimshuria dhe butësia, karakteristika këto që burojnë nga vëllazëria mes tyre, që konsiston tek krijimi dhe rregullimi i tyre nga ana e Allahut të Madhëruar dhe që shtrihet tek të gjithë krijesat e gjalla dhe të vdekura të gjithësisë, larg çdo armiqësie, konflikti, dhunimi dhe keqtrajtimi. Këtë pohon edhe Profeti (a.s) kur pa malin e Uhudit kur u kthye në Medine nga një udhëtim: “Ky është një mal që na do dhe e duam”[10]dhe mali Uhud në këtë hadith është simboli i të gjitha krijesave të natyrës. Por në kuadrin e kësaj lidhjeje shpirtërore mes njeriut dhe gjithësisë, njeriu mbetet zotëriu i gjithësisë, përbërësit e së cilës janë nënshtruar në interes dhe dobi të tij. Në bazë të këtij parimi përcaktohet lidhja praktike mes njeriut dhe gjithësisë në dy linja plotësuese të njëra-tjetrës.

Linja e parë: përfitimi nga elementët përbërës të gjithësisë në atë mënyrë që çon në lartësimin e individit dhe shoqërisë dhe rezulton në realizimin e misionit të mëkëmbjes në tokë që shpjeguam më sipër. Ky përfitim realizohet në dy forma.

E para është përfitimi shpirtëror duke kaluar matanë fenomeneve natyrore tek nocionet e besimit, vërtetësia e ekzistencës së Allahut dhe e cilësive të Tij, vërtetësia e ringjalljes dhe rikthimit përmes shijimit të bukurive të shumëllojta e të përsosura të këtyre fenomeneve natyrore.

E dyta është përfitimi material që realizohet duke zbuluar ligjet materiale, mbi bazën e të cilave funksionon gjithësia dhe vënia në punë e këtyre ligjeve për të shfrytëzuar të mirat natyrore dhe për të kërkuar e shijuar mirësinë e Allahut në këtë natyrë. Shfrytëzimi në këtë formë i kësaj gjithësie garanton vazhdimësinë e zhvillimit, prodhimtarisë dhe fryteve të saj. Në të njëjtën kohë pengon pezullimin e dobive të saj si dhe stërmundimin që ia shkakton shfrytëzimi i saj me forma që nuk përputhen me ligjet materiale hyjnore. Këtë koncept e thekson Profeti Muhamed (a.s) thellësisht në një hadith që ka të bëjë me fikhun e civilizimit dhe të shfrytëzimit të gjithësisë: “Një burrë kishte hipur mbi lopën e tij dhe po e godiste. Ajo i tha: ne nuk jemi krijuar për këtë por për të lëvruar tokën”[11]

Linja e dytë: Mëshira, dashamirësia dhe përkujdesja ndaj natyrës përgjatë shfrytëzimit të përbërësve të saj. Kjo dashamirësi dhe përkujdesje shprehet përmes ruajtjes së këtyre përbërësve nga shkatërrimi absurd, i cili çon në prishjen e ekuilibrit natyror që e ka caktuar Allahu si ligj vendimtar për produktivitetin e vazhdueshëm natyror. Siç shprehet duke e mbrojtur nga ndotja e saj me helmet, kimikatet dhe mbejtjet bërthamore që shkaktojnë të njëjtin rezultat. Po ashtu shprehet përmes ndalimit të përdorimit jo objektiv, nga i cili nuk rrjedh ndonjë dobi reale për njeriun, gjë që çon në destabilizim të jetës njerëzore edhe në rang brezash.

Ky fikh (perceptim i hollë) i përkujdesjes dhe mëshirës ndaj gjithësisë ngrihet në gradat më të larta të forcës detyruese, brenda projektit civilizues islam, duke e konsideruar të kundërtën e saj, shkatërrimin në tokë, një prej nëngradave të hipokrizisë. Ky qëndrim synon të theksojë maksimalisht ndalimin e këtij shkatërrimi dhe rigorozitetin ndaj tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ka prej atyre njerëzve që të mahnit me fjalët e tij, por vetëm në këtë botë, e për atë që ka në zemrën e tij e paraqet Allahun dëshmues e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E porsa të iki e të kthejë shpinën shkakton shkatërrime në tokë, asgjëson të mbjellat dhe gjallesat. Allahu nuk e do çregullimin dhe shkatërrimin”[12]

Shejhu i komentuesve të Kuranit, Imam Tabariu ka perceptuar shumë hollë dhe thellë fikhun e civilizimit në këtë ajet kuranor gjë që nuk e kemi gjetur tek të tjerët. Ai ka konstatuar dhe sintetizuar në këtë ajet një parim të madh e të përgjithshëm civilizues. Ai thekson, duke kritikuar në njëfarë mënyre ata, që janë përqëndruar vetëm tek shkaku i zbritjes së këtij ajeti dhe e kanë trajtuar në kuadrin e një ngjarje specifike, se: “Sudiu-komentues kurani- ka përmendur se ky ajet ka zbritur për personat që vranë kafshët e fisit musliman dhe dogjën të mbjellat e tyre. Por ky kuptim edhe pse përfshihet nga ky ajet, Është e saktë që ky ajet të ketë zbritur si shkak i tyre por në të njëjtën kohë ka për qëllim çdokënd që bën si ata, pra vret ato qenie të gjalla që s’duhen vrarë asnjëherë apo që lejohen të vriten por i vret jo për shkaqe të drejta. Madje unë mendoj se ky është qëllimi thelbësor i ajetit kuranor, sepse Allahu i Madhëruar nuk ka specifikuar gjë nga ky ajet por e ka lënë të përgjithshëm”

Ky lloj fikhu ka gjetur një zbatim real e të shquar në civilizimin islam dhe që është shprehur përmes shfrytëzimit të drejtë të mirësive të Allahut në gjithësi dhe përmes mëshirës së demostruar duke e ruajtur nga shkatërrimi e shpërdorimi. Këtë lloj fikhu e ka përmbledhur porosia e Ebu Bekër Siddikut që ia dha njërit prej komandantëve të tij gjatë kohës që po shoqëronte ushtrinë e tij për në Sham: “Mos prit pemët frytdhënëse, mos shkatërro ndërtesa, mos therr dele dhe deve vetëm se në rast nevoje, mos mbyt plantacionet e palmave dhe mos i digj ato”[13]. Kjo porosi ka të bëjë me luftrat, të cilat natyrshëm mund të çojnë në një lloj shkatërrimi po vallë si komentohet në lidhje me kushtet normale të jetës?!

Nëse do të krahasojmë këtë fikh, me të cilin Islami e trajton gjithësinë, me fikhun mbi të cilin është ngritur civilizimi predominant aktual, do dalë në pah dukshëm dallimi i madh mes të dyve, në peshoren e vlerës civilizuese në interes të të parit. Civilizimi aktual është ngritur mbi parimin e armiqësisë ndaj natyrës, rivalitetit ndaj saj, mposhtjes dhe predominimit të saj dhe grabitjes dhe rrëmbimit të të mirave të saj, duke synuar realizimin e objektivit më të lartë të jetës, mirëqenien materiale. Për formimin e kësaj kulture kanë bashkëpunuar rezerva historike greke, romake dhe kristiane me produktin e ri të filozofisë materialiste. E gjitha kjo ka kaluar në nivelin e bindjes intelektuale të shprehur prej njërit nga filozofët e këtij civilizimi: “Zbatimi i koncepteve morale në fushën e marrëdhënieve me natyrën çon në skepticizëm të madh. Prerja e pyjeve dhe vrasja e kafshëve nuk janë vepra të pamoralshme. Fusha e morales dhe e jo morales është e kufizuar vetëm me njeriun dhe shoqërinë njerëzore”.[14]

Ky konceptim teorik reflektoi drejtpërsëdrejti në fushën e jetës konkrete ashtu siç e ka përshkruajtur Reno Dobo sjelljen e emigrantëve europianë ndaj natyrës në kontinentin amerikan: “Pjesa dërrmuese e emigrantëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë i konsideruan pyjet, malet dhe fushat toka të egra, që duhet të pushtohen, të predominohen e të frenohen për të realizuar pasurinë dhe mirëqenien materiale”[15]. Pavarësisht fryteve të dukshme materiale që ka dhënë projekti civilizues aktual, fikhu i tij, si ai teorik edhe ai praktik, ka dhënë një frut shumë të athët, athtësia e të cilit vërehet qartë tek ndotja e tmerrshme e ambientit e cila kanos dhe rrezikon rëndë vetë këtë civilizim bashkë me frytet e tij materiale.

Fikhu i projektit civilizues islam, të cilin ua ofrojmë njerëzve në këtë shekull, e lidh këtë civilizim me tre litarë të fuqishëm.

I pari e lidh me Allahun e Lartmadhëruar. Nga ky litar njeriu merr qëllimin e jetës së tij, të qënurit mëkëmbës i Allahut në tokë. Në të njëjtën kohë ripërtërin forcën shtytëse, që i mundëson mbushjen e jetës me shpresë dhe punë.

I dyti është litari që e lidh me njerëzit dhe që e bën të jetë dëshmitar ndaj tyre në aspektin e dijes, ftesës dhe shpëtimit nga humbja dhe stërmundimi.

I treti e lidh me gjithësinë. Ky litar e bën këtë njeri ta shikojë gjithësinë si mejdan për kërkimin e mirësisë së Allahut. Siç e obligon të përkujdeset për këtë gjithësi dhe ta ruajë nga duart anarshike, shkatërruese dhe shpërdoruese.

Ashtu siç qe ky projekt shpëtim për njerëzimin në ciklin e tij të pare, i cili u realizua me valën dhe impulsin e profetësisë, ashtu mund të jetë edhe në këtë mijëvjeçar të tretë pas një përvoje civilizuese, që ka siguruar dobinë materiale por vetë promovuesit dhe shijuesit e saj kanë dëshmuar për vuajtjet dhe stërmundimet, që i ka shkatuar qenies humane në humanizmin e saj, kështu që kërkon për shpëtim. Fakti që profetësia ka përfunduar me vdekjen e profetit të fundit (a.s) e bën umetin musliman përgjegjës për transmetimin e këtij projekti, tek të gjithë njerëzit, teorikisht me anë të sqarimit dhe bindjes dhe praktikisht me anë të modelit të mirë.

Mendoj se muslimanët në perëndim duke qenë se në njërin aspekt janë të formuar në bazë me mësimet profetike dhe në aspektin tjetër po përjetojnë nga afër civilizimin perëndimor me frutat e tij të dobishme e të dëmshme, janë ajo kategori që mban peshën më të rëndë në këtë mision të transmetimit të këtij projekti ashtu siç do ta kenë llogarinë më të madhe ditën e llogarisë. Sakaq duhet që ta shikojnë këtë projekt mbi bazat e fikhut që shpejguam më sipër që të dalin me sukses.

Autor: Abdulmexhid Nexhar

[1] – Sure Bekare: 30.

[2] – Sure Inshikak: 6.

[3] – Sure Tin: 3.

[4] – Sure Huxhurat: 14.

[5] – Sure Bekare: 143.

[6] – Sure Isra: 70.

[7] – Tirmidhiu.

[8] – Sure A’raf: 105.

[9] – Sure Nisa: 58.

[10] – Buhariu.

[11] – Buhariu.

[12] – Sure Bekare: 204 – 205.

[13] – Mailiku.

[14] -“Natyra, civilizimi, njeriu” fq: 44, i Toganirof.

[15] – “Humanizimi i njeriut” fq 154 i Reno Dobo.

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top