Batatina: Fitore e rëndësishme pas lodhjes dhe ndeshjeve në Evropë
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka vlerësuar të rëndësishme fitoren e parë të skuadrës së tij në Superligën e Kosovës në futboll.
Llapi mposhti Feronikelin 74 në Drenas me rezultatin, 2:0, në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit kosovar. Batatina të dielën për KOHËN ka theksuar se fitorja ndaj Feronikelit 74 është arritur në momentet më të mira.
“Mendoj se kjo fitore ka ardhur në momentet më të mira. Ishim të lodhur nga udhëtimet dhe ndeshjet e Evropës dhe nuk u paraqitëm mirë në ndeshjen e parë. Por ajo ndeshje na shërbeu shumë që të ndryshojmë qasjen e lojës dhe sot mendoj se i merituam pikët e plota pas dominimit në fushë. Por ne mundemi edhe më shumë. Më gëzon rikthimi i Valmir Veliut dhe forma e shkëlqyer e Elvir Gashijanit dhe Ahmed Januzit. Në anën taktike po shkon duke u përmirësuar skuadra. Besoj shumë në këta lojtarë dhe në këtë skuadër se nga ndeshja në ndeshje do të shfaqin lojë më të mirë dhe më bindëse”, ka thënë Batatina.
Llapi në garat evropiane u ndal fillimisht në raundin e parë të Ligës së Evropës nga Wisla Krakow i Polonisë e më pas edhe në raundin e dytë të Ligës së Konferencës nga Brondby i Danimarkës.