Connect with us

Press24.info

Ballkani në çështjet kozmike të politikës turke

Opinion

Ballkani në çështjet kozmike të politikës turke

Ballkani në çështjet kozmike të politikës turke

Nuridin AHMETI

(Gürsel Dönmez, Çështje kozmike-hyrje në metodologjinë e shtetit dhe të agjenturës, (Përktheu nga turqishtja Rubin Hoxha), Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2023, f. 584).

Pas përkthimeve në gjuhen shqipe të botuara nga Logos-A me qendër në Shkup, si: Fëmijët e apokalipsit, 2012; Çështja kozmike, 2016: Tharm fjalësh, 2017; Çështja e thellë, 2018, katalogut të botimeve të Shtëpisë Botuese “Logos-A” me qendër në Shkup, kohët e fundit i është shtuar edhe një libër me interes në fushën e politikës “Çështje kozmike”, të autorit dhe studiuesit të njohur turk Gürsel Dönmez. Në fakt ky libër është ribotim apo me mirë të themi version i zgjeruar, i botimit të mëhershëm.

Kur e lexon titullin, libri të lë mjaft përshtypje dhe të bën kureshtar ta lexosh pa ndërprerë dhe me vëmendje, por kur e shikon se ky libër është lexuar dhe ka marr sugjerimet, edhe të ish-kryeagjentit turk dhe tani udhëheqësit të politikës së jashtme turke, libri sa vjen dhe duket edhe më interesant. Libri duket se është produkt i përvojës shumëvjeçare akademike të autorit. Autori, duke u nisur nga teoritë e dëshmuara të hulumtimit, sigurinë e sheh të domosdoshme, jo vetëm në aspektin individual, por edhe në atë shoqëror.

Para së te analizoj librin, dua të theksoj disa karakteristika të librit, përkatësisht ato karakteristika që më kanë bërë ta lexoj atë. Janë tri arsye kryesore që më kanë nxitur ta lexoj këtë libër:

E para, duke e shfletuar atë, më intereson çështja se si e sheh autori Turqinë në “çështjen kozmike”, sepse deshëm apo nuk deshëm ato parametra të Turqisë na prekin edhe ne si shtet dhe si popull;

E dyta, çështja se ku është Ballkani dhe posaçërisht shqiptarët në çështjen kozmike, dhe,

E treta, a mund të jenë të realizueshme këto aspekte të trajtuara në libër?

Libri, përveç parathënies dhe hyrjes, është i përbërë nga disa kapituj. Në këta kapituj, autori trajton teoritë e përgjithshme, tepolitike, të shtetit, sigurisë kombëtare, psikopolitike, politikës së jashtme e asaj kuantike. Trajtohen vendsundimi, diasporologjia, urbanologjia, sociometrika, ekonometrika, mitologjia e doktrina e inteligjencës dhe linjat tektonike politike në rendin e ri botëror.

Siç edhe është titulli i librit, edhe kërkimi për ta gjetur të vërtetën, mbetën gjithmonë “angazhim kozmik” (f. 16).

Kush është Gürsel Dönmez?

Gürsel ka lindur më 1964 në Turqi. Pas mbarimit të arsimit fillor në Bursa, të mesmit në Sakarja, Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Ankarasë, magjistraturës në fushën ekonomisë në Universitetin e Vjenës, gjatë viteve 1993-1998 përfundon edhe doktoratën në Institutin e Filozofisë dhe Institutin e Sociologjisë Ekonomike të Universitetit Ekonomik të Vjenës. Ka punuar si asistent kërkimor në Universitetin e njohur Gaziosmanpasha të Tokatit në Turqi. Ka botuar analiza në shtypin e ditor, poezi e artikuj në revista të ndryshme. Ka mbajtur ligjërata në cilësi të pedagogut dhe si i ftuar brenda dhe jashtë vendit. Gjatë viteve 2009-2018 ka shërbyer në kuadër të kryeministrisë dhe, nga vitit 2018 shërben në kuadër të Presidencës. Njeh disa gjuhë të huaja. Është autor i disa librave të shkruara nga viti 1993.

Çështja kozmike

Në trajtimin e përgjithshëm të aspekteve kozmike të politikës turke, autori ka renditur disa. Por, vendin kryesor apo kupola e gjithë aspekteve tjera të trajtuar, mbetet siguria, individuale dhe ajo shoqërorë. Siguria, nuk mund të jetë efikase në qoftë se nuk plotësohet edhe me disa aspekte të tjera, të cilat autori i ka radhitur si, vendsundimi, diasporologjia, urbanologjia, sociometrika, ekonometrika etj. Kur trajtohet një aspekt i veçantë në këtë libër, autori është i bindur në këtë drejtim, se njohja e një aspekti qoftë fetar, politik apo ekonomik etj., brenda Turqisë, është i mangët në qoftë se nuk i  njeh edhe aspektet fetar, politik apo ekonomik., në aspektin global. Le ta marrim si shembull aspektin fetar. Autori, benë analizën, shpjegon aspektin terminologjik, e sqaron hartën e shtrirjes dhe trajton aspektet e Judaizmit, shtrirjen dhe politikat e dominimit dhe të denominimit. Pothuajse, me po të njëjtat sqarime vazhdohet edhe me krishterimin. Autori është i bindur se për ta njohur një popull apo edhe kontinent me politikat e tij, është e pa tjetërsueshme edhe njohja në thelb e aspekteve fetare të atij vendi. Bie fjala, kur jemi te perëndimi, autori decitivisht thekson: “Pa njohur Vatikani nuk mund të njihet as bota e sotme perëndimorë”(f. 98). Kur jemi te teopolitika dhe fetë, grupet fetare mbesin të rëndësishme për tu analizuar, sepse ato në formën e vetë kanë dominimin në shtete të caktuara e në kontinente. Pra, nuk është e rastësishme që autori i kushton rendësi edhe grupimeve fetare, sepse pa një tablo të plotë edhe të këtyre grupimeve, njoha e tepolitikës mbetët e mangët. Grupimet fetare, te të gjitha feve janë të domosdoshme për analiza të kujdesshme, si: Anglikanët, protestantët, shiitët, veprimtaria vehabiste, traditat fetare të budizimit dhe hinduizimit etj.

Shteti zë një vend të rëndësishëm në trajtimin Dönmezit, po aq sa siguria, sepse këto dy aspekte shkojnë në vi linare. Autori ofron teorinë për shtetin, por për ta kuptuar më mirë këtë teori, sipas autorit është e domosdoshme njohuria mbi ekuacionin e shtetit. Zbërthimi i ekuacionit të shtetit mund të kuptohet vetëm përmes elementeve, e që janë: Kombi, shteti, burimet natyrore, gjeografia, kultura, historia, edukimi, populli, morali, drejtësia, njeriu, dija, parimet, burrat e shtetit, drejtësia, administrata sistemi social, ekonomia, teknologjia dhe fuqia. Po që se shikohen me kujdes elementet e lartpërmendura, vëren se ato janë të lidhura ndërmjet veti dhe për të funksionuar në formën me të mirë, duhet të gjitha të jenë funksionale dhe stabile. Në qoftë se njëra nga këto, mund të ketë ngecje, sigurisht, se do të shkaktonte probleme në tërësinë e funksionimit të shtetit. Dönmez, është i kujdesshmen kur e benë edhe renditjen e këtyre elementeve. Niset nga kombi dhe përfundon me teknologjinë e fuqinë. Të gjitha këto, në funksionimin stabil, ja afrojnë fuqinë e një vendi- shtetit e rrjedhimisht edhe të një shoqërie. “Shteti është një sublimitet përtej totalit të të gjitha elementeve që e përbejnë. Në këtë shkallë shteti është një ide dhe ideal i lashtë”-shënon në mes tjerash Dönmez (f. 137).

Kur jemi të aspekti i edukimit, sigurisht se kjo është e lidhur shumë edhe me popullin, sepse “cilësia e një populli varet nga mesatarja e inteligjencës dhe shkalla edukative”- shprehet Dönmez. Ky aspekt, në qoftë se vështrohet edhe në ditët e sotme, nëpër disa vende të botës, lehtësisht është e verifikueshme. Një popull, ndoshta numerikisht është  i vogël, por ka arsim cilësor, zëri i tij  dëgjohet. Popull, numerikisht, i madh, por nuk kanë arsim cilësor dhe nuk kanë ndonjë ndikim në aspektin global.  Me një fjalë, për të funksionuar shteti është e domosdoshme funksionalizimi i të gjitha mekanizmave të lartcekur dhe funksionalizimi i mekanizmave brenda shtetëror, i mundëson një shtetit të ketë edhe diplomaci aktive jashtë kufijve të tij.

Kur, autori benë fjalë për diplomacinë jashtë kufijve, janë të përfshirë kryesisht te diasporologjia. Një vend të veçantë në trajtimin e autorit zë Ballkani dhe disa popuj si boshnjakët dhe shqiptarët.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve

Një nga çështjet me interes për lexuesin shqiptar që trajtohet në libër është bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Siç dihet, bashkimin kombëtar te shqiptarët, ndoshta është pika me ndjeshme. Shikuar në aspektin historik, në ligjërimin nacionalist shqiptar, bashkimi është ëndërr e kahershme e shqiptarëve. Edhe sot, nga  disa organizata të cilat kanë kryer hulumtime, rezulton se pjesa dërmuese sidomos e shqiptarëve në Kosovë e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë në një shtet të vetëm. Duke e shfletuar librin e  Dönmezit, lexuesit has edhe në këtë citat se “shqiptarët janë aktor kyç i Ballkan. (Nëse në ardhmen e afërt shqiptarët, që tani janë si një çelës i thyer, bashkohen dhe shumëçka do të ndryshojë!” (f.106) – shkruan në mes tjerash studiuesi Dönmez. Pra, për autorin, shqiptarët janë “aktor kyç i Ballkanit”, “çelës i thyer”, por bashkimi mund të jetë “në të ardhmen e afërt”. Të gjithë këto cilësime për shqiptarët e parashikim për bashkimin kombëtar të lënë të kuptosh se pa faktorin shqiptar, Turqia e ka të pamundur realizimin e strategjisë së saj në Ballkan. Duhet potencuar se te shqiptarët qarkullon edhe një legjendë urbane, se Republika e Turqisë, konkretisht udhëheqësit e politikës së tanishme turke, kanë shprehur admirimin për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën. Padyshim, se kjo lëvizje në rrethanat e tanishme ndërkombëtare duket e pamundur, por me tronditjet gjeopolitike të cilat po ndodhin në botë, ky opsion duhet të jetë i domosdoshëm për shqiptarët, në qoftë se dëshirojnë të ekzistojnë si komb.

Boshnjakët dhe shqiptarët “popuj të besës”

Nëse e lexojmë studiuesin e njohur Oliver Schmit, duket se kur shkruan për Ballkanin gjatë periudhës së sundimit osman, shqiptarët dhe boshnjakët, sipas tij ishin “shtylla kurrizore”[1], e sundimit të kësaj perandorie në Ballkan. Derisa studiuesi i njohur Oliver Schmit e ka të qartësuar këtë aspekt, sa i përket këtyre dy popujve në Perandorinë Osmane, edhe autori Dönmez, e ka mendimin e tij, rreth këtyre dy popujve në raport me Turqinë e sotme.

Ai, kur është fjala për shqiptarët dhe boshnjakët, i cilëson si “popuj të besës”. Por, për autorin, këta dy popuj, së bashku me grupet kumano-kipçake, peçeneket e pomakët, konsiderohen “vëllezër të plotë” (f. 180).  Për më tepër, autori këta dy popuj i sheh të afërt dhe vëllezër edhe në aspektin kulturologjik dhe antropologjik (f. 183). Por, mbi të gjitha detyrë parësore mbetet “forcimi i elementeve miqësore” (f. 203).

Para se gjithash, miqësia dhe forcimi i kësaj miqësie në vazhdimësi shihet si parësore me shqiptarët dhe boshnjakët. Sigurisht, se në këtë aspekt, dikush edhe mund të mos pajtohet, por autori është i vetëdijshëm në këtë drejtim, andaj që në parathënie shprehet se ky libër “është shkruar për ata që nuk janë të kënaqur me botën ku jetojnë. U rrëfen gjëra të vështira atyre që nuk e përtypin dot këtë botë dhe këtë kohë…, një vepër të pazakontë në kuptimin akademik (f. 14-15).

Përfundim

Duke e shfletuar këtë libër, mund të thuhet se Ballkani mbetet në orbitën e interesimeve turke edhe për shkak të së kaluarës.

Disa pikëpamje të autorit, që lidhen me bashkimin kombëtar të shqiptarëve, ndoshta tani mund të dukën utopike, por dinamizimi i zhvillimeve gjeo-politike në botë, mund të bëjë që disa aspekte mund të lëvizin në drejtimin që e sheh autori.

Si libër, do ua kisha sygjeruar;

– Të gjithë atyre që merren me çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe raportin e politikës turke në rajon dhe me gjerë;

– Studiuesve të historisë së Ballkanit të periudhës së re, sepse do të gjejnë të dhëna që ndoshta do tu shërbejnë gjatë karrierës së tyre akademike.

– Analistëve politikë, edhe pse mund të mos pajtohen me disa pikëpamje, por të paktën si informacione duhet t’i dinë.

– Studentëve nga Ballkani, të cilët studiojnë fushat shoqërore, sepse ky libër do të ju ndihmojë në qartësimin e problematikave të ndryshme me të cilat përballen popujt e Ballkanit në raport me të tjerët.

– Njerëzve të fesë, që dëshirojnë me shumë të dinë nga teopolitika dhe sa i rëndësishëm është ky aspekt në ditët e sotme, dhe si duhet të jetë fusha e veprimit në këtë drejtim. Duhet, theksuar se gjatë historisë ka fakte të bollshme se aspekti teologjik ka qenë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e disa veprimeve të perandorive të ndryshme, të cilat kanë qëndruar në trojet shqiptare. Në qoftë se është përmendur tani nga autori, si diçka e rëndësishme për mbarëvajtje edhe të politikës turke, diçka e tillë ka qenë e praktikuar shumë më herët nga disa perandori në trojet shqiptare. Në 584 faqe, të interesuarit do të gjejnë informacione e të dhëna, interesante, disa prej të cilave edhe mund të nxisin debate dhe tema për diskutim.

[1] Oliver Jens Shmit, Shqiptarët–një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, (Përkthyer nga Ardian Klosi), K&B, Tiranë, 2012, f. 69.

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top