Atentati në Tiranë/ Gjendet motori që përdorën autorët, i kishin vënë flakën në Mullet
Policia e Tiranës ka ndarë për mediat një njoftim me informacion shtesë, ne lidhje më ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë kur ndaj një automjeti u qëllua më armë zjarri dhe mbetën të plagosur 4 persona.
Njoftohet se është gjetur një motomjet i djegur në fshatin Fikas në Mullet.
Sipas policisë, dyshohet se mjeti është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Njoftimi:
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
© SYRI.net
