“Aktet e Konferencës Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip 1879-2019”, një nga botimet tona të reja
Fondacioni ALSAR e përkujtoi pesë vite më parë me një konferencë shkencore 140-vjetorin e themelimit të Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip.
Siç do të thoshte asokohe, në fjalën e hapjes, kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, nisma për konferencën nuk ishte e rastësishme, por në vazhdën e përmbushjes së misionit të fondacionit për t’i shërbyer çështjes kombëtare, për t’i rikujtuar dhe për t’u ridhënë zë figurave që luftuan në të shkuarën për të, për të risjellë produkte kulturore të kthyera në tribunë të mendimit intelektual dhe politik rilindas.
Ai nënvizonte tek u drejtohej pjesëmarrësve se ky lloj aktiviteti jepte mundësinë për t’i rifreskuar dijet për ngjarje të tilla madhore në historinë e kombit tonë, për t’i parë ato në një dritë më realiste, me më shumë paanësi intelektuale, dhe për të hequr dorë prej shablloneve ideologjike që na e kanë dëmtuar deri dje gjykimin e saktë dhe të drejtë.
Kumtuesit, autoritete të mendimit akademik, mes tyre dhe nga Turqia, e vunë në pah sërish rëndësinë historike të krijimit të Shoqërisë së Stambollit.
Prania e personaliteteve të ndryshme në atë konferencë e tregonte qartë seriozitetin dhe vlerën e saj në përvjetorin e kremtuar.
Aktet e konferencës janë mbledhur në një botim, dalë tani nga shtypi, si dokumentim i prekshëm i një prej sipërmarrjeve më të arrira kulturore të Fondacionit ALSAR.