Mijëra vetë protestuan në Uashington kundër Netanjahut
Mërkurën para Kapitolit në Uashington, mijëra protestues u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj luftës së Izraelit në Gazë, në momentin kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu po paraqitej para anëtarëve të Kongresit, sipas raportimit të Zërit të Amerikës.
Disa prej protestuesve mbajtën flamuj palestinezë dhe pankarta ku Netanjahu akuzohej si “kriminel i kërkuar për lufte”, lidhur me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, megjithatë ai e mohon kategorikisht këtë akuzë për krime lufte.
Trafiku u bllokua në disa rrugë pranë Kapitolit për shkak të numrit të madh të protestuesve. Një prej tyre, Bradley Cullinan nga Kolumbus, Ohio, shprehu dëshirën që ndihma për Izraelin të pezullohej në dritën e veprimeve të tij në Gazë.
Dhjetëra ligjvënës demokratë bojkotuan fjalimin e Netanjahut në Kongres, duke shprehur shqetësimin për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare që ka shkaktuar ofensiva e Izraelit në Gazë.
Në protestë morën pjesë edhe anëtarë të një grupi hebre ultra-ortodoks, të cilët mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta me shkrime si “Palestina e lirë” dhe “Anti-zionizmi nuk është antisemitizëm”. Grupet pro-palestineze dhe studentët universitarë kanë organizuar protesta për muaj të tërë në Shtetet e Bashkuara kundër fushatës së Izraelit në Gazë.