Connect with us

Press24.info

Bloomberg: Planet e mëdha të Jared Kushnerit në Ballkan

Shqipëri

Bloomberg: Planet e mëdha të Jared Kushnerit në Ballkan

Bloomberg: Planet e mëdha të Jared Kushnerit në Ballkan

I rrethuar nga ujërat kristal të Detit Mesdhe, ishulli shkëmbor i Sazanit shërbeu si bazë ushtarake shqiptare gjatë Luftës së Ftohtë.

I izoluar nga pjesa tjetër e atij, që ishte një nga vendet më të izoluara në botë, ndërtesat dhe bunkerët e tij të prishur tani janë të mbushura me bimësi.

Rreth 480 kilometra në veri, dy blloqe kullash të bombarduara shohin nga një bulevard i madh në Beograd. Dikur selia e Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë, ato u goditën nga raketat e NATO-s në vitin 1999, skeleti i tyre tani mbetet pjesë e tureve turistike në kryeqytetin serb.

Deri në kohët e fundit, dy reliket e konfliktit nuk kishin asgjë të përbashkët. Derisa u shfaq Jared Kushner.

Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump dëshiron t’i kthejë ato në destinacione luksoze për të pasurit në botë. Ai planifikon të shpenzojë më shumë se 1 miliard dollarë, për të ndërtuar hotele dhe shtëpi, investimi i vetëm më i madh deri më tani nga fondi i tij privat i kapitalit Affinity Partners.

Projektet bien në sy menjëherë në këtë cep të paqëndrueshëm politikisht dhe etnikisht të Europës, dhe ato tashmë po shkaktojnë disa polemika lokale, se si të mbrohet mjedisi dhe trashëgimia kulturore në një rajon ku kujtimet janë ende të papërpunuara.

Qeveria shqiptare dhe ajo serbe po mbrojnë investimet nga aleati i tyre kryesor i SHBA-së, duke thënë se ato do të sjellin përfitime ekonomike, si vende pune dhe përmirësim të ofertës së tyre kombëtare të turizmit.

Kritikët thonë se është për të fituar në favorin e familjes Trump, për shkak të perspektivës së kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë dhe procesi i miratimit po përshpejtohet.

Nëse synimi është ekskluziviteti, atëherë Sazani ka avantazh. Për dekada nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, ishulli ishte shkëputur nga pjesa tjetër e vendit, si një vend që në vetvete ishte një nga më të vështirët për t’u vizituar ose për t’u larguar.

Kushner caktoi fondet për projektin nga firma e tij private, pasi vizitoi disa herë vendin ballkanik me 2.2 milionë banorë dhe u kthye në ishull në qershor. Fondi prej 3 miliardë dollarësh mbështetet nga investitorë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Interesi për Shqipërinë erdhi nga një vizitë në vitin 2021, tha Kushner. “Isha i intriguar, – tha ai. – Pastaj mundësia u shfaq rreth një vit më vonë. Unë jam kthyer edhe dy herë të tjera që atëherë, për të kontrolluar gjërat dhe për t’u siguruar, që ndihem mire me këtë projekt. Jam gjithnjë e më i emocionuar për potencialin.”

Agjencia e Investimeve e qeverisë shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili është pro-SHBA, ka marrë aplikimin e Kushnerit për projektin e Sazanit dhe është duke punuar në këtë proces, sipas Mirela Kumbaros, ministres së Turizmit dhe Mjedisit.

Affinity po shikon gjithashtu një investim të veçantë në gadishullin e Zvërnecit përballë Sazanit, megjithëse ende nuk është paraqitur asnjë aplikim.

Ka më shumë punë për të bërë, sepse është një zonë e mbrojtur, sipas Asher Abehsera, CEO i Affinity Global Development, i cili ka punuar si partner me Kushner dhe do të mbikëqyrë zhvillimet.

Investimi total vetëm në Shqipëri do të jetë përfundimisht mbi 1 miliard dollarë, megjithëse afati është i paqartë.

“Çdo investitor serioz, veçanërisht nga vendet aleate strategjike të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe standardet e larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”, tha Kumbaro.

Duke pasur parasysh vendndodhjen e tij strategjike, Sazani ka pasur shumë pronarë. Gjatë shekujve, ai ka qenë nën kontrollin e romakëve, bizantinëve, osmanëve, venecianëve, britanikëve, grekëve, italianëve dhe më në fund iu dorëzua Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ushtria e braktisi atë në vitet 1990 pas rënies së komunizmit dhe Shqipëria kaloi një periudhë të paqëndrueshme të kolapsit ekonomik, trazirave sociale dhe emigracionit masiv. U deshën dy dekada reformash të dhimbshme, përpara se Shqipëria të anëtarësohej në NATO dhe të aplikonte për anëtarësim në Bashkimin Europian në 2009.

Ishulli i shkretë prej 1400 hektarësh mund të bëhet një vendstrehim i lakmuar. Kushner synon të ndërtojë vila luksoze në majat e shkëmbinjve, që ngrihen aty ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon në Mesdhe, duke u përzier në peizazhin e thyer. Hoteli do të operohet nga marka ekskluzive Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians.

“Është shumë e rrallë të gjesh diçka të tillë në Mesdhe sot dhe unë besoj se kjo është vlera e vërtetë e Sazanit”, tha Auron Tare, historian i cili ka shoqëruar Kushnerin dhe gruan e tij, Ivanka Trump, në turne në Shqipëri, së fundmi gjatë një vizitë njëjavore në qershor.

Çifti mbërriti në Tiranë me avion privat dhe u shoqëruan në të gjithë vendin me helikopter, duke qëndruar në një jaht në pronësi të një shoku të tij.

Kushner ka thënë se ai është tërhequr nga kombi ballkanik si një destinacion turistik me rritje të shpejtë. Qeveria shqiptare pret 30% deri në 40% më shumë vizitorë këtë vit bazuar në prenotimet e deritanishme.

Megjithatë, ndërsa interesi rritet, rritet edhe presioni. Disa vendas, ambientalistë dhe politikanë, janë të shqetësuar se ujërat e mbrojtura, që rrethojnë ishullin mund të dëmtohen nga zhvillimi dhe trafiku që do pasojë.

Kushner ka thënë se projekti i tij do të respektojë të gjitha standardet mjedisore për të ruajtur vijën bregdetare, ndërsa Rama tha se kritikët “e mashtrojnë veten” se zona ka qenë ndonjëherë e mbrojtur, “përveç se nga ushtarët e Enver Hoxhës”.

Por, kundërshtarët thonë gjithashtu se nuk kishte debate dhe rishikime të mjaftueshme për statusin e ishullit si një vend i sigurisë kombëtare. Shqipëria ndryshoi ligjin e saj për zonat e mbrojtura disa javë përpara se Kushner të shpallte publikisht planet e tij, duke hapur rrugën për ndërtimin e hoteleve me pesë yje ose “projekte të tjera strategjike të rëndësishme”.

Kjo varet nga politika dhe vjehrri i Kushnerit, sipas Alfred Lela, sekretar i medias për Partinë Demokratike të opozitës në Shqipëri. “Duke parë, që demokratët mund të humbin zgjedhjet e nëntorit, Rama kërkon të rreshtohet me administratën Trump”, tha ai.

Ministrja e Turizmit, Kumbaro, tha se nuk kishte asnjë lidhje midis ndryshimeve të ligjit dhe projektit të Kushner.

Është një ndjenjë, që ka jehonë në Serbi. Affinity nënshkroi një qira 99-vjeçare me qeverinë në maj për të kthyer një pjesë të qendrës së Beogradit në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca.

Kontrata nuk është publikuar, megjithëse projekti vlerësohet në rreth 500 milionë dollarë. Ministri serb i Ndërtimit, Goran Vesic, tha në atë kohë se Affinity është një “kompani me reputacion amerikan”, që do të kontribuojë në “zhvillimin e Beogradit dhe Serbisë”. Në udhëtimin e tij në qershor, Kushner ishte gjithashtu në Beograd dhe u takua me Presidentin Aleksandar Vuçiq.

Vetë vendi nuk mund të ishte më në qendër dhe më simbolik. Ai përmban ende mbetjet e djegura të ndërtesës së ish-ministrisë, të goditur nga raketat në sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Përballë rrugës janë ndërtesa neoklasike, që strehojnë selitë e qeverisë së Serbisë, ministritë e jashtme dhe të financave dhe gjykatat e larta.

Nëse Affinity vazhdon me planet për të shndërruar rrënojat, qiellgërvishësit prej xhami dhe çeliku, që do të shërbejnë si apartamente luksoze, një hotel i njohur dhe hapësira zyrash, do të mbizotërojnë zonën. Qëllimi është të fillojë faza tjetër deri në pranverë, me miratim nga autoritetet, tha Abehsera në Affinity.

Plani ndërkohë po sfidohet nga banorët e Beogradit dhe kundërshtarët e qeverisë, të cilët thonë se marrëveshja bie ndesh me përcaktimin e ndërtesave të dëmtuara si pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Partia e Re Demokratike e Serbisë në opozitë denoncoi planet për ta kthyer vendndodhjen në “një hotel me një kazino, që tallte kulturën, historinë dhe arkitekturën e Serbisë”. Ajo u zotua të luftojë “shitjen me zjarr”.

Aleksandar Jovanoviç, aktivist mjedisor dhe politik që po drejton një peticion në internet, për të ndaluar projektin, u kërkoi beogradasve të mblidhen kundër marrëveshjes me Afinity. “Në momentin kur shfaqen buldozerët, ne do t’i presim ata,” tha Jovanoviç.

Kryeqyteti i Serbisë ka rregulluar pjesën më të madhe të dëmeve të NATO-s, dhe ndërtesat në qendër të qytetit ku ishte vendosur ushtria e atëhershme jugosllave, bien në sy.

Askush nuk vdiq në bombardimin në një natë në fund të prillit të vitit 1999, sepse oficerët e lartë të Slobodan Millosheviçit ishin zhvendosur tashmë në strehimoret e tyre komanduese.

Struktura fantazmë, e përdorur shpesh për tabelat e ushtrisë, që ftojnë rekrutët, ka fituar një qëllim të ri me kalimin e viteve, si pjesë e turneve për vizitorët.

“Disa janë të tmerruar, disa thjesht të trishtuar, disa pyesin pse qyteti i mban rrënojat të ekspozuara në vend që të bëjë diçka me to,” tha Angelina Nikolic, 67 vjeç, e cila punon me kohë të pjesshme si udhërrëfyese turistike. Një beogradase, që ka jetuar gjithmonë në qendër të qytetit, ajo kujton natën kur goditën raketat. “Blloqe të tëra dridheshin, unë po dridhesha në shtratin tim. Këto kujtime mbeten përgjithmonë”, tha ajo.

Plani i Kushnerit do të përfshijë një “kompleks përkujtimor kushtuar të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s”, sipas autoriteteve të Serbisë.

Kjo, gjithashtu, po rezulton emocionuese, sepse duket se mbështet narrativën serbe se përpjekja e udhëhequr nga SHBA ishte më shumë për pavarësinë e Kosovës dhe më pak për ndalimin e goditjes së Millosheviçit ndaj separatistëve shqiptarë etnikë.

Në Shqipëri, Kushner dhe gruaja e tij u shoqëruan nga një arkitekt në vizitën e tyre të fundit. Ata ecën nëpër shtigjet e egra të Sazanit, duke kaluar ndërtesat ushtarake, shkollën dhe kinemanë e shkatërruar, të udhëhequr nga historiani Tare.

Kushner ishte i intriguar nga e kaluara e ishullit si një zonë e kufizuar ushtarake, tha historiani. Në lulëzimin e tij, Sazani ishte i aftë të përballonte çdo rrethim për gjashtë muaj, i vetëqëndrueshëm në armatim dhe ushqim.

Njerëzit në qytetin bregdetar të Vlorës – vetëm 25 minuta larg me një varkë turistike – lindën, u rritën dhe u plakën pa e vizituar kurrë Sazanin.

Faza e parë e projektit do të ketë një investim prej 200 milionë deri në 250 milionë dollarë, sipas Abehsera. Sapo autoritetet të përfundojnë shqyrtimin e tyre, firma do të fillojë, tha ai.

Niko Leraj, 64-vjeçari, ish-oficer i artilerisë në brigadën e marinës, i vendosur në ishull për gati 9 vjet, shpesh vështron ishullin ku dikur jetonte me familjen e tij.

Ai është në favor, që ishulli të restaurohet dhe rigjallërohet nga Kushner, megjithëse do të preferonte, që zhvillimi të menaxhohej për njerëzit nga shteti.

“Për dikë si unë, që ka jetuar në këtë ishull, më dhemb ta shoh atë të lënë pas dore për kaq shumë kohë”, tha Leraj. “Dua ta shoh përsëri të bukur.”

Marrë nga Bloomberg, përkthyer nga Monitor/

Continue Reading
You may also like...
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top