Ilire Dauti: S’do lejojmë që për fatin e shqiptarëve të vendosin maqedonasit!
Ilire Dauti, deputetja e Aleanca për Shqiptarët, në një prononcim për gazetën LAJM, ka sqaruar se aleanca mbështet idenë e BDI-së për ndarjen e vendit në territore, duke u bazuar në modele si ai irlandez dhe belg.
Ajo ka theksuar se tema e ndarjes së vendit është nxitur pasi qeveria e re në Shkup nuk ka respektuar vullnetin politik të shqiptarëve, i shprehur në zgjedhjet parlamentare të fundit.
“Dy janë çështjet të cilat kisha dashur t’i ndaj me ju.
- E para është që përderisa ka ardhur në shprehje dhe nxiten tema të këtilla padyshim që ka patur arsye dhe tashmë të gjithë e dimë që shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur pa territorin ku mund ta shprehin sovranitetin e vetë. Prandaj si mungesë e këtij sovraniteti dalin e lindin padyshim edhe tema të kësaj natyre.
- Dhe e dyta është që çështja e legjitimitetit dhe këtij sovraniteti që përcakton vetë qytetari se kush don t’i përfaqësojë në institucionet e shtetit nuk është çështje as individuale, as grupore, por është çështje shumë më e gjërë, ju takon jo subjekteve të posaçme, ju takon të gjitha partive politike dhe ju takon edhe partive maqedonase, nëse duan me të vërtetë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të hapëroj drejt BE-së.
Por, megjithatë, situata në të cilën gjendemi për fat të keq rezulton e këtillë dhe mungesa e këtij sovraniteti, mugesa e këtij territori ku shqiptarët nuk kanë ku ta shprehin të drejtën e tyre për të përcaktuar kush do t’i përfaqësojë padyshim që nxit edhe tema të kësaj natyre. Prandaj, në lidhje me pyetjen që e parashtruat se Aleanca për Shqiptarët a e mbështetë një qëndrim të këtillë, unë mendoj se sapo e dhash përgjigjen, për faktin se mendoj është temë që na takon dhe ju takon të gjithëve sepse shqiptarët në asnjë formë nuk do të duhet që të lejojnë që për fatin tonë të përbashkët të vendos populli maqedon”, tha Ilire Dauti.
Këto deklarata kanë sjellë reagime të ndryshme dhe reflektimin e tensioneve politike në Maqedoni, sidomos në lidhje me çështjen e përfaqësimit dhe sovranitetit etnik të shqiptarëve në vend.