Fëmijët do ta bëjnë botën një vend më të mirë, pavarësisht nga “e keqja dhe padrejtësitë”, thotë Erdoğan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u shpreh të mërkurën se beson fuqishëm që fëmijët do të ndërtojnë një botë më të mirë, pavarësisht pranisë së “së keqes dhe padrejtësive” që ekzistojnë.
Këto deklarata ai i bëri gjatë fjalimit të tij në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve të organizuar nga TRT për herë të 47-të, me rastin e 23 Prillit – Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe e Fëmijëve.
Erdoğan uroi të gjithë fëmijët në Turqi dhe në mbarë botën, duke kujtuar me mirënjohje themeluesin e republikës, Gazi Mustafa Kemal Atatürk, i cili ia dedikoi këtë festë fëmijëve, si dhe të gjithë shtetarët, dëshmorët dhe veteranët.
Presidenti turk tha se mbi 130 mijë fëmijë nga 120 vende të ndryshme janë pritur deri tani në Turqi për këto festime. “Shpresoj që gëzimi që ndjeni sot të mos shuhet kurrë dhe buzëqeshja të mos largohet nga fytyrat tuaja gjatë gjithë jetës,” tha ai.
“Me pak fjalë, ëndrrat për të cilat kemi luftuar dhe sakrifikuar për t’i sjellë deri në këtë pikë, do të bëhen realitet nga ju,” përfundoi Erdoğan. /mesazhi
