Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar publikisht një rast abuzimi me detyrën nga një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit në fshatin Bradashesh, Elbasan.

Sipas deklaratës së Vangjelit, banorë të këtij fshati kanë paraqitur një ankesë ndaj D. B., i cili akuzohet për bllokimin e hapësirës publike dhe pengimin e tre familjeve që të kalojnë në rrugën që të çon në banesat e tyre.

Denoncimi vjen pas një kalvari të gjatë institucionesh dhe vendimesh që, sipas PD, janë shpërfillur nga i njëjti person.

 “Tre herë është ndërhyrë për lirimin e rrugës, por përsëri hapësira është ribllokuar. Vendimi i IMT-së së Bashkisë Elbasan i datës 19.09.2020 ka urdhëruar qartësisht prishjen e ndërtimit të paligjshëm, por ai vazhdon të injorohet”, u shpreh Vangjeli.

Në deklaratën për mediat, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë të marrin masa urgjente për lirimin e hapësirës publike dhe për ndëshkimin e personit përgjegjës.

“Qeverisja e Edi Ramës nuk siguron dot as të drejtën më themelore: kalimin në rrugën publike. Qytetarët presin me vite që gjykatat t’u njohin një të drejtë elementare,” përfundoi Vangjeli, duke bërë thirrje për “çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë. Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Votoni nr. 1.” përfundon deklarata.