Fushata elektorale, Fevziu: Arrestimi i Veliajt i dha një ‘shok’ të majtës, PD u rrit në nivelet më të larta
Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar ndikimin që kanë pasur veprimet e SPAK në klimën elektorale të këtyre ditëve. Në një intervistë për gazetarin Drini Zeqo, ai veçoi si moment vendimtar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili sipas tij krijoi një tronditje të dukshme në krahun e majtë dhe përforcoi opozitën.
“Arrestimi i Veliajt dha një shok në anën e majtë, e rriti PD-në në nivelet më të larta të fushatës,” deklaroi Fevziu, duke nënvizuar efektin e menjëhershëm të këtij zhvillimi në dinamikën e garës.
Megjithatë, me më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve, gazetari nuk pret ndonjë tjetër surprizë të ngjashme nga drejtësia. “Është vetëm kaq, vendime të tjera mund të merren pas zgjedhjeve. Nuk do ketë ndryshim të madh në këto dy javë e ca fushatë,” shtoi ai.
Në analizën e tij për garën elektorale, Fevziu vlerësoi se fushata e këtij viti ka qenë ndjeshëm më e zbehtë dhe më pak intensive se më parë, duke e cilësuar si “bosh”.
© SYRI.net
