Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në të gjithë vendin përkujtuan të Premten e Zezë me ceremoni të veçanta: Udhën e Kryqit dhe procesionin e Epitafit. Në të gjithë vendin, besimtarët u bashkuan në lutje dhe reflektim në pritje të festës së Pashkëve, që këtë vit përkon për të dielën edhe për besimtarët katolikë, por edhe ata ortodoksë.
Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë vendin kanë përkujtuar sot të Premten e Madhe, një nga ditët më të shenjta të kalendarit të krishterë, që paraprin Pashkët.
Në Tiranë, katolikët u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”, ku kremtuan Udhën e Kryqit, një rit që përjeton vuajtjet dhe rrugën e Krishtit drejt kryqëzimit. Ndërsa ortodoksët nisën në orët e pasdites procesionin tradicional të Epitafit, duke mbushur sheshet dhe rrugët kryesore me qirinj të ndezur dhe lutje.
Këtë vit, Pashkët për katolikët dhe ortodoksët përkojnë në të njëjtën ditë, të dielën, duke e bërë këtë periudhë festive edhe më domethënëse për besimtarët.
https://www.youtube.com/watch?v=yfU7ch1HqNE
Në qytete të ndryshme të vendit, ceremonia e daljes së epitafit është ndjekur nga shumë besimtarë. Në Korçë, pasditja e së premtes u kthye në një nga momentet më të fuqishme shpirtërore të vitit, ku nën drejtimin e At Ilia Kotnanit, mijëra besimtarë ortodoksë morën pjesë në procesionin solemn të Epitafit.
Në Tiranë, qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen Ortodokse, ndezën qirinj dhe u lutën përpara se procesioni të niste nga katedralja, të kalonte nëpër sheshin “Skënderbej” dhe të rikthehej sërish në kishë
Në Vlorë, ceremonia u zhvillua në Kishën e Shën Theodhorit, ku qindra besimtarë morën pjesë në daljen e epitafit, duke ndjekur ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike që përshkruan dhimbjen dhe shpresën e kësaj dite të veçantë.
Në Fier, procesioni i Epitafit nisi nga Katedralja e Shën Gjergjit në orën 19:30, i shoqëruar nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi përshkoi rrugët kryesore, ndërsa dhjetëra besimtarë të të gjitha moshave.
E Premtja e Zezë, siç njihet kjo ditë në traditën e krishterë, përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezus Krishtit. Quhet “e zezë” për të nënvizuar dhimbjen dhe heshtjen që përshkon këtë ditë të shenjtë.
Në këtë ditë, në të gjitha kishat bëhen ceremoni shumë solemne: nuk festohet asnjë meshë e zakonshme, altarët janë të zhveshur, kambanat nuk bien, dhe atmosfera është e zymtë dhe e heshtur.
Në ritin katolik bëhet Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks zhvillohet procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të tij. Në të gjitha traditat e krishtera, e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit.