Zbardhen dokumentet – Si iu referua Prokuroria e Speciales Kosovës si “Kosova dhe Metohija”?
Të paktën në një rast i cili tashmë është publik dhe i konfirmuar, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”. Kjo kishte ndodhur gjatë intervistimit të një dëshmitari me emrin Sefer Goxhuli.
Në nëntor të 2022, një person me emrin Sefer Goxhuli, ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Mirëpo, i gjithë intervistimi nuk shkoi sipas rregullave.
Goxhuli u habit kur pa se hetuesit e ZPS-së po përdornin një dokument, i cili Kosovës i referohej si Kosova dhe Metohija.
Në atë moment, Goxhuli u këshillua nga avokati i tij që të mos reagoj.
Mirëpo, këtë e bëri më pas në një letër drejtuar avokatit të popullit të Dhomave të Specializuara, duke e shpjeguar detajisht gjithë ngjarjen.
“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Përdorimin e këtij termi, Zyra e Prokurorit të Specializuar e konsideron të paqëllimshëm, dhe në një përgjigje për Tëvë1, thonë se ky gabim nuk do të përsëritet më.
“Në raportin e tij, Avokati i Popullit u shpreh i bindur se kjo frazë ishte përdorur në mënyrë të paqëllimshme dhe si gabim nga ZPS gjatë intervistës me ankuesin. Ai e pranoi se përdorimi i kësaj fraze ishte padyshim fyese për ankuesin. Për më tepër, Avokati i Popullit u shpreh i kënaqur nga sqarimet e marra nga Prokurori i Specializuar, se ishin ndërmarrë masa të përshtatshme nga ZPS për të siguruar që një gabim i tillë të mos ndodhë më në të ardhmen”
Monitoruesit e proceseve gjyqësore në Hagë, gjithë këtë zhvillim e konsiderojnë të papranueshëm.
“Është shumë e papranueshme që një institucion që është Zyra e Prokurorit të Specializuar e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i cili veprimtarinë dhe kompetencat e veta i ka të mbështetur në legjislacionin e Kosovës, përdor një term në dokumente zyrtare që bie ndesh me aktin juridik më të lartë të Republikës së Kosovës siç është Kushtetuta”, ka deklaruar Astrit Kolaj nga IKD.
“Një qasje e tillë shpërfaqë atë që e kemi thënë në vazhdimësi se prapa këtij procesi qëndrojnë autoritetet serbe e kjo dita ditës po dëshmohet, një term të tillë e përdorë vetëm Serbia dhe regjimi i saj aktual i cili natyrisht sa i përket Kosovës është vazhdimësi e regjimit paraprak…Duhet me kërku falje pavarësisht se e pranojnë se është një lëshim i tillë mirëpo në bindjen time është i papranueshëm”, tha avokati, Ardian Bajraktari.
Mbrojtja e të gjithë të akuzuarve që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në vazhdimësi kanë shprehur vërejtje për dokumentet të cilat i ka përdorur Prokuroria.
