Connect with us

Press24.info

6 humbje dhe vetëm një gol të shënuar ndaj Anglisë, kuqezinjtë sfidojnë vetë historinë

Sport

6 humbje dhe vetëm një gol të shënuar ndaj Anglisë, kuqezinjtë sfidojnë vetë historinë

6 humbje dhe vetëm një gol të shënuar ndaj Anglisë, kuqezinjtë sfidojnë vetë historinë

Thomas Tuchel do të drejtojë ndeshjen e tij të parë si trajner i Anglisë të premten, kur të
tijtë të presin Shqipërinë në stadiumin “Wembley”, në ndeshjen e parë kualifikuese për
Kupën e Botës. Anglia është gjithashtu në Grupin K, bashkë me Andorrën, Letoninë dhe
Serbinë.

Tuchel bëri disa zgjedhje surprizuese në grumbullimin e tij të parë, duke përfshirë rikthimin
e Marcus Rashford, si dhe dy veteranët, Jordan Henderson e Kyle Walker. Morgan GibbsWhite u ftua më vonë si zëvendësues i Cole Palmer, i cili u tërhoq për shkak të një dëmtimi.

Mbetet për t’u parë nëse Tuchel do të zgjedhë të luajë me një mbrojtje me tre, skemë që e
përdori gjerësisht gjatë kohës së tij si trajner i Chelsea, apo nëse do të ndjekë formacionin
4-2-3-1 që Anglia përdori në “Euro 2024”, nën drejtimin e Gareth Southgate. Trajneri i ri, i
njohur për fleksibilitetin e tij taktik, mund të zgjedhë të përshtasë formacionin në varësi të
lojtarëve në dispozicion dhe kundërshtarit.

Debutuesit e mundshëm në këtë ndeshje përfshijnë Dan Burn, Jarell Quansah, James Trafford
dhe Myles LeWis-Skelly. Me mungesën e opsioneve në krahun e majtë të mbrojtjes, LewisSkelly duket si kandidati më i mundshëm për debutim nga minuta e parë kundër Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Shqipëria do të synojë të tregojë se paraqitjet e saj premtuese në “Euro
2024”, ku edhe pse përfundoi e fundit në grup, arriti të barazonte me Kroacinë, t’i diktojë
një sfidë të vështirë Italisë dhe të qëndronte fort kundër Spanjës, nuk ishin një rastësi.
Megjithatë, Liga e Kombeve që pasoi nuk ishte e lehtë për kuqezinjtë, me vetëm një fitore
(ndaj Gjeorgjisë) në 5 ndeshje.

Nën drejtimin e Sylvinho, kombëtarja shqiptare luan futboll intensiv dhe kërkon të sulmojë
shpejt e drejtpërdrejt. Fakti që humbjet e kuqezinjve kundër ekipeve më të forta zakonisht
vijnë me diferencë të vogël tregon disiplinën e tyre mbrojtëse. Mbrojtësi Elseid Hysaj nuk do
të jetë i disponueshëm, por trajneri do të ketë në dispozicion dy sulmuesit kryesorë,
Armando Brojën dhe Rey Manajn, të rikuperuar nga dëmtimet.

Kjo ndeshje kualifikuese do të startojë sot, më 21 mars, prej orës 20:45, në stadiumin
“Wembley” të Londrës. Gjyqtar kryesor do të jetë Alejandro Hernandez (Spanjë).

 

Statistika
Anglia i ka fituar të gjashtë përballjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve, përfshirë dy
fitore me rezultatin 5-0, në prill 1989 dhe nëntor 2021.

Shqipëria ka shënuar vetëm një gol kundër Anglisë në histori (Altin Rrakli më 2001).

Shqipëria nuk ka fituar kurrë një ndeshje zyrtare kundër një ekipi të renditur në top-10 e
FIFA-s (2 barazime, 17 humbje), por ka një fitore në miqësore kundër Francës (1-0, në
qershor 2015, me golin e Ergys Kaçe).

Anglia është e pamposhtur në 31 ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës (23
fitore, 8 barazime), seria më e gjatë aktive në Europë.

10 trajnerët e fundit të Anglisë i kanë fituar ndeshjet e tyre të para (debutuese) në drejtim
të “Tre Luanëve”. I fundit që e humbi ndeshjen e parë ishte Alf Ramsey më 1963 (kundër
Francës).

Robert Lewandowski është lojtari i vetëm në pesë ligat kryesore të Europës që ka shënuar
më shumë gola se Harry Kane (32) në sezonin 2024-2025.

Jude Bellingham është gati të thyejë rekordin e Wayne Rooney për më shumë paraqitje me
Anglinë, para se të mbushë 22 vjeç (të dy janë aktualisht me nga 40 ndeshje).
Konkluzioni

Anglia nis një epokë të re me Thomas Tuchel në krye, ndaj tifozët ishullorë do të jenë
kuriozë të shohin se si do të shfaqet kombëtarja e tyre në ndeshjen e parë kualifikuese.
Ndërkohë, Shqipëria synon të sfidojë një nga kombëtaret më të forta të Europës dhe të
tregojë se është në gjendje të përballet me kundërshtarë të mëdhenj.

Formacioni i kuqezinjve

Trajneri Sylvinho ka probleme mungesash dhe lëndimesh, ndaj duhet ta rikompozojë
formacionin e vet tip. Nuk do të ndryshojë skemë, duke i qëndruar 4-3-3, por në emra do
të ketë risi të detyrueshme. Kështu, në të majtë të mbrojtjes do të luajë Aliji, në mungesë të
Mitajt, ndërsa ka njëlloj balotazhi mes Ajetit dhe Kumbullës në qenër të prapavijës, përkrah
kapitenit Gjimshiti.

Kjo për shkak se nuk ia ka dalë dot të rikuperohet Ismajli, “padron” i këtij roli zakonisht. E
njëjta gjë mund të thuhet edhe për majën e sulmit kuqezi. Uzuni duket disi më i
avantazhuar se Manaj, duke qenë se ky i fundit pësoi një goditje të fortë në kokë dhe
përfundoi në spital me klubin e tij turk, së fundi. Nga ana e tij, Broja nuk është në formën
optimale, ndaj nuk mund të startojë.

 

Mesazhi i Dukës para ndeshjes në “Wembley”

“Nisim sot një tjetër sfidë, me besimin se mund të realizojmë një ëndërr! Përballë kemi
kundërshtarë të vështirë, duke nisur nga Anglia, me të cilën ndeshemi sot në “Wembley”.
Gjithsesi, kjo nuk duhet të na zbrapsë, por të na motivojë, të na bëjë bashkë, të përpiqemi
dhe të vazhdojmë të jemi frymëzues për shqiptarët kudo që jetojnë.

Kombëtarja jonë ka gjithashtu lojtarë të mirë, Kombëtarja jonë ka cilësi, Kombëtarja jonë ka
zemër, shpirt dhe do të japë maksimumin në fushën e lojës. Në fund mund të bëjmë atë që
nuk e kemi bërë asnjëherë, të shkojmë në një Kampionat Botëror. Me besim, këmbëngulje,
duke qenë një trup i vetëm, lojtarë, staf e tifozë, gjithçka është e mundur!”

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top