Zjarret në Dropull, Greqia i vjen në ndihmë Shqipërisë me dy avionë ‘canadair’ për shuarjen e flakëve
Greqia ka dërguar dy avionë të tipit Canadair për të ndihmuar në shuarjen e flakëve që kanë kapluar Dropullin dhe Finiqin.
Lajmin e bën të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në Facebook, teksa cilëson se avionët grekë vijnë si mbështetje nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, duke u ardhur në ndihmë forcave tona.
Gjithashtu Peleshi shpreh mirënjohje për qeverinë italiane dhe kroate për gatishmërinë e tyre për të sjellë mjete ajrore në ndihmë të shuarjes së zjarrit.
Postimi i Niko Peleshit:
Dy avionë të tipit #Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në #Dropull dhe #Finiq.
Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrëfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje.
Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë #italiane dhe asaj #kroate.