Zgjedhjet e 11 majit/ Koalicioni i Berishës i pari në fletën e votimit, PS e Ramës e pesta, PSD e fundit! Hidhet shorti, ja si renditen subjektet e tjera
TIRANË– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të mbajë numrin 1 në fletën e votimit, ndërkohë që Partia Socialiste mban numrin 5.
I dyti do të jetë Partia Mundësia e Agron Shehajt, ndërkohë që vendi i tretë me short i ra Partisë “Lëvizja Atdheu”. Sipas shortit që u hodh, numrin e katërt e mban partia e Lulizm Bashës, “Koalicioni Euroatlantik”, ndërsa numrin 5 e ka Partia Socialiste me Edi Ramën.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Lapajt dhe Shabannit mban numrin gjashtë në fletën e votimit, ndërsa pas tyre në numrin shtatë renditet Aleanca Kombëtare Shqiptare e Elena Kocaqit. Ndjekur në vendin tetë nga Aleanca Demokracia e Re e Edmond Stajkut, në vendin e nëntë koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i Shehit dhe Alibeajt.
Ndërkohë, dy numrat e fundit, dhjetën e mban Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe njëmbëdhjetën Partia Social Demokrate e Tom Doshit.
Fleta e votimit në zgjedhje pritet të jetë gjigande, ndërsa secili koalicioni ka dorëzuar nga 186 kandidatë 46 në listë të mbyllur dhe 140 në listën e hapur. KQZ mblidhet nesër për të miratuar variantin final të fletës së votimit.
Renditja e subjekteve në fletën e votimit
-Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore – Numri 1
Partia Lëvizja Bashkë – Numri 2
Lëvizja Atdheu – Numri 3
Koalicioni Euroatlantik – Numri 4
Partia Socialiste – Numri 5
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet –Numri 6
Aleanca Kombëtare Shqiptare – Numri 7
Aleanca Demokracia e Re – Numri 8
Koalicioni Djathtas për Zhvillim –Numri 9
Partia Mundësia – Numri 10
Partia Social Demokrate – Numri 11
