Connect with us

Press24.info

Sureja Kadr sipas interpretimit të Zemahsheriut | Hoxhë Ridvan Xhaferi

Opinion

Sureja Kadr sipas interpretimit të Zemahsheriut | Hoxhë Ridvan Xhaferi

Sureja Kadr sipas interpretimit të Zemahsheriut | Hoxhë Ridvan Xhaferi

Hoxhë Ridvan Xhaferi

 

Bismil-lahirrahmanirrahim

Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit.
E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit?
Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!
Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.

Qasja e Zemahsheriut[1] ndaj interpretimit të Kur’anit dhe shpjegimit të mrekullive të tij konsiderohet si një nga interpretimet më me vlerë për studiuesit në fushën e shkencave të Kur’anit në veçanti dhe shkencave islame nëpërgjithësi.

Sa herë që afrohen dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, zemra dëshiron që të kuptojë dhe të fitojë begatitë e Sures Kadr, të jetoj midis fjalëve dhe kuptimeve të saj, të shijojë madhështinë e fjalëve dhe reflektimet e tyre në konceptimin e jetës fetare.

Duke qenë i angazhuar pak më tepër, kohëve të fundit, me Zemahsheriun dhe tefsirin e tij Keshaf kujtova që do ishte mirë që ti hedh një sy qasjes së tij në lidhje me suren Kadr në këtë dhjetësh të fundit të muajit të bekuar të Ramazanit. Surja Kadr është një prej sureve të shkurtëra por shumë të thella të Kur’anit Fisnik. Ajetet e saj janë shumë të mprehta dhe njëkohësisht e ngjallin edhe përkujtimin mendor, por edhe përkujtimin shpirtnor në lidhje me kontaktin e të Lumit Zot me gjithësinë. E them kështu pasi sqarimi që Allahu xh.sh. e jep për vleftën e natës së Kadrit, si më e vlefshme se një mijë muaj, është sqarim që i tejkalon kufijtë e logjikës dhe mendjes diskursive dhe njeriun e fut në kontemplacion (mushahede) të vërtetësisë së ekzistencës.

Në sqarimet që Zemahsheriu ia bën sures Kadr, ai përqëndrohet në përmasën gjuhësore, ligjëruese, metaforike të diskursit kuranor, gjithashtu bën spjegim të ajeteve të Kur’anit me Kur’an, një prej metodave më të thukta dhe më klasike të interpretimit të Fjalës së Allahut xh.sh.. Zemahsheriu në sqarimin e sures Kadr, gjithashtu, e prek edhe çështjen e israilijjatin (lajmet nga burimet hebreje) që janë pjesë përbërëse e sqarimit të ngjarjeve për të cilat flet Kur’ani i madhërishëm.

1.Vlera e gjuhës arabe në interpretimin e Kur’anit

Zemahshariu është një nga studiuesit e shquar në fushat e shkencave gjuhësore, në gramatikë, filologji dhe leksikografi dhe konsideron se arabishtja është gjuha e zgjedhur nga Zoti për shpalljen e Kur’anit. Ai thekson në “el-Mufassal”in e tij, një përmbledhje mbi gramatikën arabe, se gjuha arabe është me elokuencë të shquar dhe është e nevojshme të njihet mirë për interperetimin shkencor në të gjitha diciplinat islame, e vëçanërisht në interpretimine Kur’anit.

Sipas Zemahsheriut në ajetin, “Ne e kemi zbritur atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit.” (Kadr:1), Allahu e zbulon Madhështinë e Kur’anit në tre aspekte:

Embështet zbritjen e Kur’anit në Veten e Tij në përemrin vetor në vetën e parë shumës (Ne e zbritëm), që të veçohet se vetëm Allahu i Madhëruar është ai që e shpalli dhe e zbriti Kur’anin dhe në zbritjen e tij të vazhdueshme i ka të inkuadruara të gjitha emrat dhe atributet e Tij. Kjo është e rëndësishme për shkak se emrat edhe atributet e Allahut xh.sh. janë ura kaluese ndërmjet identitetit (dhat) hyjnor dhe gjithësisë. Për shembull, në këtë rast mund të thuhet që Allahu xh.sh. nëpërmjet atributit Kelam ( Fjalë, Bisedë) të Tij e kontakton gjithësinë, më drejtë njeriun, dhe ia dërgon Fjalën e Tij. Çështja e kontaktit të Zotit me gjithësinë është një ndër problemet më komplekse të filozofisë së religjionit dhe diskursi i Kur’anit atë e sqaron nëpërmjet zbritjes longitudale (vertikale) të atributit hyjnor në përmasën njerëzore. Kjo është një qasje shumë sublime ndaj këtij problemi, i cili për tu kuptuar, krahas përkapjes mendore, kërkon edhe përqëndrimin shpirtëror dhe dëshminë me zemër të Zotit.
Emrin e Kur’anit e paraqet me përemrin ‘Atë’, jo drejtëpërdrejtë me emrin e tij të qartë, për të dëshmuar lavdinë dhe famën e Kur’anit dhe për të tërhequr vëmendjen, zemrat dhe ndërgjegjet e njerëzve në të gjitha aspektet e jetës.
I kushton rëndësi të veçantë dhe e vlerëson lartë kohën e zbritjes së Kur’anit Fisnik, duke e përmendur emrin e Natës së Kadrit dhe rëndësinë e saj.
Gjithashtu edhe ajeti i fundit i Sures Kadr: “Paqе është ajo deri në lindjen e agimit.(Kadr:5), interpreton se kjo natë është dëshmi e paqës, sigurisë dhe qëndrueshmërisë që zbret nga qielli në këtë natë të vlefshme. Zoti i Madhëruar e cilësoi këtë natë si (paqe) dhe ky atribut i kësaj nate është i pandrysheshëm, prandaj fjalia që e shpreh është fjali emërore që tregon qëndrueshmërinë.

Opinionet e ndryshme të dijetarëve

Zemahsheriu në interpretimin e tij i përmend edhe opinionet e dijetarëve, gjithashtu edhe në lidhje me Natën e Kadrit shpreh mendime të ndryshme dhe e thekson se disa prej tyre mendojnë se kjo natë është në dhjetë netëte fundit të Ramazanit, ndërsa shumica e tyre kanë rënë dakord se ajo është nata e njëzeteshtatë.

Arsyeja pse kjo natë mbahet e fshehtë është se ata që synojnë ta rrokin atë natë duhet të rigjallërojnë shumicën e netëve në dhjetëshin e fundit të Ramazanit me dëshirën për t’u përkushtuaredhe më tepër në adhurim në këtë natë të vlefshme. Si rrjedhojë, me këtë të shtohet numri i adhuruesve, pasi në te shumëfishohen shpërblimet dhe ajo të bëhet motiv për vazhdimësitë adhurimit edhe në netët e tjera.

Ligjërimi dhe metafora në Suren Kadr

Përveç përdorimit të metodave dhe mundësive gjuhësore në tefsirin e tij, ai i kushton rëndësi të madhe edhe parimeve të arsyes dhe ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në këtë qasje, veçanërisht në përshkrimin e kuptimeve, paraqitjeve retorike dhe metaforave në Kur’an.

Në interpretimin e ajetit: “E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?” (Kadr:2), na bën me dije se njohuritë e Zotit të Madhëruar janë të pakufijshme dhe gjithëpërfshirëse. Fjala dirajeh (përqëndrim mendor) e përdorur në formënedra tregon se vlefta e natës së Kadrit nuk mund të kuptohet me qasje sipërfaqësore racionale, por kërkon që të inkuadrohet i tërë aparati mendues i njeriut, pra, mendja, intelekti, zemra, ndërgjegja, vetëdija, perceptimet, konceptimet dhe të ngjashme, që të kuptohet si duhet vërtetë nata e Kadrit. Ky ligjërim është një metaforë për statusin e Natës së Kadrit dhe madhështinë e saj. Zemahsheriu, gjithashtu, na bën me dije se njohuritë tona njerëzore janë të kufizuara dhe nuk arrinë dot të kuptojnë qëllimin përfundimtar të vlerës dhe virtytit të lartë të kesaj nate, por, në mes rreshtave, na thotë që kemi nevojë për përvojën religjioze të Pejgamberit a.s. dhe të të ndriturve që të përkapim përjetimet reale që mund të vijnë si rrjedhojë e rigjallërimit të natës së Kadrit.

Sa i përket ajetit, ” Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Kadr:3) Allahu i Plotfuqishëm, thotë Zemahsheriu, i mënjanoi disa operacione logjike të cekëta dhe disa paqartësi nga pyetja paraprake: “E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?”, pra, sqarimi i Zotit është vlerësues dhe jo analizues. Ai thotë se për ta kuptuar natën e Kadrit ju duhet të depërtoni në një mijë muajt, ose metaforikisht në antropolgjinë fetare të njerëzimit, pasi një mijëshi është një aluzion për shumëshmërinë, dhe aty ta kuptoni se sa me vlerë është nata e Kadrit. Kjo kështu pasi jeta pa Fjalën e Zotit është e gjymtë dhe çalon në hapërimin drejt qëllimit të vërtetë të njeriut. Ose ta them më thuktë, një mijë muaj, një jetë e tërë tetëdhjetë e ca vite, pa Fjalën e Zotin, pra në të cilën nuk ka Kadr, janë hiç në proporcion me Natën e Kadrit ku ka Fjalë të Zotit.

Arsyen pse virtytet e asaj nate e kanë këtë vlerë madhështore e shpjegojnë ajetet në vijim, e ata janë: përvoja fetare, zbritja e Melaikeve, zbritja e Xhibrilit dhe vendosja për çdo çështje të jetës sipas mëshirës që zbret nga qielli. Ah sa kemi nevojë ne njerëzit bashkëkohorë për këtë qetësi dhe paqe të qiellit që ta sistemojmë jetën tonë!

Qëndrimi i tij ndaj Israilijateve (lajmet hebreje)

Zemahsheriu në tefsirin e tij shumë pak ka përcjellur israiliate dhe ka paralajmëruar për rrezikun e këtyre legjendave, duke i demaskuar në tërësi si të pabaza. Ai kur rrëfen ndonjë prej tyre, e përmend në formën rrëfehet se, dhe me këtë tregon dobësinë e rrëfimit dhe mosmarrjen e tyre si argument, ndërsa i ka përdorur për ta sqaruar përmasën historike të ngjarjeve të caktuara për të cilat flet Kur’ani dhe nuk hyn në detaje.

Konkretisht në këtë sure, në lidhje me ajetin “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Kadr:3), ai e rrëfen përcaktimin e kësaj periudhe kohore(d.m.th., saktësisht 1.000 muaj): Një njeri nga Beni Israilët, thotë Zemahsheriu, mori armët dhe luftoi në rrugën e Allahut një mijë muaj, besimtarët muslimanëu habiten me përpjekjen e këtij njeriu, dhe sikur veprat e tyre u dukeshin si të pavleranë krahasim me veprën e tij. Prandaj, atyre iu dha një natë që ishte më e mirë se vepra e atij luftëtari. Me një fjalë, Zemahsheriu na e bën me dije neve se ndjekësit e Muhammedit a.s. janë të privilegjuar dhe adhurimi solid i tyre por me sinqeritet është i barbartë me adhurimin në kohë të gjatë të popujve të mëparshëm.

Gjithashtu rrëfehet nga të lashtët, thekson Zemahsheriu, se në të kaluarën nëse një person nuk e adhuronte Allahun një mijë muaj, ai nuk quhej abid (i përkushtuar). Kështu që ummetit të Pejgamberit a.s. i është dhënë një natë, në të cilën ata do të mund të bëjnë ibadet dhe ta përfitojnë epitetin e abidit.

Spjegimi i Kur’anit me Kur’an

Një parim tjetër i ekzegjezës së Zemahsheriut është të “spjegosh Kur’anin me anë të Kur’anit” (tefsir el-Kur’an bi-l-Kur’an). Ai thotë se, “disa pjesë të Kur’anit spjegojnë pjesë të tjera” (el-kur’an tufassiru baʻdahu baʻdan).

Në këtë ajet: “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për çdo çështje” (Kadr:4), ndjek këtë metodë për të sqaruar një ajet të Kur’anit duke cituar një ose disa ajete të tjera të Kur’anit. Objektivi kryesor është të shpjegojë, ilustrojë dhe përforcojë këndvështrimin e tij se i njëjti gjendet në ajete të tjera. Ai është gjithmonë i saktë dhe nuk përsëritet në interpretimet e tij në lidhje me çështjen e njëjtë.

Zemahsheriu interpreton ajetin e lartëpërmendur me një ajet tjetër dhe e sjell si provë ajetin 4 të Sures Duhan,“Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë”, dhe këtë e thekson si vërtetim të asaj që Zoti i Madhëruar e ka vendosur në këtë natë.

Leximet e ndryshme të Kur’anit (Kira’at)

Tradita Pejgamberike i përmend dallimet në leximin e Kur’anit (të cilat u lejuan prej Pejgamberit) dhe lidhen me Seba’t Ahruf (shtatë shkronja/dialekte arabe), sipas të cilave thuhet se meleku Xhibrili ia kishte zbritur Kur’anin Muhamedit a.s., ashtu siç shprehet qartë në një porosi të Pejgamberit a.s..

Në ajetin e fundit të sures kadr Metla-i-l-fexhr, Fjala metla lexohet me bashkëtingëlloren fet’ha dhe me kesra (metla’ – metli’).

Ajeti 4 i Sures Kadr (..për çdo punë) lexohet edhe si (min kul-li’mriin), që do të thotë “për shkak të çdo qenieje njerëzore“. Siç shihet Zemahsheriu e përdor metodën analitike gjuhësore për të zbritur sa më thellë në kuptimin që do të mund të derivohej nga ajeti i Kur’anit

Virtytet e Sures

Çdo sure e Kur’anit Fisnik ka sekrete dhe virtyte. Suret dhe ajetet e Kur’anit janë udhëzim dhe mëshirë për besimtarët dhe shpëtim nga mosbesimi dhe lajthitja për ata që e duan udhëzimin e Allahut. Virtyte të tilla ka në tërë Kur’anin, por disa prej sureve janë të veçuara në këtë kontekst.

Zamahsheriu në fund të çdo sureje përmend thënie të Pejgamberit a.s. mbi virtytet e sures, gjithashtu edhe në këtë sure përmend një hadith për virtytin e kësaj nate, ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kushdo që lexon suren Kadr do të shpërblehet sikur ai që agjëron Ramazanin dhe e rigjallëron natën e Kadrit.”[2]

Për fund, mund të themi se thellësia e kuptimeve, saktësia e formulimit, elokuenca e shprehjeve, mësimet, sekretet dhe mrekullitë e kësaj sureje janë dëshmi se kjo është fjala e Allahut të Lartësuar, argument dhe provë e fortë se ajo nuk është e krijuar nga njeriu, por dritë që buron nga dielli i diturisë Hyjnore.

 

Nata e Kadrit është nata e shpalljes së Kur’anit. Shpallja e Kur’anit i jep një vlerë sublime jetë ssë njeriut, pra vendoset kontakti në mes Krijuesit dhe krijesës. Shpallja njeriun e bën të vullnetshëm, i jep vlerë identitare dhe i mundëson të ndryshojë jetën e tij në tërësi.

Në dritën e kësaj analize ndoshta mund të kuptohet më lehtë roli i arabishtes në kuptimin e ajeteve të Kur’anit. Efikasiteti i namazeve, lutjeve dhe lavdërimeve qëndron jo vetëm te përmbajtja, por edhe te vetë tingujt dhe kumbimet e gjuhës së shpalljes. Kur’ani me gjuhësin e tij përbën metodë integrimi të krejt qenies, duke përfshirë shpirtin dhe mendjen. Gjuha e Kur’anit shërben pikërisht si mjet providencial, me anë të të cilit njeriu arrin jo vetëm të mendojë për të vërtetat e fesë, që është vetëm për njerëz të një mendësie të caktuar, por të marrë pjesë me tërë qenien e tij në një eveniment të bekuar hyjnor. Kjo e vërtetë zbatohet universalisht e shpaloset veçanërisht qartë në rastin e Kur’anit, formulat dhe ajetet e të cilit janë gurë udhëzues për jetën e muslimanit dhe përsëritja e vazhdueshme e të cilave i siguron njeriut një strehë hyjnore në trazirën e ekzistencës së tij tokësore. Këtu qëndron edhe rëndësia e rigjallërimit të natës së Kadrit.

[1]Zemahsheri, El Keshafu an hakaiki-t-tenzili ve ujuni-l ekavili fi vuxhuhi-t-te’vili, Mekteb Ubejkat, Rijad, 1998, vll.6, fq. 409.

[2]Transmetohet nga Thalebi, el-Vahidi dhe Ibn Mardevejh me zinxhirin e tyre të transmetimit tek Ubej ibn Ka`b. /tv.shenja/

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

To Top