Vuçiq sërish flet për pretendimet e “Slobodna Bosna”, se Serbia po financon media në Kosovë
Vuçiq, i cili ndodhet në Paris me rastin e fillimit të Lojërave Olimpike Verore, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga Serbia, tha se të njëjtat media kanë njoftuar se është takuar në Kragujevc edhe me Milan Radoiçiqin.
“Rastësisht nuk kam takuar njeri në Kragujevc”, ka thënë Vuçiq.
Portali në Bosnje-Hercegovinë, “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë) ka thënë të enjten se e ka regjistruar pikun e sulmeve brutale prej mediave të Serbisë, të kontrolluara, siç ka thënë, prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas publikimit të një artikulli në të cilin supozohet se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiqit.
Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.
Përmes një reagimi editorial, “Slobodna Bosna” ka thënë se në vend të mbështetjes, përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare, si dhe asociacione të gazetarëve prej rajonit, i kanë nxitur sulmet, përmes reagimeve që kanë bërë.
“Slobodna Bosna” ka shtuar se megjithatë do të vazhdojë të bëjë “punën profesionale”.
Në reagim i është bërë thirrje një eksperti të Bosnjës, që ka pretenduar se Qeveria e Kosovës është mbrapa artikullit, që të paraqesë fakte për këtë pretendim.
Në reagim janë quajtur të pabazuara pretendimet për “mungesë provash”, apo ato për “burime të dyshimta” në artikullin në fjalë.
“Slobodna Bosna” theksoi se asnjë medium nuk e ka kontaktuar redaksinë për të verifikuar informacionin e publikuar, dhe të gjithë kanë marrë pozicionin ad hoc se informacioni nuk ka qenë i saktë.
Reagimet në Kosovë rreth këtij teksti kanë qenë kryesisht për faktin se televizioni publik, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) e ka transmetuar një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të pushtetit.
Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se ky medium është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.
Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar rreth këtij rasti, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë të mërkurën se i ka dhënë informacione Prokurorisë për dy portalet e përmendura të Kosovës, me arsyetimin se “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.
Të mërkurën, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Në reagimin e 24 korrikut të organizatave joqeveritare, materiali i RTK-së është konsideruar “informacion dezinformues, me qëllim të sulmimit të mediave online, Nacionale dhe Periskopi”.
Bordi i RTK-së ka mbajtur më 23 korrik një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi ka thënë se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e ka cilësuar si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti, transmeton Telegrafi.