Rrobaqepësi 66-vjeçar nga Shkupi mban gjallë traditën me veshjet autentike shqiptare
Foto: Umeys Sulejman/AA
Duke folur për Anadolu, Abdullahu shprehet se me rrobaqepësi është marrë që në moshën 10-vjeçare, ndërsa për rreth 50 vjet punon aktivisht me këtë profesion, duke krijuar me shumë zell edhe veshje tradicionale shqiptare
Shkup
SHKUP (AA) – ABDULA BERISHA – Rrobaqepësi 66-vjeçar nga Shkupi, Bilall Abdullahu, me profesionin dhe aftësinë e tij mundohet të mbajë gjallë traditën me veshjet autentike shqiptare dhe t’ua përcjellë ato gjeneratave të ardhshme.
Duke folur për Anadolu, Abdullahu shprehet se me rrobaqepësi është marrë që në moshën 10-vjeçare, ndërsa për rreth 50 vjet punon aktivisht me këtë profesion, duke krijuar me shumë zell edhe veshje tradicionale shqiptare.
Duke kujtuar fëmijërinë e tij, Abdullahu rrëfen se që në moshën më të re është orientuar nga babai i tij që të merret me këtë profesion.
“Mua si çirak më ka marrë babai, 10-vjeçar më ka sjellë në çarshi, tek një usta Nevzat, një turk. Kam punuar aty shtatë vjet. Prej klasës së pestë, deri sa e mbarova shkollën e mesme, isha te ai”, thotë Abdullahu.
Pasi ka bërë shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi, respektivisht në vitin 1978, Abdullahu ka filluar aktivisht të merret në mënyrë të pavarur me rrobaqepësi.
Ai shprehet i kënaqur me punën e tij, duke theksuar se me këtë zanat ka rritur gjashtë fëmijë “me të gjitha të mirat”.
Fillimisht ka pasur një punëtori ku ka punuar me shumicë, ndërsa më pas, ai ka hapur edhe dyqanin e tij në Çarshinë e Shkupit, duke u shprehur se gjithnjë ka qenë i lidhur me çarshinë.
“Dyqanin e kam unë për 30 vjet, por kam pasur punëtori në Gazi Babë. Kam pasur atje 15 punëtorë. Prej atëherë kam qenë i lidhur me çarshinë, pasi kam qepur për Slloveni, për Mal të Zi, kam punuar me shumicë”, thotë Abdullahu.
– “Preferoj veshjet kombëtare origjinale”
Sa u përket veshjeve dhe ndjenjave kombëtare, ai shprehet se këtë e ka të mbjellë nga familja dhe shkolla fillore.
“Ne që e kemi mbaruar shkollën ‘Liria’, na e kanë mbjellë patriotizmin, ta duam kombin. Një njeri që e do vetveten, i do edhe të tjerët”, shprehet Abdullahu.
Ideja konkrete për krijimin e veshjeve tradicionale shqiptare ka ardhur pas një kërkese që i erdhi atij nga Ansambli “Ibe Palikuqi” dhe drejtori i atëhershëm i ansamblit, Alush Hamidi.
“Kjo ide me veshjet kombëtare erdhi kur u hap në vitin 1979 ‘Ibe Palikuqi’. Erdhi Alushi me një koreograf nga Shqipëria. Dëshironin t’ua përgatis disa veshje (kombëtare), se nuk kishte kush t’ua bëjë. Erdhi, më tha Bilall a mundesh t’i bësh. Thash nuk kam qepur asnjëherë (veshje kombëtare) por do të mundohem t’i bëj”, shprehet Abdullahu.
Ai sqaron se pas kësaj ka pasur kërkesa nga shoqata dhe personalitete të ndryshme. Ndonëse ka përvetësuar njohuri të reja mbi qepjen e veshjeve tradicionale shqiptare, ai preferon të qëndrojë sa më afër autentikes dhe origjinales.
“(Preferoj) Veshjet kombëtare origjinale. Unë mundohem të bëj origjinalen, se ashtu mbahet kombi. Por tash materialet nuk i kemi origjinale sikur përpara. Është një material i përafërt”, thotë ai, duke shtuar:
“Unë mundohem ta mbaj (origjinalen), por tash dikush nga këta valltarët, këngëtarët, duan diçka me elemente të tjera. Ia humb vlerën. Ti ia vendon një gajtan, e bën me ngjyrë, por nuk është ajo origjinalja. Ngjyra kafe dhe e bardha (janë origjinalet). E bardha është simbol i pastërtisë. Kapuçi i bardhë është simbol pastërtie”.
Rrobaqepësi 66-vjeçar thotë se është posaçërisht i lumtur kur nipërit dhe mbesat i vijnë në dyqan dhe interesohen për veshjet kombëtare shqiptare. Ndonëse, siç shprehet ai, zanati i rrobaqepësisë u duket i vështirë, Abdullahu është i kënaqur që edhe brezat e rinj shfaqin interes për veshjet tradicionale shqiptare.
https://www.aa.com.tr/sq/jeta/rrobaqep%C3%ABsi-66-vjecar-nga-shkupi-mban-gjall%C3%AB-tradit%C3%ABn-me-veshjet-autentike-shqiptare/3417032
https://www.aa.com.tr/sq/jeta/rrobaqep%C3%ABsi-66-vjecar-nga-shkupi-mban-gjall%C3%AB-tradit%C3%ABn-me-veshjet-autentike-shqiptare/3417032
